Burri vdiq të dielën, gruaja vuan nga kanceri terminal

  • 01 September 2015 - 22:33
Burri vdiq të dielën, gruaja vuan nga kanceri terminal

Një baba i dy fëmijëve ka vdekur pas një beteje trevjeçare me një sëmundje neuro-motorike, ndërsa bashkëshortja e tij po përballet me kancer terminal. Paul Coulston, 40-vjeçar, ishte diagnostikuar me sëmundjen që ia shkatërronte muskujt në prill të vitit 2012,  tri vjet pasi që bashkëshortja e tij, Clare, e kishte marrë lajmin që vuante nga kanceri i ezofagut. Coulston, nga Ulverstoni i Anglisë, ka vdekur të dielën. Megjithatë, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, ata kishin bërë marrëveshje për kujdestarinë e dy fëmijëve të tyre: Evelyn-ës, shtatë dhe Finlay-t nëntëvjeçar. Zonja Couslton ka thënë: “Ne vetëm duam t’i falënderojmë të gjithë për mbështetjen që na e kanë ofruar deri më tani. Të gjithë na kanë mbështetur në periudhën kur ne kemi pasur nevojë më së shumti dhe kjo gjë na e ka lehtësuar situatën”, transmeton Kosova Sot Online.

Paul-i ka ndikuar në jetën e shumë njerëzve

Para se të sëmurej, Paul-i ka qenë zëvendës-profesori kryesor në shkollën ‘St George’ në Barrou të Anglisë. Ai e kishte kuptuar që ishte prekur nga sëmundja e rëndë pak kohë pasi që bashkëshortja e tij e kishte marrë vesh që ishte çliruar nga kanceri, gjë kjo që ishte bërë e ditur pas një skanimi të saj rutinor.  Tregimi për çiftin kishte pushtuar ballinat kombëtare në Britani, meqë që të dy ishin prekur nga sëmundje të rënda, që ua kërcënonin jetën.  E, duke dashur që të ndikonte në ngritjen e vetëdijes, një i afërm i zotëri Coulston-it, Philip Thompson, 31-vjeçar, nga Njukastëlli i Anglisë, ka hapur një faqe në ‘Facebook’, nëpërmjet të cilës i ka mbajtur në dijeni njerëzit për gjendjen e çiftit. Ai ka thënë: “Paul-i, për fat të keq, ka ndërruar jetë mbrëmë. Bashkëshortja e tij, Clare, dhe vëllai i tij, Alan-i, kanë qenë me të. Jemi tmerrësisht të tronditur. Paul-i ka ndikuar në jetën e shumë njerëzve dhe ka luftuar shumë këto vitet e fundit”.

Përpjekje për ta siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre

Gjatë disa viteve të fundit, një sërë fondesh të bamirësisë janë hapur nga çifti, në përpjekje për ta siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre.  Çifti është shpërblyer edhe nga qyteti me një çmim për kurajën që e kanë treguar ndër vite. Motra e zonjës Coulston, Elaine Hudson, ka thënë: “Familja dëshiron që t’i falënderojë të gjithë ata që kanë kontribuar në fondet për familjen e Paul-it. Kjo gjë ka ndikuar shumë në jetën e tij. Ai ka qenë në gjendje që ta riparonte shtëpinë, ka blerë një karrocë elektronike, që ia ka mundësuar që të shëtitet me fëmijët e tij dhe e gjithë familja kanë kaluar një pushim të mrekullueshëm në ‘Disney World’. Ju falënderojmë të gjithëve nga thellësia e zemrës”.

(Kosova Sot)