Gazeta serbe: Perëndimi ka ndaluar presionin ndaj Serbisë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës

  • 25 September 2018 - 09:50
Gazeta serbe: Perëndimi ka ndaluar presionin ndaj Serbisë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës

Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk do të ndodhë as në fillim të vitit 2019, pavarësisht dëshirave të bashkësisë ndërkombëtare, shkruan gazeta beogradase.

‘Blic’ mëson nga burimet diplomatike se po pakësohet presioni i vendeve perëndimore për të zgjidhur çështjen e hapur midis Serbisë dhe Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas gazetës, Gjermania dhe Franca nuk po këmbëngulin më që kjo çështje të zgjidhet deri në fund të vitit 2018 ose në fillim të vitit 2019, transmeton lajmi.net.

Arsyeja për tërheqjen e bastit të mëparshëm është se, siç thuhet, Kosova nuk dëshiron të bëjë ndonjë kompromis, ndërsa Serbia dhe presidenti i saj janë pro një kompromisi.

Vendeve më me ndikim iu bë e qartë se Prishtina nuk dëshiron të bëjë koncesion të vogël. Serbia nga ana tjetër, dëshiron të flas dhe siç ka theksuar presidenti Aleksandar Vuçiq është e gatshme për një zgjidhje kompromisi në të cilat të dyja palët do të humbin diçka. Megjithatë, vullneti i mirë vetëm nga njëra palë nuk është i mjaftueshëm, thekson gazeta.

Tutje, siç thuhet në tekst, si problem rezulton që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka mbështetjen në elektoratin e tij sa ka Vuçiq në Serbinë qendrore, dhe për këtë arsye nuk do të guxojë të dal me ndonjë vendim konkret dhe vazhdimisht refuzon të pajtohet me krijimin e Asociacionit.

(Kosova Sot)