Presidenti harron dëmet miliardëshe të luftës, kërkon t'ia dhurojë Serbisë 1/3 e Kosovës

  • 25 September 2018 - 07:33
Presidenti harron dëmet miliardëshe të luftës, kërkon t'ia dhurojë Serbisë 1/3 e Kosovës
Zeqa: Gatishmëria e Thaçit për t'ia dhuruar Vuçiqit veriun, përfshirë edhe Mitrovicën veriore dhe Ujmanin, bashkë me këtë edhe dëmet e luftës, nënkupton barrën e shantazhit politik që rëndon mbi supet e tij!

"Sa i përket hartës që paska publikuar 'Le Monde', duhet të shqetësohemi shumë, meqë kjo gazetë është tepër serioze, me traditë të gjatë, prandaj nuk sajon spekulime (Fake News), por ofron informacion nga burime autentike! Edhe kësaj radhe po e përsëris uratën: të kenë mëshirë presidentët Makron dhe Vuçiq ndaj shtetit të Kosovës, meqë Hashimi firmos çdo gjë që do t'i kërkohet nga qeveria nacionalfashiste serbe", thotë Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot"

Deputetët nga radhët e opozitës, analistët politikë dhe qytetarët vazhdojnë ta kritikojnë dhe kundërshtojnë Hashim Thaçin, i cili po kërkon me çdo kusht që dialogun me Serbinë ta përfundojë sa më shpejt, duke ia dhuruar Vuçiqit gati 1/3 e Kosovës, për ta shpëtuar veten nga GJYKATA SPECIALE, ndërkaq asnjëherë në dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel nuk u kërkua kompensimi për dëmet e luftës, edhe pse dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë llogariten mbi 22 miliardë euro, por që pushtetarët në krye me Hashim Thaçin, duan t`ia falin Serbisë edhe dëmet e luftës. Edhe drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën "Kosova Sot", nga regjimi gjenocidial serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatë, duke mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që na dogji, na vrau e na shkatërroi në masë, së cilës Serbi presidenti Hashim Thaçi & Co po insiston t`ia falë edhe 1/3 e territorit të Kosovës, por edhe dëmet e luftës, thonë analistët! Sipas analistëve, e vërteta rreth këtyre pazareve ka filluar të zbulohet edhe nga shtypi perëndimor. Gazeta franceze 'Le Monde' ka publikuar një hartë të Kosovës me kufijtë sipas skenarit Vuçiq-Thaçi, sipas së cilës hartë pjesa veriore e Kosovës - Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica, shkojnë në Serbi, ndërsa Kosovës i bashkohen territoret e komunës së Medvegjës dhe Luginës së Preshevës. Gazeta franceze i përshkruan Mitrovicën, përfshirë 'Trepçën' dhe liqenin e Gazivodës si "pronësi të kontestuara"

