Aparati i radioterapisë që zbulon dhe trajton kancerin në të njëjtën kohë

  • 26 September 2018 - 17:01
Aparati i radioterapisë që zbulon dhe trajton kancerin në të njëjtën kohë

Një baba i dy fëmijëve është bërë personi i parë në Britani, i cili është trajtuar me një aparat revolucionar të radioterapisë. Pacienti me kancer të prostatës, Barry Dolling, 65 vjeç, 'shfrytëzoi rastin' që të ishte personi i parë që do ta përdorte këtë teknologji në Spitalin mbretëror "Marsden" në Londër. Aparati "MR Linac" është i pari që bën skanime të rezonancës magnetike (MRI) në kohë reale, derisa drejton rrezet X drejt tumoreve, duke e bërë këtë aparat më të saktë dhe me më pak efekte anësore. Duke qenë në gjendje që të sulmojë në mënyrë më specifike tumoret dhe jo indin e shëndoshë përreth tumorit, bën të mundur që ky aparat të mund të përdorë rreze më të forta X, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Trajtimi revolucionar

Ekspertët thonë se, një ditë, ky aparat pritet që të jetë në gjendje ta shkatërrojë kancerin e prostatës me një rrezatim të vetëm, gjë që do ta realizonte ëndrrën e çdo doktori. Spitali mbretëror "Marsden" dhe Instituti për kërkime të kancerit (ICR) në Londër janë vendi i tretë në botë që përdorin këtë teknologji, e cila mund të hetojë ndryshimin e pozitës së tumorit në kohë reale. Zotëria Dolling, nga Selsdon në Sjuri, ishte diagnostikuar me kancer të prostatës në muajin prill dhe do të trajtohet me radioterapi për katër javë, si pjesë e një testimi të vogël klinik. Ai thotë se efektet e pakta anësore të këtij trajtimi, ia mundësojnë që të vazhdojë me punën, të luajë golf dhe të ngasë biçikletën. Ai thotë se ndihet 'shumë i privilegjuar' për faktin që është pacienti i parë britanik që trajtohet me këtë aparat, duke shtuar: 'Ndihem shumë mirë kur mendoj se trajtimi im dhe kërkimi shkencor që po bëhet me pjesëmarrjen time, do t'iu ndihmojnë shumë njerëzve në të ardhmen'. Aparati "MR Linac" ua mundëson mjekëve që vazhdimisht ta monitorojnë vendndodhjen e tumorit, derisa ofrojnë trajtimin. Ky trajtim është revolucionar për shkak se shumë kancere ndërrojnë pozicionin gjatë radioterapisë, apo midis skanimit dhe trajtimit.  

Kanceri i prostatës rëndom reagon ndaj dozave të mëdha të rrezatimit

Frymëmarrja, mbushja e fshikës së urinës, apo zorrëve, mund të ndikojnë në pozitën e kancerit, duke rrezikuar që ai të jetë jashtë vendit të trajtimit me rrezatim. Metoda e re paraqet realizim të një ëndrre, meqë mjekët për herë të parë mund të shohin se çka janë duke trajtuar. 'Mund ta shohim tumorin duke lëvizur, mund t'i shohim organet, si dhe ndryshimet ditore, sikur psh tkurrjen e tumoreve, apo ënjtjen e indeve. Ndaj të gjitha këtyre ndryshimeve mund të reagojmë", thonë mjekët. Mjekët që përdorin këtë aparat, bëjnë një skanim MRI të pacientit para se ta përpilojnë një plan për radioterapi atë ditë, duke reaguar ndaj çdo ndryshimi të mundshëm në trup. Ndryshimet mund të bëhen edhe në kohë reale, derisa është duke u ofruar trajtimi. Në Britani në fillim me këtë aparat do të trajtohet kanceri i prostatës, por besohet se, me kohë, ky aparat do të mund të përdoret te një gamë e gjerë e kancereve, duke përfshirë edhe kancerin e mushkërive dhe të pankreasit, të cilët janë të vështirë për t'u trajtuar. Dr. Alison Tree, onkologe klinike në spitalin "Marsden" dhe pjesëmarrëse në këtë trajtim klinik, thotë: 'Kanceri i prostatës rëndom reagon ndaj dozave të mëdha të rrezatimit, të aplikuar për një periudhë të shkurtër kohore. Por, meqë prostata gjendet afër rektumit, dozat e larta rrezikojnë dëmtimin e rektumit dhe paraqitjen e efekteve serioze anësore'. Me aparatin "MR Linac" mund ta targetojmë më mirë prostatën, derisa evitojmë rektumin, prandaj edhe me efikasitet mund të përdorim doza të larta të rrezatimit. Më shumë se 12,000 tonelata dhe janë larguar (gërmuar) për ta bërë një bunker për vendosjen e kësaj teknologjie në Suton. Në vitin 2012 ishte formuar një konsorcium ndërkombëtar për ta mbikëqyrur këtë projekt, nën udhëheqjen e një ekipi holandez dhe kompanisë britanike "Elekta", e cila e prodhon këtë aparat. 

 

(Kosova Sot)