BISLIMI: FILLET E ABUZIMEVE TË HASHIM THAÇIT ME SHTETIN E KOSOVËS E KANË ZANAFILLËN E HERSHME

  • 25 September 2018 - 14:25
BISLIMI: FILLET E ABUZIMEVE TË HASHIM THAÇIT ME SHTETIN E KOSOVËS E KANË ZANAFILLËN E HERSHME
Sipas politologes Liridonë Bislimi, fillet e abuzimeve të Hashim Thaçit me shtetin e Kosovës e kanë zanafillën e hershme, por nuk janë hetuar në masën që po shihet tani."Kur kishin mbetur vetëm dy ditë para se Kosova t'i mbushte katër vjet shtet, kryeministri i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi, i ishte adresuar kabinetit qeveritar për të dhënë disa mesazhe të forta. Mesazhe dhe zotime, njëkohësisht. Më 15 shkurt të vitit 2012 kaluar Thaçi kishte deklaruar se kurrë nuk do të flitet me Beogradin për veriun. E një vit pas këtij deklarimi, kryeministri Thaçi ka harruar zotimin edhe në kontekst të dialogut për veriun. Prej muajsh vetë kishte nisur të zhvillojë takime me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, ndërsa në raundin e fundit që kishte përfunduar, në tryezën e dialogut ishte shtruar pikërisht çështja e veriut, e cila që nga ajo kohë e deri tani nuk është e diskutuar me qytetarët e komunave veriore, sikur kishte premtuar, por me homologun e tij serb", potencoi ajo. "Dhe abuzimin e tij presidenti e vazhdon ta dëshmojë më tutje. Me gjithë dëmin e madh të bërë tashmë në "dialog", Thaçi është i vendosur që si "kryenegociator" ta mbrojë veten nga Gjykata Speciale deri te qytetari i fundit i vendit dhe centi i fundit i pa shpërdorur të parasë publike. Modeli që Hashim Thaçi ofron për negociatat e ardhme është po i njëjti si deri më sot: jo kompetencë, jo transparencë dhe abuzim. Nuk i duhet Kosovës në asnjë çast dhe në asnjë rrethanë që të jetë Hashim Thaçi president", vijoi më tej Bislimi për "Kosova Sot". "Kemi parë një ministër tërësisht të dështuar sa i përket politikës së jashtme, dështime të njëpasnjëshme dhe vetëm në Kosovë mund të ketë raste të tilla kur një person i dështuar të gradohet dhe të marrë pozicione më të mëdha. Frika personale e Thaçit nuk ka nevojë të jetë ajo e Kosovës. Dhe kjo marrëveshje nuk mund të jetë pazari i radhës i Hashim Thaçit, të cilin duhet ta paguajnë gjeneratat e ardhshme me para, mund e gjak", tha Liridonë Bislimi për "Kosova Sot".