Institucionet po e lejojnë fyerjen e viktimave
Deputeti Ali Lajçi thotë se me kohë është nisur mbrapsht ky proces bisedimesh, që tani po rrezikon për të kulmuar me të gjitha këto pazare në dëm të shtetit të Kosovës, prandaj edhe VV-ja po angazhohet që ta mobilizojë popullin pa dallime politike që ta kundërshtojnë këtë perfekt të Thaçit dhe Vuçiqit, i cili është projekt i rrezikshëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë. "Këto tashmë po dihen si çështje, është një proces i cili ka shkuar krejtësisht me një trend negativ edhe ka qenë i organizuar në mënyrë joadekuate, kjo çështja e negociatave, sepse janë zhvilluar fillimisht pa u njohur statusi i pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, e që dihet se nuk është dashur fare të bisedohet me Serbinë pa u njohur pavarësia e Kosovës, sepse është dashur të dihet që në fillim se bisedat do të shkojnë ashtu vetëm në ajër", u shpreh ai."Është dashur të mendohet që të gjitha temat e hapura me Serbinë të shtrohen pasi të njihet pavarësia e Kosovës nga ana e Serbisë, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur as njëra dhe as tjetra dhe është kjo një qasje deri tani krejtësisht e gabueshme se qoftë një njeri, apo në këtë rast një shtet, i cili të ka vrarë e ka bërë gjenocid ndaj teje dhe ti tani as që flet për këto dëme, për këto masakra, për dëmet dhe gjenocidin, që nuk kërkon kompensimin e tyre, e ai nuk kërkon as falje për këto krime, kurse viktimat e pa gjetura akoma janë në dorën e tyre, kjo do të thotë që është një punë sikur të rrahësh ujë në havan, prandaj ka shkuar gjithçka mbrapsht deri tani", vijoi më tej Lajçi."Edhe vizita e fundit e Vuçiqit në Kosovë u lejua ashtu si u lejua nga institucionet e papërgjegjshme të këtij shteti dhe vizita e tij në Mitrovicë tregoi se krejt kjo deri tani ka qenë qasje e gabueshme. Ai erdhi me lejen e qeveritarëve tanë dhe këta ia legalizuan ta mbaj edhe një tubim në të cilin ai e lëvdoi krimin dhe e çmoi lart kriminelin Milosheviq si ndër burrat më të mëdhenj të Serbisë. Janë institucionet tona që i lejuan Vuçiqit të vijë e t'i fyejë edhe viktimat edhe një herë dhe tani po duan të luajnë lojërat me të tjera pazare të dëmshme, prandaj ne po punojmë të organizohemi së bashku me popullin dhe t'i ndalojmë këta matrapazë në pazaret e tyre të pista e të dëmshme për shtetin", tha Ali Lajçi për "Kosova Sot". 

GURAZIU:THAÇI PO IA DHURON VUÇIQIT GATI 1/3 E KOSOVËS, NDËRKAQ ASNJËHERË NUK IA KËRKOI KOMPENSIMIN PËR DËMET E LUFTËS!
Ndërsa analisti politik, Ragip Guraziu, thotë se kjo klasë politike, thuaja se në tërësi, është duke u sjellë krejtësisht symbyllas në raport me Serbinë."Kjo klasë politike kosovare po sillet si e verbuar që 20 vjet pas lufte, sepse asnjëherë nuk ndërmori asgjë për paditë rreth krimeve të luftës, as për paditë e qytetarëve e bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës, as kolektive e as individuale. Për këto vite ka dështuar edhe drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar nuk ka adresuar asnjë rast sa u përket çështjeve të kompensimit të dëmeve të luftës, përfshirë këtu edhe shtypshkronjën dhe gazetën "Kosova Sot" që e shkatërroi regjimi i Milosheviqit, por po mbijetoi në luftë, pas saj dhe sot gazeta nr. 1, "Kosova Sot", vlerëson ai. "Tani Thaçi po kërkon me çdo kusht që dialogun me Serbinë ta përfundojë sa më shpejt, duke ia dhuruar Vuçiqit gati 1/3 e Kosovës, për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, ndërkaq asnjëherë në dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel nuk u kërkua kompensimi për dëmet e luftës. Me të drejtë shtrohet pyetja pse dëmet e luftës që Serbia i ka shkaktuar në Kosovë llogariten mbi 22 miliardë euro, pushtetarët në krye me Hashim Thaçin duan t`ia falin Serbisë edhe dëmet e luftës", potencoi më tej Guraziu për "Kosova Sot". "Është për turpin e kësaj politike, e cila as pas dy dekadash nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim, dhe drejtësia kosovare nuk ndërmori asgjë për paditë e qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës. Madje drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën "Kosova Sot", nga regjimi gjenocidal serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatë, duke mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që na dogji, na vrau e na shkatërroi në masë, së cilës Serbi presidenti Hashim Thaçi & Co po insiston t`ia falë edhe 1/3 e territorit të Kosovës, por edhe dëmet e luftës", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

