"Drejtësia 2020", akti mashtrues I RADHËS I KLANIT "PRONTO"

  • 26 September 2018 - 07:28
Kelmendi: Krimi dhe korrupsioni po lulëzojnë 

"'Drejtësia 2020' është vetëm seriali i fundit dhe vazhdimësi e 'Pronto' drejtësisë, ku organet e drejtësisë nuk e zbatojnë ligjin, por i zbatojnë urdhrat e bosëve politikë, që në fakt janë edhe bosët e mafisë. Ajo çka thotë ministri i Drejtësisë është vetëm blerje kohe për mafinë institucionale dhe asgjë më shumë", thotë analisti Naim Miftari për "Kosova Sot"

Fushata e tanishme e Qeverisë së Kosovës, kinse në emër të fuqizimit të sundimit të ligjit dhe reformave në sistem, që ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, po e quan "Drejtësia 2020", sipas ekspertëve të kësaj fushe, nuk është gjë tjetër, veçse një mashtrim i radhës dhe kamuflim para qytetarëve se kinse është duke u bërë ndonjë reformë në drejtësi. Njohësit e kësaj fushe theksojnë se reformë nuk mund të ketë, as që të paramendohet, pa pastrimin e Gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë e politikës, por vetëm sa do t'u zgjatet agonia qytetarëve nga padrejtësitë në sistemin e drejtësisë, derisa do të vazhdojmë të mbetemi akoma shtet i krimit të organizuar, ku nëntoka kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar qëndrojnë mbi ligjin. Njohës të kësaj fushe theksojnë se është pikërisht mungesa e sundimit të ligjit që po ua mundëson pushtetarëve që të vjedhin pa problem shtetin dhe qytetarët, kur e dinë se janë të sigurt se nuk i ndjek askush.  

Drejtësia selektive
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, i ka thënë gazetës se Kosova si Republikë parlamentare nuk vuan për ligjet dhe as për mjetet me të cilat po vepron Gjyqësori, Prokuroria dhe Policia, por është problem që ligjet dhe Kushtetuta nuk zbatohen, prandaj nuk funksionon sistemi i drejtësisë. Ai shton se kot është që me ngritje pagash shpërblehen shërbyesit e papërgjegjshëm në sistemin e drejtësisë. "Në fakt, të ardhurat personale të Gjyqësorit, përkatësisht të tërë sistemit të drejtësisë, janë shumë më të larta se kudo tjetër. Ligjet në Kosovë janë shume adekuate dhe natyrisht shumë praktike për të luftuar krimin dhe korrupsionin politik, ekonomik dhe shoqëror, por ato ligje nuk zbatohen. Në të tri këto fusha ka krim të lartë. E, mbi të gjitha, ky korrupsion dhe krim, madje i përmasave të larta, është në sistemin e drejtësisë. Ndërsa, masat e ministrit të Drejtësisë, me disa norma plotësuese juridike, nuk e luftojnë në mënyre adekuate krimin dhe korrupsionin, oligarkët mafiozë në ekonomi etj", u shpreh ai. "Është vetëm formë e z. Abelard Tahiri, se është duke u përmirësuar sistemi i drejtësisë. Drejtësia në Kosovë është shumë selektive dhe varet nga pozita politike dhe ekonomik, nga niveli i pozitës që gëzon në pushtet dhe pasurinë që e ka. Le të gjejë z. Tahiri vetëm një ministër, zëvendësministër, oligark a deputet, nga Presidenca, deri te kryetarët e komunave dhe të asambleve që është dënuar për krim dhe korrupsion. Kemi akuza por asnjë dënim të plotfuqishëm, ose disa vendime, kot së koti, që në fakt është çështje qesharake, e krimi dhe korrupsioni po lulëzojnë", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

