Policia thotë se Fisnik Ismaili nuk u kërcënua nga pjesëtari i policisë

  • 02 September 2015 - 16:19
Policia thotë se Fisnik Ismaili nuk u kërcënua nga pjesëtari i policisë

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka sqaruar opinionin publik lidhur me shkrimin në portalin online “gazetablic.com” ku thuhet se: “Fisnik Ismaili, i kërcënuar nga polici, kërkon ta dënojnë atë”! dhe një reagimi përmes mediave që ka lëshuar Lëvizja ”Vetëvendosje”.

“Policia e Kosovës duke u bazuar në detyrat dhe autorizimet e përgjithshme në vazhdimësi ka kryer dhe po vazhdon të kryej punën e saj të mandatuar me ligj, ku prioritet është mbrojtja e jetës, pronës dhe ofrimi i sigurisë së përgjithshme për të gjithë personat.

Ne gjithashtu, kemi mekanizmat mbikëqyrës, të brendshëm dhe të jashtëm të cilët me vendosmëri kryejnë punën e tyre në raport me shkeljet apo përfshirjen e zyrtarëve policorë në raste që prishin imazhin e PK-së apo dyshohen për vepra të ndryshme të kundërligjshme. Vendime konkrete janë marrë në të kaluarën dhe do të vazhdojnë të ndërmerren”, thuhet në sqarimin e policisë.

Policia më pas në njoftim ka sqaruar se lidhur me personin e apostrofuar në artikullin e “gazetablic.com” Policia e Kosovës njofton opinionin e gjerë se i njëjti (R. H) nuk është pjesëtarë i Policisë së Kosovës që nga data 07.09.2012.

“Prandaj nuk qëndron fakti se i apostrofuari (F. I), është kërcënuar nga polici, dhe një rast i tillë nuk është paraqitur në

Policinë e Kosovës. Ndërsa sa i përket personit tjetër të apostrofuar (S. U.) ndaj të njëjtit menjëherë kanë filluar procedurat e nevojshme ligjore.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që për çdo vërejtje apo pakënaqësi që kanë lidhur me sjelljen apo veprimet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, t’i adresojnë ato tek mekanizmat kompetentë për mbikëqyrje dhe kontroll të policisë, dhe të gjitha veprimet e nevojshme do të ndërmerren në funksion të shqyrtimit të rasteve të tilla dhe marrjes së vendimeve adekuate”, thuhet në fund të njoftimit.