Avioni për trafikimin e drogës mund të jetë përdorur që nga viti i kaluar

  • 01 September 2015 - 19:15
Avioni për trafikimin e drogës mund të jetë përdorur që nga viti i kaluar

Avioni “Aeroprakt A22 S” që përdorej nga banda italo-shqiptare për trafikimin e drogës, mund të jetë përdorur edhe më herët. Disa foto të publikuara nga A1 Report, vërtetojnë se avioni i sekuestruar më 24 gusht në Ostuni, Itali dhe i përdorur nga Vilson Lamaj, është përdorur që prej vitit 2014.

Fotoja e avionit është publikuar në korrik të vitit 2014 dhe mjeti pilotohet nga një person i njohur me pseudonimin “Banushi Vlorë”. Ky person rezulton të ketë raporte miqësore edhe me shtetasit, Vilson Lamaj që është piloti i prangosur, Artjon Lamaj, vëllai i pilotit dhe kushëriri i tyre Kleo Lamaj.

Zyrtarisht policia deklaroi se ky avion është përdor vetëm një herë për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali, por nga këto fakte lindin dyshime se avioni mund të jetë përdorur dhe më parë. Një tjetër pistë që përforcon dyshimin se ky grup ka përdorur dhe më parë avionin për transportin e drogës, është jeta luksoze që ata bënin në rivierën e Riminit përfshi jetën e natës apo frekuentimin e restoranteve luksoze dhe pse në agjencinë e të ardhurave në Itali ata rezultonin të papunë.

Vëllezërit Elizer e Xhesjan Ahmetaj, apo piloti Vilson Lamaj kanë darkuar me “Babushin” gjatë një vizite në Vatikan. A1 Report po ashtu ka mundur të sigurojë dhe foton e automjetit “Audi a3” me targë CM 288 LM, automjet ky i përdorur nga vëllezërit Lamaj, në bordin e të cilit, agjentët e policisë italiane kishin instaluar përgjuesin.

Për rastin e drogës, 14 të arrestuarit do të hetohen në të dyja shtetet, ndërsa për 8 të arrestuarit në Itali përveç akuzës për trafik droge, rëndon edhe ajo e vjedhjes së banesave. Tetë të arrestuarit në Itali pritet të dalin këtë javë në Gjykatën e Riminit, mes tyre dhe piloti Vilson Lamaj, i cili deri më tani para hetuesve ka heshtur duke mos dhënë asnjë shpjegim, transmeton Shekulli.