KELMENDI: HASHIM THAÇI NUK ËSHTË PRESIDENT I KOSOVËS, POR KUISLING I BEOGRADIT NACIONALFASHIST!
Sipas veprimtarit të çështjes kombëtare, Ibrahim Kelmendi, është fatkeqësi që Hashim Thaçi po vazhdon të prezantohet si president Kosove, derisa ai po do t'ia dhurojë Serbisë 1/3 e Kosovës, për të shpëtuar nga "Gjykata Speciale". "Unë kam mendim tjetër. Hashim Thaçi nuk është president i Kosovës, por kuisling i Beogradit nacionalfashist, tashmë i shpërfytyruar edhe në kondom të presidentit Vuçiq."Gjykata Speciale" është imponuar në Këshill të Evropës në bazë të shpifjeve që ka sajuar Serbia (duke shpërdoruar serbofilin Dik Marti). Por, Serbia (as Rusia) tani nuk është më e interesuar të ndodhin shqyrtimet gjyqësore të atyre shpifjeve, sepse nuk do që të diskreditohet si shpifëse. Interes kanë vetëm shtetet e Aleancës NATO, sepse atë aleancë ishin të interesuar Serbia, Rusia dhe miqtë e tyre ta diskreditonin, për përkrahjen e UÇK-së gjatë lufte. Por, edhe nga ato shtete Thaçi nuk frikësohet, se do të ngritin padi kundër tij", shpjegoi ai.

Fati i Ballkanit në duart e dy injorantëve
Ndërsa analisti politik Shefik Shkodra tha për "Kosova Sot" se nëse ka mbetur në Kosovë vetëm një njeri pronar i vetëm, atëherë po dihet se janë Franca dhe aleatët e tjerë të jashtëm ndihmësit e Serbisë, që ndoshta mund të bëjnë dhe ndoshta moti i kanë bërë hartat për ndarje të Kosovës."Kësaj i themi dhunë për këtë popull nëpërmjet përfaqësuesit të këtij populli. Më keq se në disa vende afrikane e aziatike. Pra, do të duhej të dëgjohej zëri i këtij populli më në fund. Nuk do të duhej t'u lihej grupeve të vogla të nëpërkëmbet tërësia e vlerave të këtij vendi. Mendoj që ka edhe njerëz të tjerë. Disa herë është potencuar se kjo çështje është marrë përsipër nga një grup me në krye Hashim Thaçin, për leverdi personale, ndryshe asgjë nuk do të duhej të ishte embargo e tabu temë. Tash shkojnë në Amerikë dhe thonë se edhe politika amerikane po pajtohet me këto ndryshime, etj. Veç ndonjë i pamarrur vesh do të pajtohet me mendimin se Serbisë i marrin territoret e Luginës dhe ne nuk i japim asgjë", tha Shkodra për "Kosova Sot". Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se Kosova po hyn në një fazë shumë të paqartë të fatit të saj në raport me bisedimet në të cilat është futur Thaçi me Vuçiqin, prandaj është në përgjegjësi të Kuvendit që ta detyrojë atë të sqarohet para deputetëve dhe para qytetarëve."Thaçit duhet t'i kërkohet që të dalë para Kuvendit të Kosovës dhe popullit tonë dhe të tregon se si dhe çka duhet të dirigjohet në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mjaft me deklarata boshe e në konferenca për shtyp. Kjo nuk duhet të tolerohet më tutje. Duhet të dihet se çka saktësisht merr Kosova dhe çka humb? Kujt do t'i mbeten UJMANI, MITROVICA dhe TREPÇA? Çka merr shteti shovinist serb? Tërë Lugina apo vetëm pjesë të saj bashkohen me Kosovën? Kush qëndron prapa këtij korrigjimi? Çfarë roli kanë SHBA-të? Çka pas korrigjimit dhe me atë a do të ketë të drejtë të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?", pyeti Kelmendi. "Nga gjendja e krijuar është anomali të mendohet se korrigjimi i kufirit është vepër e Thaçi-Vuçiq! Nuk e mendoj këtë. Këta janë të vegjël dhe pa forcë që të bëjnë një korrigjim të kufirit dhe BE, Anglia, Gjermania, Franca dhe SHBA-të të pajtohen dhe vetëm të shikojnë. Është investuar shumë nga BE-ja dhe SHBA-të që këtyre dy njerëzve të padenjë dhe tipik injorantë t'u lihet Ballkani dhe ata dy të vendosin për fatin e Ballkanit. Këtë nuk besoj ta lejojnë kurrë SHBA-të. Ballkani është zjarr dhe barot dhe mund të eksplodon në çdo kohë. Këtë duhet ndaluar", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". 

