Qarri: Komuna, çerdhe e militantëve dhe kushërinjve

  • 26 September 2018 - 13:19
Qarri: Komuna, çerdhe e militantëve dhe kushërinjve
 Analisti Gani Qarri vlerëson se përditë e më tepër po vërehet qartë se pothuajse të gjitha dikasteret dhe institucionet komunale të kryeqytetit të KosovësPrishtinës, njëjtë si institucionet shtetërore dhe ato qeveritare, më tepër janë bërë çerdhe e rehabilitimit të militantëve politikë dhe shembulli më tipik i mosfunksionimit të shtetit, i parregullsisë dhe abuzimit ligjor, i dembelisë së funksionarëve të Komunës dhe kaosit të përgjithshëm, sa si institucione të pavarura që duhet të udhëheqin me një kryeqytet. "Problemet në rrugë, në shkolla, në administratë, në komunikacion, përfshirë ndërtimet e egra dhe dëmtimet e gjithanshme, të cilat nuk kanë të ndalur, e kanë zhytur Prishtinën aq në kaos të paparë, saqë me të drejtë sot kryeqytetasit pyesin se a ka fare kryeqyteti ynë administratë, inspektorë administrativë, specialistë të urbanizmi e të ndërtimit, si dhe mbi të gjitha a ka fare kryetar vetë Prishtina si kryeqytet i Kosovës. Për aq më tepër, edhe pse ky është mandati i dytë i kryetarit aktual Shpend Ahmeti në qeverisjen e kryeqytetit, mbetet shumë për të dëshiruar dhe tejet dëshpërues fakti se çka në realitet është duke bërë ky ekzekutiv, totalisht i paaftë në adresimin e problemeve kaq të mëdha të grumbulluara tash e sa kohë,me të cilat më së tepërmi ballafaqohen për çdo ditë vetë qytetarët e Prishtinës", u shpreh ai. "Megjithëse asgjë nuk funksionon si duhet në kryeqytet, kryetari vetë-falënderues i Prishtinës, përveç postimeve me dekor të zgjedhur në "Facebook", koncerteve dhe argëtimit deri në orët e vona të mbrëmjes, qoftë nëpër lokale të natës, apo në jahte të mafio-oligarkëve, si dhe pazareve me mafio-oligarkët për toka komunale, nuk bën as edhe një veprim më të voglin për të përmirësuar njëmend jetën e banorëve në kryeqytet", potencoi analisti Gani Qarri.

(Kosova Sot)