Refugjatët nuk lejohen të futen në trenat drejt Gjermanisë e Austrisë

  • 02 September 2015 - 20:43
Refugjatët nuk lejohen të futen në trenat drejt Gjermanisë e Austrisë

Qindra migrues të zemëruar, disa prej të cilëve kanë pasur bileta në duar, e disa të tjerë kanë pasur foshnja, kanë dalë në protesta jashtë stacionit në Budapest, duke kërkuar që t’iu lejohet futja në trenat në çojnë në Gjermani dhe Austri. Në paraditen e së martës, autoritetet hungareze janë detyruar ta evakuojnë dhe ta mbyllin stacionin lindor hekurudhor,pasi kanë plasur përleshjet në mes të imigrantëve, të cilët janë munduar që të futen nëpër trena, transmeton Kosova Sot Online.

Demonstrata pas mbylljes së stacionit

Kjo gjë ka ndodhur më pak se 24 orë pasi që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë që zona e udhëtimit pa pasaporta, përbrenda BE-së, po kërcënohej.

Lajmërimi në zmadhuese është dhënë pasi rreth 500 njerëz janë munduar të futen në trenin e fundit në drejtim të Vjenës. Në lajmërim është thënë: “Asnjë tren nuk do të niset nga stacioni Keleti deri në lajmërimin e radhës”.

Disa qindra imigrantë kanë bërë demonstrata pas mbylljes së stacionit dhe shumë të rinj janë dëgjuar duke brohoritur: “Gjermani, Gjermani”, “Duam të ikim nga këtu” dhe “Merkel”. Rreth 100 policë, të veshur me helmeta dhe jelekë të padepërtueshëm nga plumbat , e kanë ruajtur stacionin, teksa imigrantët dëgjoheshin duke bërtitur nga jashtë. Në duart e njërit prej imigrantëve qëndronte një mbishkrim, në të cilin, në gjuhën gjermane thuhej: “Ju lutem, na lini të ikim”. Stacioni është hapur përsëri, mirëpo hyrja iu lejohet vetëm atyre që nuk janë imigrantë.

Shpenzime të mëdha për bileta 

Zënkat në mes të imigrantëve kanë shpërthyer pasi që ata kanë filluar të bëjnë përpjekje të futen në trenat që çojnë në Vjenë e Munih, pak kohë pasi që ishte bërë e ditur që atyre nuk do t’ju lejohej të futeshin në ta. Disa imigrantë kanë thënë që kanë shpenzuar qindra euro në bileta.  Hassan-i, një sirian 47-vjeçar, ka thënë që ai dhe dy shokët e tij kanë paguar një total prej 375 eurove për tri bileta për në Gjermani.  “Ata na i kanë marrë nga 125 euro për secilën biletë, pastaj nuk na kanë lejuar që të futemi në tren”, ka thënë ai.

Këto kanë qenë disa nga zhvillimet e fundit në krizën e refugjatëve që e ka kapluar Evropën, kur vetëm gjatë të shtunës është raportuar për më shumë se 4000 refugjatë, që janë futur në Evropë nëpërmjet Turqisë.

(Kosova Sot)