E dhimbshme: Studenti i Fakultetit të Mjekësisë ndërron jetë disa momente para se të futet në provim

  • 25 September 2018 - 12:59
E dhimbshme: Studenti i Fakultetit të Mjekësisë ndërron jetë disa momente para se të futet në provim

Të hënën pasdite ka ndërruar jetë studenti i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, L.GJ., 23-vjeçar nga Suhareka.

Vdekjen e 23-vjeçarit L.GJ. e ka konfirmuar drejtoresha e klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Myrvete Paçarada. Në një prononcim për Insajderin, Paçarada ka thënë se studenti 23-vjeçar kishte pësuar atak kardiak disa momente para se të futej në provim tek lënda e Gjinekologjisë.

Paçarada ka thënë se studenti nga Suhareka ndërroi jetë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, pas rreth dhjetë orësh trajtim nga mjekët.

“Tërë pasditen ka qëndru në repartin e Kardiologjisë, ata kanë punu rreth 10 orë pasi ka ardhur deri te pëlcitja e aortës abdominale”, ka thënë Paqarada për Insajderin.
Për ndarjen nga jeta të studentit L.GJ kanë reaguar edhe të afërm dhe miq të 23-vjeçarit L.GJ.

Mësimdhënësja nga Suhareka, Edona Morina-Bytyqi, e cila e kishte pasur nxënës 23-vjeçarin në shkollë të mesme, ka thënë se L.GJ. ishte djali i vetëm i familjes.

“Sot mora një lajm shumë trishtues e të dhimbshëm për ikjen nga kjo botë të një lule të rinisë ish-nxënësi im L.GJ, djalë i vetëm i familjes ,student shembullor i Fakultetit të Mjeksisë”, ka thënë ish-mësimdhënësja e 23-vjeçarit.

(Kosova Sot)