Koci: Apeli kthen në rigjykim rastin e HIB Petrol

  • 26 September 2018 - 15:09
Koci: Apeli kthen në rigjykim rastin e HIB Petrol

Ankesa e avokatit, Arianit Koci në Gjykatën e Apelit ndaj aktgjykimit të shpallur të Gjykatës Themelore të Prishtinës, që dënoi me burg pronarin e HIB Petrol, Kujtim Bucaliu është aprovuar nga shkalla e dytë. Derisa, është hedhur poshtë aktgjykimi i Themelores.

Gjykata Themelore e Prishtinës pati shpallur fajtor pronarin Kujtim Bucaliu, përfaqësues i HIB Petrol me dënim unik, prej 4 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë euro.

Avokati Arianit Koci, është ankuar në Gjykatën e Apelit për dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë, dhe tani u bë e ditur se shkalla e dytë e ktheu në rigjykim rastin.

Koci ka bërë të ditur në Facebook se çështja penale i është kthyer Gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje, kështu aktgjykimi me të cilin Bucaliu dënua për mashtrim të Komunës së Prishtinës me naftë jocilësore, u rrëzua.

Koci, ndër tjerash ka thënë se nuk e ka pasur as dilemën më të vogël se ky aktgjykim do të anulohet.

“Padrejtësia ndaj HIB është korrigjuar në shkallë të dytë”, ka shkruar avokati Koci.

Gjykata Themelore e Prishtinës pati dënuar edhe përfaqësuesin juridik të HIB Petrol shpk, Shkelzen Hetajt me dënim unik me gjobë në vlerën prej 30 mijë euro.

Shkalla e parë në maj të këtij viti, gjithashtu pati vendosur që të konfiskohet edhe autoboti për naftë pronë e kompanisë HIB Petrol shpk që furnizoi me naftë jocilësore.

Me anë të këtyre veprimeve, Kujtim Bucaliu u akuzua dhe dënua për veprën penale të mashtrimit si dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K për mashtrim të blerësve.

 

(Kosova Sot)