Vullkani i fjetur islandez kërcënon tërë Evropën veriore

  • 25 September 2018 - 17:35
Vullkani i fjetur islandez kërcënon tërë Evropën veriore

Thellë nën akullnajat e Islandës, gjendet një gjigant kataklizmik. I njohur nga banorët lokalë si 'magjistari e ligë', ky vullkan, sipas ekspertëve, rrezikon tërë Evropën veriore. Ata kanë frikë se, nëse shpërthen vullkani "Katla", efektet shkatërrimtare të tij do të jenë tepër më të mëdha sesa ato të vullkanit "Eyjafjallajokull", i cili shpërtheu në vitin 2010, duke liruar një re të hirit, e cila bëri që të anuloheshin më shumë se 100,000 fluturime, transmeton gazeta 'Kosova Sot Online'.

 

Dielli dukej sikur të ishte i larë në gjak

Ky ishte dështimi më i madh i aviacionit civil që nga Lufta e Dytë Botërore. Këto parashikime katastrofike bazohen në një shpërthim të ngjashëm nga sistemi vullkanik Laki, 30 milje në veri të Katlas, në vitin 1783. Ai shpërthim kishte vrarë një të pestën e popullsisë së Islandës dhe kishte krijuar një re e cila me muaj të tërë kishte zënë rrezet e diellit në Hemisferën veriore, duke bërë që temperatura të binte për 3 shkallë celsius. Për shkak të erës, me miliona tonelata të dyoksidit vdekjeprurës sulfurik dhe acidit sulfurik kaluan rreth 1,000 milje nëpër oqean, për të mbërritur në Britani. Në Britani, rreth 23,000 njerëz vdiqën nga helmimi dhe temperaturat e ulëta. Lajmet e kohës tregojnë se mjegulla ishte aq e dendur, saqë anijet nuk mund të dilnin nga portet, derisa dielli dukej sikur të ishte i larë në gjak. 

 

Edhe akujt e shkrirë liruan sasi të mëdha të ujit

Hera e kaluar kur shpërtheu 'Katla' ishte 100 vjet më parë, kur hodhi në qiell pesë herë më shumë hi, sesa që hodhi vullkani 'Eyjafjallajokull' në vitin 2010. Edhe akujt e shkrirë liruan sasi të mëdha të ujit, baltës dhe ajsbergëve. Njëri ndër shqetësimet më të mëdha, është se koha e shpërthimit të këtij vullkani tanimë ka kaluar. Derisa të dhënat tregojnë se vullkani 'Katla' shpërthen një herë në 60 vjet, tani ka më shumë se një shekull që ai ka qenë i qetë. Ky lajm është shqetësues meqë, sa më shumë që të vonohet erupsioni, aq më i fuqishëm pritet të jetë ai. 

 

(Kosova Sot)