"Shell-Al-Petrol", 30 cisterna bllokohen në kufi me cilësi të dyshimtë të karburanteve - Lajme - Kosova Sot
"Shell-Al-Petrol", 30 cisterna bllokohen në kufi me cilësi të dyshimtë të karburanteve

"Shell-Al-Petrol", 30 cisterna bllokohen në kufi me cilësi të dyshimtë të karburanteve

Analistët: Latif Kryeziu po e keqpërdor emrin e kompanisë "Shell", duke sjellë naftë jocilësore, si dhe duke i mashtruar qytetarët

Mbi 30 cisterna të mbushura me derivate të naftës, nën emrin e kompanisë "Shell-Al Petrol", që është pronë e afaristit Latif Kryeziut, janë bllokuar për shkak se analizat laboratorike kanë treguar se kualiteti i derivateve të naftës nuk e ka përmbushur nivelin minimal të kërkuar sipas ligjit dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Si dihet, pika e filtribilitetit për periudhën kohore, 1 tetor deri më 1 nëntor, mbi vlerën e kërkuar për derivate ishte -10, ndërsa kompania në fjalë me produktet e saj kapte vlerën -4, vlerë kjo nën standardet e kërkuara. Së këndejmi, nga analistët vlerësohet se afaristi Latif Kryeziu po e keqpërdor emrin e kompanisë "Shell", kurse në fakt ai vazhdon të sjellë naftë jocilësore duke mashtruar qytetarët e vendit. Sipas analistëve, Kryeziu nuk mund ta bëjë këtë vetë pa qenë i lidhur fort me mafio-pushtetin qeveritar, të cilit nuk i jep fare llogari dhe sa të tilla (dhjetëra-mijëra) cisterna i kanë kaluar pa kontrolluar fare deri më tani për afro dy dekada. Me gjithë pyetjet e gazetës të dërguara në adresën elektronike të MTI-së dhe Doganave të Kosovës, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Ndërsa, në bisedën telefonike me zyrtarin e Doganave, Mamer Villa, drejtori i Laboratorit të Doganave të Kosovës që e mbikëqyrë cilësinë e derivateve që futen në Kosovë, ai ka deklaruar shkurtazi për gazetën se as nuk mund ta pohojë e as ta mohojë abuzimin me naftën. "Pyetjet duhet dërguar në adresën elektronike të Zyrës për Informim të Doganave të Kosovës dhe unë nuk jam kompetent dhe zyrtar për informim që të flas për këtë çështje. Kjo, ngase e kam të ndaluar që të jap deklarata për mediet pa pëlqimin e drejtorit gjeneral, andaj gazetari t'i drejtohet Zyrës për Informim. Pra, nuk mund të jap informatë se a i plotësojnë apo jo kriteret këto maune", u shpreh ai. Ndërsa përgjigje në pyetjet e dërguara në adresën elektronike, por edhe në telefonatën e bërë, nuk kanë dhënë as dy të parët e kësaj kompanie, Latif Kryeziu dhe djali i tij Lulzim Kryeziu, si dhe një zyrtar i kompanisë.

KËRKESA E SHOQATËS
"Ne si Shoqatë e Naftëtarëve kemi kërkuar dhe mbesim mbrapa kërkesës sonë që derivatet e naftës duhet të kontrollohen në kufi. Andaj, sa më parë të aprovohet Ligji për Derivate, aq më pak do të ketë raste të tilla, sepse ky sektor mund të rregullohet vetëm me ligj ", tha Fadil Berjani për "Kosova Sot".

SHTETI TË KONTROLLOJË CILËSINË
"Para ligjit duhet që të jenë të barabarta të gjitha bizneset dhe kompanitë që importojnë derivate të naftës, por edhe kompanitë e tjera që shesin me pakicë. Prandaj, shteti në asnjë mënyrë nuk duhet që të lejojë që të vihet në pyetje kualiteti dhe cilësia e derivateve të naftës apo humbjen e taksave nga ky sektor ", tha Agim Shahini për 'Kosova Sot".

