Veteranët e Dukagjinit japin ultimatum deri më 8 tetor, paralajmërojnë protesta jopaqësore

  • 26 September 2018 - 16:49
Veteranët e Dukagjinit japin ultimatum deri më 8 tetor, paralajmërojnë protesta jopaqësore

Qindra ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës erdhën sot nga Dukagjini në Prishtinë për të protestuar për listat e publikuara në rastin “Veteranët”. Para Pallatit të Drejtësisë ata kërkuan të hidhet poshtë aktakuza për këtë rast dhe që Prokuroria të kërkojë falje. Për këtë thanë se presin deri më 8 tetor, në kundërtën deklaruan që protestat e radhës nuk do të jenë paqësore.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Dukagjin protestoi sot në Prishtinë, ku mes të tjerash kërkoi që hetohet se kush i publikoi emrat dhe të dhënat e tyre personale.

Derisa në duar mbanin flamurin e UCK-së dhe pankarta përmes së cilave kërkonin drejtësi për shkeljen e të drejtave të tyre, ish-luftëtarët e UCK-së kërkuan që Kuvendi të miratojë ligjin për vlerat e luftës dhe të ndryshojë ligjin për veteranët.

Gjithashtu, u bënë thirrje atyre që janë të përfshirë në lista që mos t’iu përgjigjen thirrjeve dhe pyetjeve të prokurorisë.

Avdyl Mushkolaj, kryetar i veteranëve të Dukagjinit, tha se në hartim të ligjit për veteranët duhet të marrin pjesë ata që e kuptojnë luftën e jo burokratet e zyrave ministrore.

Mushkolaj: Shteti për të cilin luftuam po na turpëron para familjeve dhe qytetarëve

“Ne jemi dëshmitarë që shteti që e ndërtuam, shteti për të cilin ne dhamë gjithçka që kishim, na ofendon, na turpëron para familjes dhe shoqërisë, na gjykon e persekuton për të kënaqur apetitet e ish-okupatorëve dhe për hir të politikave ditore dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Falemnderit Kosovë, ne prapë do të ngrihemi me pushkë nëse territori dhe integriteti yt rrezikohet nga cilido armik. Sot ne jemi mbledh për të protestuar paqësisht, nuk kemi nevojë për mirënjohje e lëvdata, liria të gjitha po e gëzojmë është rezultat i luftës dhe fitores së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe popullit liridashës. Por ne u themi mjaft, mjaft luajtët me dinjitetin e integritetin tonë, nëse nuk reflektoni e nuk i ndalni goditjet, do të pendoheni rëndë”, tha ai.

Për kërkesat e tyre, thanë që presin deri më 8 tetor.

Mushkolaj: Deri më 8 tetor presim për kërkesat tona dhe për kërkim-falje nga prokuroria

“Të fillojnë hetimet se kush është fajtori që publikoi ilegalisht të dhënat personale të veteranëve, të hidhet poshtë aktakuza e prokurorisë në rastin ‘Veteranët’, çdo gabim që ka ndodh gjatë verifikimit të veteranëve jemi vet ne luftëtarët që do të kontribuojmë në pastrimin e tyre, në bashkëpunim komisionin qeveritar apo çfarëdo organizate që caktohet nga Qeveria dhe në afat kohor deri më 8 tetor 2018 ne presim përgjigjën tuaj publike rreth kërkesave, kërkim faljen e prokurorisë për denigrimin e vlerave të luftës dhe dinjitetit të veteranit. Nëse nuk kemi lëvizje nga ana juaj protestat e radhës nuk do të jenë paqësore”, tha ai.

Duke theksuar se po ndjehen të fyer të denigruar, ata protestuan të qetë duke iu drejtuar Gjykatës Themelore, Prokurorisë së Shtetit dhe Kryeprokurorit me kërkesat e tyre.

Halitjaha: Po bëhet lojë me dinjitetin e veteranëve

“Luajnë sot me dinjitetin tonë duke i quajtur mashtrues, nuk ka luftëtar mashtrues. Luftëtarët janë me merita të mëdha dhe të vogla, varësisht nga lufta dhe beteja që kanë bërë, nuk ka mashtrues. Nuk ka mundësi të jenë gjysma e veteranëve të falsifikuar apo mashtrues, mund të ketë ndonjë gabim njerëzor”, tha Sadik Halitjaha.

