Krasniqi: Liderët e Kosovës të papjekur politikisht

  • 25 September 2018 - 16:41
Krasniqi: Liderët e Kosovës të papjekur politikisht

Hulumtuesja nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Jeta Krasniqi, përmes një shkrimi në profilin e saj në Facebook ka thënë se nuk është e çartë se çfarë qëndrimi po shpalosin anëtarët e delegacionit shtetëror të Kosovës, në krye me Presidentin Hashim Thaç dhe në përbërje me Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë vizitës së tyre në Nju Jork.

Krasniqi ka shkruar se nuk dihet se për çfarë versioni të shtetit të Kosovës janë duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare dhe se a është Kosova pro apo kundër korrigjimit/ndryshimit të kufijve.

“Jam kuroize të dijë se çfarë qëndrimi janë duke shpalosur anëtarët e delegacionit shtetëror të Kosovës, në krye me Presidentin Thaçi dhe në përbërje me Kryeministrin Haradinaj, gjatë punimeve të UNGA-së në NY.

Për çfarë verzioni të shtetit të Kosovës janë duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare? A është Kosova ‘pro’ apo ‘kundër’ korrigjimit të kufinjve/ndryshimin të kufinjve si pjesë e një marrëveshjeje eventuale në mes Kosovës dhe Serbisë? A po kërkohet mbështetje ndërkombëtare për këtë opsion nga Presidenti Thaçi? Dhe a po kërkon Kryeministri Haradinaj mbështetje ndërkombëtare kundër këtij opsioni? Cili pra është qëndrimi zyrtar i shtetit të Kosovës në këto takime rreth zgjidhjes potenciale të pranueshme për Kosovën në dialogun me Serbinë”, ka shkruar Krasniqi

Ajo tutje ka thënë se mungesa e koordinimit në mes institucioneve të vendit arrin nivele të paprecedentë, kur liderët shtetërorë sillen si të pavarur ndaj njëri-tjetrit në artikulimin dhe promovimin e qëndrimeve të tyre rreth të ardhmes së Kosovës.

Sipas Krasniqit, kjo mos konsistencë e qëndrimeve të liderëve të Kosovës ndër te tjera flet për mungesën e pjekurisë politike me anë të së cilës është duke u menaxhuar politika e brendshme dhe e jashtme e Kosovës.

 

(Kosova Sot)