KAPITI: NË KOSOVË NUK SUNDON AS LIGJI, AS DREJTËSIA DHE AS SHTETI DEMOKRATIK
Ndërsa, analisti dhe eksperti tjetër i kësaj fushe, Skënder Kapiti, tha për "Kosova Sot" se sikurse në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, nuk sundon as ligji, as drejtësia dhe as shteti demokratik, sepse aparati shtetëror, të gjitha pushtetet, institucionet e tij janë kapur nga interesat private të politikës, të parive të partive politike, të pushtetit, të drejtësisë dhe të atyre që kanë marrë e rrëmbyer poste publike e shtetërore. "Një gjendje e tillë ka shkatërruar potencialet dhe kapacitetet e luftës kundër krimit të organizuar, vjedhjes dhe korrupsionit. Kjo gjendje e rëndë është shumë e vështirë, gati e pamundur për t'u kapërcyer. Kjo, sepse forcimin, sundimin dhe kthimin e besimit te ligji, te drejtësia, te demokracia nuk e bëjnë me këto institucione shtetërore të kapura nga krimi e korrupsioni. Pra, drejtësia dhe ligji në Kosovë tashmë nuk janë problem për institucionet e shtetit, por atyre ndryshimi u vjen vetëm po qe se transformohet dhe reformohet shoqëria", shpjegoi Kapiti. "Shoqëria transformohet së pari duke u edukuar juridikisht, politikisht dhe demokrarikisht, si dhe duke marrë guximin politik e demokratik për të vepruar kundër kësaj elite politike, duke e ndëshkuar dhe duke e dëbuar atë nga politika dhe nga pushteti. Shoqëria fillon të transformohet vetëm atëherë kur ajo vepron aktivisht me protesta të pandërprera dhe në emër të drejtësisë dhe kundër krimit e korrupsionit shtetëror e institucional", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

MIFTARI: ORGANET E DREJTËSISË NUK E ZBATOJNË LIGJIN, POR I ZBATOJNË URDHRAT E BOSËVE POLITIKË
Sipas njohësit të kësaj fushe, Naim Miftari, edhe kjo fushatë e ministrit Tahiri është vetëm një kamuflazh i radhës."'Drejtësia 2020' është vetëm seriali i fundit dhe vazhdimësi e 'Pronto' drejtësisë, ku organet e drejtësisë nuk e zbatojnë ligjin, por i zbatojnë urdhrat e bosëve politikë, që në fakt janë edhe bosët e mafisë. Ajo çka thotë ministri i Drejtësisë është vetëm blerje kohe për mafinë institucionale dhe asgjë më shumë", u shpreh ai. Sipas Miftarit, dihet shumë mirë se ministri i Drejtësisë kë e përfaqëson zyrtarisht, por edhe vartës i kujt është."Dhe, tani, duke e ditur se PDK-ja është fajtorja kryesore, bashkë me LDK-në, për politizimin e organeve të drejtësisë, Prokurorisë dhe gjyqësisë, por edhe Policisë dhe Inteligjencës. Personalisht, nuk pres përmirësim, vetëm vazhdim të trendit të keq negativ të organeve të drejtësisë dhe nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim radikal i gjendjes, ndoshta edhe ndonjë revoltë popullore ose ndoshta ambasadori i ri do të jetë më i vendosur në sundimin e ligjit dhe ndoshta vepron edhe me sjelljen e një VETTING-u shpëtimtar për Kosovën", theksoi Miftari. "Një tjetër mundësi nuk po e shoh për përmirësim të këtij sistemi me një kastë politikanësh të korruptuar. Përkundrazi, gjendja do të shkojë akoma duke u keqësuar, nëse nuk ndërmerren masa, pasi këta politikanë e pushtetarë po sillen si të ishin skllavopronarët tanë, e ne qytetarët e thjeshtë skllevërit e tyre", vijoi më tej ai. "Kur gënjejnë kryetari i shtetit, kryeministri, pse mos të na gënjejë edhe Abelard Tahiri, ministri i Drejtësisë, i cili dihet se kukull e kujt është, edhe pse është ministër i Drejtësisë", tha Naim Miftari për "Kosova Sot" 

Kamuflim para qytetarëve Kamuflim dhe improvizim e quan projektin "Drejtësia 2020", të cilën po e lanson ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe analisti politik Bislim Aliu. "Është vetëm edhe një mashtrim i radhës dhe një kamuflim i madh para qytetarëve, se kinse është duke u bërë, para qytetarëve një reformë në drejtësi. Andaj, lirisht mund të themi se pa pastrimin radikal të Gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë e politikës nuk do të ketë asnjëherë drejtësi, vetëm sa do t'u zgjatet agonia e qytetarëve nga padrejtësitë e shumta në sistemin e drejtësisë", u shpreh ai. "Dhe, kështu, edhe më tej do të vazhdojmë të mbetemi shtet i krimit të organizuar, ku gjithnjë, nëntoka kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar do të mbetën përherë mbi ligjin?! Dhe, për këtë, pikërisht mungesa e sundimit të ligjit, që po ua mundëson pushtetarëve, që edhe më tej të zhvatin e të vjedhin pa problem shtetin dhe qytetarët e saj, ku ata e dinë lirisht dhe janë të sigurt, se nuk do t'i ndjekë për parregullsi askush",tha Aliu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)