ZEQA: PRESIDENTI THAÇI DUKE MBAJTUR ANËN E SERBISË ËSHTË DUKE DËMTUAR VENDIN DHE QYTETARËT
Sipas analistit politik Florim Zeqa, ngutja e presidentit Hashim Thaçi, që sa më parë dhe me çdo kusht të përfundojë dialogun me Serbinë, për t'ia dhuruar kësaj të fundit gati 1/3 e territorit të Kosovës, pa e shtruar asnjëherë si temë debati në dialogun e Brukselit as personat e zhdukur dhe kompensimin e dëmeve të luftës, të cilat llogaritet të jenë mbi 22 miliardë euro, ngrit akoma më tepër shqetësimet për pozicionin e Hashim Thaçit, që është peng i shantazheve politike të agjenturave të huaja apo thjesht njeri i shitur tek Serbia."Në këtë pyetje më së miri është të përgjigjet vetë Hashim Thaçi, e assesi të mos mbeten veprimet e tij objekt i hipotezave dhe të mos pësojë vendi për shkakun e marrëzive të tij politike. Do të ishte mirë për Thaçin, që sa më parë t'ia kthejë shpinën Serbisë nga e cila nuk do të shpëtojë asnjëherë,... e të mbajë anën e popullit zemërgjerë shqiptar, i cili edhe mund ta falë për mëkatet e bëra pa qëllim gjatë katandisje së tij politike", vlerësoi Zeqa. "Pasi presidenti Thaçi duke mbajtur anën e Serbisë është duke dëmtuar vendin dhe qytetarët, ku përveç humbjes së 1/3 së territoreve është duke i privuar qytetarët dhe bizneset nga e drejta e kompensimit për dëmet e luftës, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën "Kosova Sot" nga regjimi gjenocidal serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatë, duke mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që dogji, vrau e shkatërroi në masë pronat e shqiptarëve. Harta e publikuar së fundmi në gazetën franceze "Le monde", në të cilën paraqitet një hartë e Kosovës me kufijtë sipas skenarit Vuçiq-Thaçi dhe sipas të cilës hartë pjesa veriore e Kosovës - Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica, shkojnë në Serbi, ndërsa Kosovës i bashkohen territoret e komunës së Medvegjës dhe Luginës së Preshevës! Gatishmëria e Thaçit për t'ia dhuruar Aleksandër Vuçiqit veriun e Kosovës, përfshirë edhe Mitrovicën veriore dhe Ujmanin, bashkë me këtë edhe dëmet e luftës, nënkupton barrën e shantazhit politik që rëndon mbi supet e tij', tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

BADALLAJ: ÇMENDURIA E KËTIJ MATRAPAZI TË BROJËS, HASHIM THAÇI, NUK KA KUFI Sipas analistit politik Reshat Badallaj, kjo që po ndodh me Hashim Thaçin në këto bisedime është një çmenduri e llojit të vet, por që nuk duhet të lejohet të ndalohet. "Më besoni se çmenduria e këtij matrapazi të Brojës, Hashim Thaçi, që po i thonë president i vendit, nuk ka kufi, se një shpirtshitur i këtij soji t'i japë Serbisë fashiste 1/3 e vendit vetëm e vetëm për interesa personale, më konkretisht se u ka hyrë frika nga Gjykata Speciale dhe me atë ditë merr fund karriera e tij dredharake, pra për të shpëtuar lëkurën e tij. Ky është në zor të madh se e kanë nuhatur nga sahanlëpirësit e tij se me gjasë se do të fillojë punën Gjykata Speciale, andaj ky dilenxhi ngutet për dialogun me hile që miku i tij Aleksandër Vuçiqi të shpëtojë nga litari, pra të heqin dorë nga aktakuza, duke harruar se ky matrapaz ka një sërë veprash kriminale", u shpreh ai. "Vetëm për interesa vetjake të tij, për ndryshe po të shikonte ky matrapaz interesin shtetëror përse kurrë nuk kërkoi dëmet e luftës që Serbia fashiste ka bërë në Kosovë, që nuk janë më pak se 22 miliardë dollarë. Argati serb, Hashim Thaçi, tashmë nuk mund t´i fshehë dallaveret dhe tradhtinë karshi Kosovës me fjalën korrigjim kufijsh se faktori ndërkombëtar, shtetet e fuqishme të botës, njëkohësisht miqtë tanë, e kanë vërejtur me kohë këtë hile, këtë truk dhe këtë tradhti. Më në fund u zbuluan edhe harta të Kosovës se si mendojnë këta banditë ta copëtojnë Kosovën për interesa të tyre personale dhe ne me kohë kemi thënë se qëllimi i Serbisë fashiste është që ta marrë Mitrovicën, pra ta marrë 'Trepçën' pastaj Ujmanin dhe ishim të bindur se Hashimi i Brojës gënjen paturpësisht se Kosova nuk jep asnjë pëllëmbë tokë", tha Badallaj për "Kosova Sot". 