Akuza në drejtim të qeverive
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për gazetën "Kosova Sot", thotë se ata si Kryesi e Shoqatës së Naftëtarëve ka vite që kanë kërkuar nga të gjitha qeveritë e Kosovës që në këtë sektor të ketë rregull. "Por, zëri ynë si shoqatë ka shkuar në veshë të shurdhët të të gjitha qeverive dhe posaçërisht të ministrave të deritashëm të MTI-së. Ndërkaq, e tëra kjo ka ndodhur, sepse deri më tash nuk ka pasur asnjë ministër i MTI-së që ka qenë i interesim të bëjë rregull në sektorin e derivateve të naftës, në mënyrë që këto probleme që po lindin të rregullohen me ligj", theksoi ai. I pari i Naftëtarëve sqaron se kanë pasur raste edhe të mëhershme ku importuesit për vetëm 1 për qind që i ka dalë më shumë jokonform, asaj kompani i është kthyer autoboti ose është gjobitur kompania. "Prandaj, në emër të Kryesisë së Shoqatës dhe tërë naftëtarëve kosovarë unë kam kërkuar që Ligji i Derivateve të Naftës të kalojë sa më shpejt për miratim në Kuvendin e Kosovës dhe me këtë rast janë të parapara kuotat që limitet dhe parametrat e cilësisë së derivateve të kenë plus-minus 3 për qind deri në 5 për qind dhe ato duhet të jenë doemos sipas standardeve të BE-së", potencoi Berjani. Ndërsa, kreu i AKB-së (Aleanca Kosovare e Biznesit), Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot", thotë se lajmin për ndalimin e disa cisternave të kompanisë " Al-Petrol " ose "Shell"-it e ka mësuar nga mediet. "Por, unë nuk besoj se një kompani me renome botërore, sikurse 'Shell'-i, mund të vërë në pikëpyetje kualitetin e vet dhe imazhin e saj për asnjë çmim", vlerësoi ai. Ai ankohet se në sektorin e derivateve të naftës deri më tani kemi pasur shumë ankesa të qytetarëve e bizneseve për cilësi jo të mirë të derivateve të naftës.

Shpërdorimi i emrit të kompanisë ndërkombëtare
Eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot', thotë se sipas hulumtimeve kompania origjinale "Shell", në Kosovë nuk ka përfaqësi, e as pompa të derivateve dhe kjo që e ka hapur afaristi Latif Kryeziu,është thjesht një imitim dhe keqpërdorim i emrit të kompanisë "Shell". "Andaj, sipas ligjit, kompania 'Shell' është dashur që ta padisë Kryeziun, kurse veç saj pikat e shitjes me këtë emër duhet që të mbyllen. Por, si duket, kompania 'Shell', ata nuk janë në dijeni të kësaj, prandaj nuk është bërë asnjë ankesë nga ana e zyrtarëve të kompanisë 'Shell', në drejtim të kompanisë 'Shell - AL Petrol'", ka theksuar ai. "Nuk është aspak për t'u çuditur fare me këto veprime të z. Latif Kryeziu, sepse duke e ditur se që në fillim të viteve 2000-2005, shumë kompani të derivateve kosovare kanë shitur derivate shumë jocilësore e larg standardeve të BE-së duke e përzier naftëndizellin dhe benzinën me ujë, vetëm e vetëm që t'i mashtrojnë qytetarët, kurse vetë të pasurohen në mënyrë joligjore", vijoi më tutje Grapci. "Edhe në këtë rast, kur Kryeziu po bën edhe vetë-keqpërdorimet duke e përdorur emrin e këtij brendi të njohur botëror dhe duke bërë vetë skandale të tilla, kjo na tregon se i vetmuar dhe pa ndihmën e dikujt nga pushteti më i lartë këtë nuk do të guxonte që ta bënte", ka vlerësuar ai

