Është zbuluar një plan revolucionar I HUMBJES NË PESHË

  • 25 September 2018 - 19:01
Është zbuluar një plan revolucionar I HUMBJES NË PESHË

Pacientët me mbipeshë do të mund të humbin 30 a më shumë kile për gjashtë muaj, falë një procedure pioniere, e cila përfshin tkurrjen e lukthit me anë të qepjeve. Kjo procedurë nuk përfshin prerje, pra nuk përdoret brisku, nuk ka vraga dhe, pacienti mund t'i kthehet punës brenda pak ditësh. Pasi që barku zvogëlohet për rreth 2/3 deri në ¾ pas kësaj procedure, pacientët ngopen më shpejt dhe apetiti i tyre zvogëlohet. Dhe, pacientëve iu tërhiqet vërejtja se, nëse e teprojnë me ushqim, atëherë qepjet delikate do të shkëputen dhe lukthi do të kthehet në madhësinë e tyre origjinale. Meqë suksesi i operacionit varet pjesërisht nga kontrolli psikologjik të cilin e ushtron pacienti ndaj shtytjes për të ngrënë, në aspektin afatgjatë kjo metodë mund të jetë më e suksesshme sesa metodat tjera invazive, thonë kirurgët, transmetin gazeta"Kosova Sot Online".

 

Lukthi pushon së sekretuari substancat kimike esenciale

Studimi sugjeron se pjesa më e madhe e pacientëve që i nënshtrohen kësaj procedure humbin dhe nuk rikthejnë më të paktën 60% të peshës së tyre të tepërt. Rezultatet e kësaj metode mund të krahasohen me njërin prej operacioneve më drastike për humbje në peshë, gjatë së cilës lukthi prehet dhe qepet ashtu që shndërrohet në një gyp. Kjo e zvogëlon vëllimin e lukthit, por operacioni është i pakthyeshëm. Në dhjetë për qind të këtyre rasteve lukthi pushon së sekretuari substancat kimike esenciale për absorbimin e vitaminës B12. Kjo çon deri te anemia, e cila nga ana e saj shkakton lodhje të madhe, paaftësi për t'u ngopur me frymë dhe probleme tjera. Pacientët që ballafaqohen me këto probleme duhet të marrin suplemente të vitaminave, apo të marrin injeksione gjatë tërë jetës. Me operacionin e ri, të njohur si gastroplastikë endoskopike si mëngë (ESG), lukthi nuk prehet dhe nuk largohet, prandaj ky komplikim është evituar. Jamie Kelly, njëri nga kirurgët që ofron operacionin për pacientët e përzgjedhur privatë dhe shtetërorë, thotë: 'Kemi parë një humbje të peshës së tepërt deri në 70% te tetë nga dhjetë pacientë, brenda gjashtë deri nëntë muajve të parë. Pas periudhës 2 vjeçe, shohim se shumica e pacientëve ende vazhdojnë me këtë metodë'. Procedurat tjera të kthyeshme për humbjen e peshës përfshijnë shiritin gastrik, në të cilën implantohet një unazë që fryhet, duke u vendosur rreth lukthit; si dhe balonat që fryhen, të cilët futen në lukth dhe bëjnë që pacienti të ndihet i ngopur. 'Një shirit gastrik jep midis 50 dhe 60% të peshës së tepërt të humbur, për dy vjet. Balonat rezultojnë me rreth 20 deri 30% të peshës së tepërt, të humbur, por balonat hiqen pas një viti dhe rreth 90% të pacientëve rikthejnë kilet e humbura, thotë dr Kelly. 

Pajisjet mekanike

Sikur edhe të gjitha operacionet e tjera për humbje të kileve të tepërta, ESG nuk është efikase te rreth 20% të pacientëve. 'Te ESG, nëse pacienti vazhdimisht ha tej mase, qepjet do të shkëputen dhe barku kthehet në madhësinë normale', thotë Kelly. Gjatë procedurës që zgjatë një orë dhe që bëhet me anestezi të përgjithshme, kirurgu futë një kamerë dhe instrumentet me anë të gypave të gjatë nëpërmes gojës, deri te lukthi. Pajisjet mekanike përdoren për të kapur pjesë të murit të lukthit dhe për të bërë qepje nëpërmes murit. Pacientët mbahen në spital gjatë natës dhe iu jepen ilaçe kundër vjelljes. 'Çdo mundim dhe dhembje e barkut duhet të pushojë pas rreth 24 orësh' thotë Kelly. 'Qepjet bëhen me material të najlonit, që nuk shkrihet. Shpesh pacientët vijnë për ta bërë këtë metodë, pasi që thonë se, kanë provuar pa sukses shumë metoda tjera. Shpresojmë që suksesi i metodës ESG do të bëjë që pacientët që vijnë në një stad më të hershëm, para se, si pasojë e mbipeshës, ata të preken nga shtypja e gjakut, diabeti dhe sëmundje të tjera, që lidhen me mbipeshë". Kostoja aktuale e këtij operacioni është rreth 10,000 funte. 

 

(Kosova Sot)