ZEQA: PRESIDENTI THAÇI DUKE MBAJTUR ANËN E SERBISË ËSHTË DUKE DËMTUAR VENDIN DHE QYTETARËT

  • 25 September 2018 - 12:13
ZEQA: PRESIDENTI THAÇI DUKE MBAJTUR ANËN E SERBISË ËSHTË DUKE DËMTUAR VENDIN DHE QYTETARËT
Sipas analistit politik Florim Zeqa, ngutja e presidentit Hashim Thaçi, që sa më parë dhe me çdo kusht të përfundojë dialogun me Serbinë, për t'ia dhuruar kësaj të fundit gati 1/3 e territorit të Kosovës, pa e shtruar asnjëherë si temë debati në dialogun e Brukselit as personat e zhdukur dhe kompensimin e dëmeve të luftës, të cilat llogaritet të jenë mbi 22 miliardë euro, ngrit akoma më tepër shqetësimet për pozicionin e Hashim Thaçit, që është peng i shantazheve politike të agjenturave të huaja apo thjesht njeri i shitur tek Serbia."Në këtë pyetje më së miri është të përgjigjet vetë Hashim Thaçi, e assesi të mos mbeten veprimet e tij objekt i hipotezave dhe të mos pësojë vendi për shkakun e marrëzive të tij politike. Do të ishte mirë për Thaçin, që sa më parë t'ia kthejë shpinën Serbisë nga e cila nuk do të shpëtojë asnjëherë,... e të mbajë anën e popullit zemërgjerë shqiptar, i cili edhe mund ta falë për mëkatet e bëra pa qëllim gjatë katandisje së tij politike", vlerësoi Zeqa. "Pasi presidenti Thaçi duke mbajtur anën e Serbisë është duke dëmtuar vendin dhe qytetarët, ku përveç humbjes së 1/3 së territoreve është duke i privuar qytetarët dhe bizneset nga e drejta e kompensimit për dëmet e luftës, përfshirë edhe shtypshkronjën dhe gazetën "Kosova Sot" nga regjimi gjenocidal serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatë, duke mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që dogji, vrau e shkatërroi në masë pronat e shqiptarëve. Harta e publikuar së fundmi në gazetën franceze "Le monde", në të cilën paraqitet një hartë e Kosovës me kufijtë sipas skenarit Vuçiq-Thaçi dhe sipas të cilës hartë pjesa veriore e Kosovës - Leposaviqi, Zveçani, Zubin Potoku dhe Mitrovica, shkojnë në Serbi, ndërsa Kosovës i bashkohen territoret e komunës së Medvegjës dhe Luginës së Preshevës! Gatishmëria e Thaçit për t'ia dhuruar Aleksandër Vuçiqit veriun e Kosovës, përfshirë edhe Mitrovicën veriore dhe Ujmanin, bashkë me këtë edhe dëmet e luftës, nënkupton barrën e shantazhit politik që rëndon mbi supet e tij', tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".