Mekanizmat institucionalë, jofunksionalë
Deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për " Kosova Sot", tha se që nga pas lufta normat e zhvillimit ekonomik në vendin tonë kanë qenë pompat e derivateve të naftës, sepse me këtë lloj biznesi kanë pasur mundësi që të përfitojnë më shpejt dhe kundërligjshëm. "Është e ditur se kontrabanda më e madhe pas lufte është bërë me derivate të naftës, dhe ka pasur importe të derivateve të naftës jo vetëm me autobote, por në kufirin me Malin e Zi ka pasur raste kur edhe nëpërmes tubave që përdoren për ujësjellës është përdorur për kontrabandën dhe bartjen e derivateve të naftës dhe kjo kontrabandë është bërë madje edhe në prani të doganierëve, Policisë edhe KFOR-it dhe shumë vonë është reaguar nga institucionet përgjegjëse", u shpreh ai. "Menjëherë pas lufte mund të themi se nuk ka pasur mekanizma dhe kapacitete të mjaftueshme për luftimin e kësaj dukurie, por sot është për habi që të ndodhin gjëra të tilla dhe atë para të gjitha këtyre institucioneve që i ka vendi ynë, si janë Doganat, Administrata Tatimore, Policia e në veçanti, në prani të inspektorëve të MTI -së, kur dihet qartë se ende nëpër pompat e derivateve ka plaçkitje të qytetarëve të vendit edhe për derivatet e blera në sasi, por edhe në cilësi, ngase dihet botërisht se në Kosovë kemi derivate më të dobëta në rajon, sepse u kanë shkaktuar dëme materiale qytetarëve në automjetet e tyre", vijoi më tutje Neziraj."Derivatet jocilësore kanë shkaktuar dëme edhe në shëndetin e qytetarëve dhe vlen të përmendet vetëm rasti i furnizimit me derivate për nxehje nëpër shkollat e Prishtinës, ku drejtpërdrejti është rrezikuar jeta e fëmijëve tanë nëpër shkollat tona. Dhe, për këto raste përgjegjësia kryesore është mbi MTI-në , sepse kjo me mekanizmat e saj brenda Ministrisë duhet që të kontrollojë në mënyre rigoroze edhe cilësinë, por edhe sasinë që po u shitet qytetarëve dhe bizneseve tona", potencoi Neziraj.

Qytetarët të irrituar nga mashtrimet e kompanive joserioz
e Edhe qytetarët e intervistuar nga ana e gazetës thonë se janë të indinjuar me cilësinë e dobët të derivateve të kompanisë "Shell-Al-Petrol". Qytetari nga Prishtina Naser Binaku, duke folur për rastin në fjalë për gazetën " Kosova Sot', thotë se e ka zejen e taksistit tash e disa dekada. "Me derivate nafte jam furnizuar kudo, përfshirë edhe kompaninë "ShellAL -Petrol", por më nuk jam furnizuar në këtë kompani, se unë bashkë me shumë kolegë të mi jemi ndarë shumë të zhgënjyer. Kjo, ngase edhe sasia, por edhe cilësia e derivateve nuk është në nivelin e duhur, aq më tepër kur bëhet fjalë për një kompani sikurse që është 'Shell-i'", u shpreh ai. "Më parë jam furnizuar te kompania " AL-Petroli", për shkak të çmimit që i ka pasur më lirë. Por, më nuk i besoj kësaj kompanie, as kompanisë së 'Shell'-it e as 'AL-Petrol'-it, sepse nuk ka cilësi. Andaj, Doganat e Kosovës e kanë pasur me të drejtë që ia kanë ndaluar këto cisterna të kësaj kompanie. Veçse, jo vetëm kësaj kompanie, por edhe ndaj të gjitha kompanive të tjera që sjellin derivate jocilësore. Andaj, nga ana e Doganave të Kosovës dhe inspektorëve të MTI-së kontrollet e tyre duhet që të jenë shumë më rigoroze, sepse veç cilësisë shumë të dobët në Kosovë, edhe çmimet janë shumë të larta", vlerësoi Binaku. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Nuhi Rama, për gazetën " Kosova Sot", tha se nëse vërtet kjo kompani ka bërë dallavere, veprimet e Doganave janë të drejta dhe kështu duhet që të veprohet me të gjitha ato kompani që bëjnë dallavere me cilësi derivatesh. "Prandaj, unë nuk furnizohem me derivate te kompania 'Shell-i-Al-Petrol', sepse edhe këtu derivatet e naftës janë të njëjta si gjetiu në Kosovë dhe nga ana e 'Al-Petrolit', vetëm se po shfrytëzohet emri i kësaj kompanie botërore, sepse nuk e ka cilësinë e derivateve më të mira se kompanitë e tjera", u shpreh ai. Sipas Binakut, pasi po e paguajmë aq shtrenjtë furnizimin, edhe kontrollimet e derivateve të naftës duhet që të jenë sa më të shpeshta.

(Kosova Sot)

3 orë e 49 minuta më parë
16/10/18