BISLIMI: FILLET E ABUZIMEVE TË HASHIM THAÇIT ME SHTETIN E KOSOVËS E KANË ZANAFILLËN E HERSHME
Sipas politologes Liridonë Bislimi, fillet e abuzimeve të Hashim Thaçit me shtetin e Kosovës e kanë zanafillën e hershme, por nuk janë hetuar në masën që po shihet tani."Kur kishin mbetur vetëm dy ditë para se Kosova t'i mbushte katër vjet shtet, kryeministri i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi, i ishte adresuar kabinetit qeveritar për të dhënë disa mesazhe të forta. Mesazhe dhe zotime, njëkohësisht. Më 15 shkurt të vitit 2012 kaluar Thaçi kishte deklaruar se kurrë nuk do të flitet me Beogradin për veriun. E një vit pas këtij deklarimi, kryeministri Thaçi ka harruar zotimin edhe në kontekst të dialogut për veriun. Prej muajsh vetë kishte nisur të zhvillojë takime me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ndërsa në raundin e fundit që kishte përfunduar, në tryezën e dialogut ishte shtruar pikërisht çështja e veriut, e cila që nga ajo kohë e deri tani nuk është e diskutuar me qytetarët e komunave veriore, sikur kishte premtuar, por me homologun e tij serb", potencoi ajo. "Dhe abuzimin e tij presidenti e vazhdon ta dëshmojë më tutje. Me gjithë dëmin e madh të bërë tashmë në "dialog", Thaçi është i vendosur që si "kryenegociator" ta mbrojë veten nga Gjykata Speciale deri te qytetari i fundit i vendit dhe centi i fundit i pa shpërdorur të parasë publike. Modeli që Hashim Thaçi ofron për negociatat e ardhme është po i njëjti si deri më sot: jo kompetencë, jo transparencë dhe abuzim. Nuk i duhet Kosovës në asnjë çast dhe në asnjë rrethanë që të jetë Hashim Thaçi president", vijoi më tej Bislimi për "Kosova Sot". "Kemi parë një ministër tërësisht të dështuar sa i përket politikës së jashtme, dështime të njëpasnjëshme dhe vetëm në Kosovë mund të ketë raste të tilla kur një person i dështuar të gradohet dhe të marrë pozicione më të mëdha. Frika personale e Thaçit nuk ka nevojë të jetë ajo e Kosovës. Dhe kjo marrëveshje nuk mund të jetë pazari i radhës i Hashim Thaçit, të cilin duhet ta paguajnë gjeneratat e ardhshme me para, mund e gjak", tha Liridonë Bislimi për "Kosova Sot"

DY ALIBITË E "AGJENTIT" THAÇI
"Thaçi ka dy alibi të forta, ligjore: një të institucioneve të Serbisë, që e kanë angazhuar Hashimin si spiun e marionetë dhe e kanë penetruar në UÇK për ta sabotuar e komplotuar, tjetrën nga DGSEja franceze, e cila mund të ofrojë prova që e ka angazhuar për t'u informuar e për ta komplotuar UÇK-në terroriste, siç diskualifikonte atëherë Franca, e cila në Aleancën NATO ishte pothuajse vetëm vëzhguese, për ta spiunuar e komplotuar nga brenda. Pra, kemi raporte tepër të ngatërruara edhe në mes të shteteve anëtare të NATO-s, meqë disa prej tyre duan partneritet vazalistë me Rusinë... Fatkeqësisht deri tani asnjë institucion i Kosovës, as Qeveria, as Presidenti, nuk kanë paraqitur kërkesë për kompensim të dëmeve të luftës nga Serbia. Kjo është edhe një dëshmi më shumë se pushtetarët 'tanë' janë marioneta e kuislingë të Beogradit", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot".