Në mesin e protestuesve ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, meqë edhe emri i saj ishte në listat e fundit.

Ajo tha se publikimi i atyre listave ishte turp që i ka ndodh shtetit të Kosovës.

Kadrijaj: Publikimi i listave ka qenë turp për shtetin e Kosovës

“Të gjithë veteranët kanë dalë me kërkua drejtësi. Publikimi i atyre listave ka qenë një turp që i ka ndodh shtetit të Kosovës dhe një turp që i ka denigru luftën e UÇK-së dhe ka denigru veteranët e vërtetë që janë gjend në ato lista…Publikimi i atyre listave është cenim i integritetit dhe i lirisë së individëve, sepse publikimi i atyre listave është anti-ligjore, është e drejte që veteranët kanë dalë sot me kërku drejtësi, duhet të verifikohen listat por jo me ato lista ku në ato lista gjenden veteranë elitë të UÇK-së”, tha ajo.

Ish-luftëtarët e UÇK-së thanë se publikimi i listave me emrat dhe të dhënat personale, ishte ofendimi më i madh që iu bë atyre nga shteti i Kosovës.

Brahim Dina prej Novokazit, i cili mori pjesë në protestë tha se ka qenë pjesë e UÇK-së gjatë luftës, dhe shprehet i habitur përse emri i tij është në listën e veteranëve të rrejshëm të nxjerrë nga Prokuroria speciale. Ai shprehet mjaft indinjuar dhe i thyer në shpirt.

Dina: Jemi të thyer shpirtërisht

“Jam burgosë, jam rrahur dhe jam maltretua nuk janë thyer shpirtërisht. Sot jam ardhur me tregua ndjenjën, moralin e dobët që po e përjetojmë prej Presidentit të shtetit, kur thotë ka veteranë partiakë dhe veteran të rrejshëm. Ky është një turp, prej shkaut e kam pritur, por prej popullit tim nuk e kam prit. Prej njerëzve të ngritur në pushtet nuk e kam pritur… E Thaçit ju kisha lutë, të mos na etiketon si veteran partiak se kur është dalë Halil Geci ’97-n me gjeneralin Daut Haradinaj, i kemi bërë brigadat. Kur është vrar familja Jashari, kemi marrë aksionet me pushkë dhe e di Thaçi se kemi qenë të përgatitur për luftë, sa kemi pasur armatim”, theksoi Dina.

Edhe Xhavit Ferizaj thotë se emri i tij është në listën e prokurorisë për veteran të rrejshëm, dhe ka dal sot të protestojë për të drejtat e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Ferizaj: Kam dal për drejtat tona

“Kam dal për drejtat tona, për listën e veteranëve. Po, jam pjesë e listës së publikuar nga prokuroria. Kam qenë pjesë e luftës, në periudhën ’98-99, në zonën e Dukagjinit, në Deçan”, ka thënë Ferizaj.

Smajl Berisha ish ushtarë I UÇK-së thotë se prokuroria e shtetit duhet ta hedhë poshtë aktakuzën për veteranët e luftës çlirimtare.

Berisha: Kam dal kundër listës kinse me veteran të rrejshëm

“Kam dal kundër kësaj listës që na kanë qitur si veteran të rrejshëm. (Emri imë është) në listën veteranëve të rrejshëm. (Kam qenë luftëtarë) i vërtetë në Baran… E pa drejtë, shumë e pa drejtë…. Tash, prokuroria më na lënë ashtu siç kemi qenë, ajo është e drejtë”, ka thënë Berisha.

Qamil Zeneli nga Jabllanica e Gjakovës, veteran invalid i luftës edhe pse nuk ishte në listën e veteranëve të “rrejshë”, ka dal që t’i mbështes veteranët.

Në protestën paqësore para Pallatit të Drejtësisë e cila nuk zgjati as një orë kanë marrë pjesë Xhavit Jashari Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Fadil Shurdhaj nga shoqatat e dala nga lufta. së dhe ata u shpërndanë të qetë.

 

(Kosova Sot)