Çfarë do të ndodhë sot në Kosovë?

  • 26 September 2018 - 08:42
Çfarë do të ndodhë sot në Kosovë?

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), si anëtare e Grupit të Bankës Botërore, nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për “Programin për zgjidhjen e borxheve”. Pas nënshkrimit, Arbëresha Krasniqi, u.d. e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, dhe Damien Shiels, menaxher i Praktikës Globale, Financave, Konkurrueshmërisë & Inovacionit në Bankën Botërore, do t’iu drejtohen medieve. (Objekti i MTI-së, Prishtinë)

 

09:30

Kontingjenti gjerman i KFOR-it i dhuron FSK-së automjete dhe pajisje në vlerë prej 329 mijë euro. (Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë)

09:30

Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë do ta bëjë hapjen e projektit të arsimit me titull “Përkrahja e përafrimit përmes arsimit për demokraci dhe të mësuarit e gjuhëve – FRED”. (Hotel “Swiss Diamond”, Prishtinë)

10:00

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë prezanton projektin “Partneritetet e Bashkimit Evropian, Inovacionit dhe Medieve për aksion, bashkëpunim dhe transformim në Ballkanin Perëndimor”. Merr pjesë dhe Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit Evropian. (Hotel “Sirius”, Prishtinë)

10:00

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Prishtinë mban mbledhjen e katërt. (Ndërtesa e vjetër e Komunës së Prishtinës) ***Ngjarja mbulohet me kamerë nga EO.

10:00

Në kuadër të manifestimit jubilar “20 vjet nga Epopeja e Jezercit”, në patronazhin e Komunës së Ferizajt, mbahet koloni artistike. (Galeria e Arteve, Jezerc)

10:00

Kuvendi Komunal i Rahovecit mban mbledhjen e rregullt. Në rend dite është edhe shqyrtimi dhe aprovimi i propozim-vendimit të Buxhetit si dhe Kornizën Afatmesme të Buxhetit 2019 – 2021. (Kuvendi Komunal, Rahovec)

10:00

Mbahet mbledhja e Kuvendit komunal të Gjakovës. (Ndërtesa e komunës, Gjakovë)

10:00

Kuvendi i Podujevës mban mbledhje të rregullt. (Salla e Kuvendit, Podujevë)

10:30

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mban tryezën e diskutimit me temën “Monitorimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim: Sa po e përmbush detyrën e saj në sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë?” (Hotel “Sirius”, Prishtinë)

10:30

Në kuadër të aktiviteteve të Javës Evropiane Sportive, mbahet ceremonia e hapjes së aktiviteteve të organizuara nga Federata e Sporteve Universitare e Kosovës. Merr pjesë dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. (Palestra “1 Tetori’’, Prishtinë)

11:00

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. (Ndërtesa e Qeverisë, Ish-Rilindja)

11:00

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Komuna e Gjilanit dhe Ambasada e Shqipërisë, organizojnë “Panairin e Gjilanit 2018”. Marrin pjesë zv.kryeministri Fatmir Limaj; kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri; ambasadori Qemal Minxhozi etj. (Qendra e qytetit, Gjilan)

11:00

Organizata “Let’s Do It Kosova” organizon aksion për të pastruar sërish te stadiumi “Fadil Vokrri”.  (Zona te stadiumi “Fadil Vokrri”, Prishtinë)

12:00

Drejtuesit e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK) do të mbajnë konferencë për medie. (Para ndërtesës së Qeverisë, Prishtinë)

12:00

Kryesia e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në bashkëfinancim  me Komunën e Prishtinës inauguron projektin “ Renovimi dhe Pajisja me Inventar e Shkollës Elena Gjika”. (Shkolla “Elena Gjika”, Prishtinë)

13:00

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, viziton kompaninë “NewCo Ferronikeli”. (Drenas)

13:00

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Dukagjin mban protestë. (Pallati i Drejtësisë, Prishtinë)

13:00

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa mban mbledhje; shqyrton përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale dhe propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. (Ndërtesa e Kuvendit, Salla N204)

16:00

Grupi EUNIC në Prishtinë, i cili bashkon përfaqësitë diplomatike dhe qendrat kulturore të Austrisë, Gjermanisë, Francës, Hungarisë, Italisë dhe Luksemburgut, shënon Ditën Evropiane të Gjuhëve. (Qendra Informative dhe Kulturore të BE-së)

17:00

Komuna e Ferizajt organizon manifestimin jubilar  “20 vjet nga epopeja e Jezercit”, me këtë rast mbahet turnir në futboll të vogël. (Palestra e Sporteve, Ferizaj)


(Kosova Sot)