Politika e mbrapshtë po e amniston gjenocidin e Serbisë
Qytetarët e anketuar nga gazeta e kanë akuzuar gjithë spektrin politik të pasluftës, veçmas këta që qeverisën vendin pas shpalljes së pavarësisë dhe këta që po qeverisin tani, se kanë bërë një lëshim të pafalshëm një amnisti të krimeve të Serbisë dhe kanë shkuar aq larg sa të flasin për kompromis me territore në dëm të Kosovës. Qytetari Hetem Maqedonci thotë se kulmi i injorimit të krimeve të luftës që ka bërë Serbia në Kosovë dhe mos diskutimi i tyre në takimet e deritanishme në Bruksel, arrin edhe me vendimin e fundit të qeverisë për mbylljen e Institutit për Dokumentimin dhe Mbledhjen e të Dhënave për Krimet e Luftës. "Po nisem nga i madhi Hasan Prishtina, i cili na e ka lënë një fjalë, të cilën duhet ta zëmë në gojë gjatë shënimit të çdo ditëlindje të tij dhe në çdo tubim tjetër memorial e  që thotë se shurdhmemeci në terrerrësirë nuk dëgjon. Kështu që mua tani po më dhimbset në shpirt edhe profesor Ismet Salihu, i cili tregoi mbrëmë për mediet tona se është mbyllur edhe Instituti për Krimet e Luftës. A ka më marri se ky veprim, pra pse nuk duhet të jetë aktiv ky institut, i cili duhet të jetë në funksion të vazhdimit të mbledhjes dhe të ruajtjes, të dokumentimit në vazhdimësi të krimeve të luftës nga ana e Serbisë", u shpreh ai."Edhe mua më është masakruar vëllai më 24 mars në afërsi të BBC-së, në trupin e të cilit në çdo 10-15 cm e ka pasur të vizatuar shenjën me 4 S, e Serbisë, një sy krejtësisht të nxjerrë, me tetë plumba i goditur në gjoks. Të gjithë jemi të lënduar, Kosova ka dhënë shumë viktima në këtë luftë dhe këta po e amnistojnë krimin për interesat e tyre individuale. Ky është edhe një krim mbi krimin që ka bërë vetë regjimi serb", tha Hetem Maqedonci. Kështu mendon edhe qytetari Reshat Salihu."Delegacioni ynë nuk është dashur të shkojë fare në bisedime pa e detyruar Serbinë që në fillim ta pranojë fajësinë e luftës, ta pranojë fajin për krimet që ka bërë në Kosovë, të kërkojë falje për këto krime dhe për viktimat që kanë rënë dhe të marrë obligim me garanci ndërkombëtare për t'i kompensuar ato viktima, por edhe të gjitha llojet tjera të dëmeve të luftës që janë shkaktuar, qoftë ndaj individëve, si qytetarë, por edhe ndaj bizneseve", theksoi ai."Asnjëherë nuk është vonë mendoj unë, kështu që është koha e tanishme e këtij kushtëzimi që Kosova asnjë hap të mos e bëjë tutje në këto bisedime pa e detyruar këtë shtet që t'i pranojë krimet, t'i pranojë dëmet dhe të marrë obligim për kompensimin e tyre, ta njohë edhe shtetin e Kosovës si realitet të dalë nga ajo luftë e përgjakshme dhe vetëm pastaj të gjenden modalitetet e bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve me interes të përbashkët ndërshtetëror dhe ndërfqinjësor", tha Reshat Salihu për "Kosova Sot". Gazetari i ka dërguar pyetje edhe Qeverisë së Kosovës, në emër të Haki Shatrit, këshilltar për ekonomi në Qeverinë e Kosovës, si dhe Muhamet Mustafës nga Instituti "Riinvest", ish-koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin negociator në Vjenë, por nuk ka marrë përgjigje rreth kësaj teme.

(Kosova Sot)