West Point e kishte pritur në mënyrë madhështore Atifete Jahjagën para Haradinajt

  • 25 September 2018 - 23:23
West Point e kishte pritur në mënyrë madhështore Atifete Jahjagën para Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot është pritur në akademinë e njohur ushtarake amerikane “West Point”.

Pritja që iu bë Haradinajt nga ushtarakët amerikanë në Nju-Jork u cilësua “e jashtëzakonshme” nga këshilltarët e tij, të cilët vlerësuan se ai u prit si “hero” atje.

Por, e vërteta është se kjo s’është hera e parë që një pritje madhështore i bëhet një udhëheqësi të Kosovës nga kjo akademi.

Pritje në mënyrë të tillë i është rezervuar edhe Atifete Jahjagës, vite më parë, gjatë kohës kur ajo ishte presidente e Kosovës.

Qindra ushtarakë e kadetë të ushtrisë amerikane e kishin pritur Jahjagën në “West Point”.

Këtë e dëshmon edhe një fotografi që është realizuar asokohe, ku Jahjaga shihet duke i përshëndetur nga një ballkon ushtarakët që ndodheshin në sallë.

Sot, në "West Point", nga nikoqiri, gjeneral lejtnant Darryl A. Williams, Haradinaj pranoi një dhuratë me simbolet e "West Point" - ndërkaq shefi i ekzekutivit kosvar e nderoi Williamsin me medaljen e Skënderbeut.

Sipas një njoftimi nga Qeveria, Haradinaj falënderoi Gjeneralin Williams për pritjen dhe për ndihmën që është duke e dhënë kjo Akademi për ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes ofrimit të studimeve për kadetët kosovarë, e që aktualisht këtë Akademi janë duke u shkolluar dy kadetë të FSK-së, Arnela Shala dhe Ylli Dalladaku.

Ndër të tjerash, Kryeministri Haradinaj, duke folur para përfaqësuesve të “West Point Academy”, për transformimin e FSK-së në ushtri, tha se Kosova është e gatshme që ta ketë ushtrinë, e cila do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në vend dhe më gjerë, bën të ditur njoftimi.

"Gjeneral Lejtnant Darryl A. Williams, pasi falënderoi Kryeministrin Haradinaj për vizitën, tha se Kosova do ta ketë mbështetjen e parezervë të këtij institucioni përmes ofrimit të trajnimeve dhe studimeve ushtarake për pjesëtarët e FSK-së", thuhet në njoftim.

 

 

(Kosova Sot)