Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta e Akademik Pajazit Nushit

  • 02 September 2015 - 23:41
Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta e Akademik Pajazit Nushit

Para pak orësh ka ndërruar jetë Akademik Pajazit Nushi në moshën 82 vjeçare.

Me rastin e vdekjes së tij, akterë nga skena politike e vendit kanë shprehur ngushëllimet e tyre drejtuar familjarëve të tij.

Kryeministri Isa Mustafa, ngushëlloi familjen Nushi dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të akademik Pajazit Nushit, një ndër figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe të kulturës në Kosovë.

“Ndarja nga jeta e Pajazit Nushit është një humbje shumë e madhe për familjen, për shkencën, arsimin, kulturën dhe Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Akademik Nushi, me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ka dhënë kontribut shumëdimensional për Kosovën, duke qenë ndër të tjera edhe një figurë e spikatur në fushën e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë. Me jetën dhe veprën e tij, akademik Pajazit Nushi, do të mbetet përherë në memorien e popullit të Kosovës si një nga personalitetet më të shquara të kohës sonë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Isa Mustafa.

Kryeministri, në emër të Qeverisë dhe në emrin e tij personal, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nushi, kolegëve, miqve dhe dashamirëve të shumtë anekënd Kosovës, dhe më gjerë.

Veç tij, ngushëllime ka shprehur edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila i dërgoi një telegram ngushëllimi familjes Nushi.

“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Pajazit Nushit, njeriut që tërë jetën ia kushtoi arsimit, edukimit, shkencës dhe çështjes sonë kombëtare”.

“E ndaj me Ju e nderuara familja Nushi, këtë dhimbje të madhe për humbjen e njeriut më të dashur, duke e kujtuar përherë figurën e tij dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Akademik Pajazit Nushit në ndërtimin e institucioneve te Kosovës, si aktivist i të drejtave të njeriut, profesor shumëvjeçar universitar, studiues i psikologjisë dhe shkencave tjera sociale”.

“Ndarja nga jeta e Akademik Pajazit Nushit, simbolit të dijes dhe të paqes, është humbje e madhe jo vetëm për familjen, miqtë edhe bashkëpunëtorët, por për gjithë Kosovën”.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, përfundon letra ngushëlluese e Jahjagës.

Edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes së tij.

“Ngushëllime të sinqerta familjes Nushi me rastin e vdekjes se Prof. Dr. Pajazit Nushit, pishtarit të shkencës dhe arsimit kosovar, aktivistit të të drejtave të njeriut, i cili i tregoi botës për dhunën dhe viktimizimin e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Ngushëllime familjes së akademikut të ndjerë Nushi i ka shprehur edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Me dhimbje e keqardhje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut, profesorit te nderuar dhe veprimtarit të shquar, akademik Pajazit Nushit”.

“Në këto momente të dhimbjes e të pikëllimit, jua përcjellë ngushëllimet familjes Nushi, komunitetit akademik mbarëshqiptar, miqve, të afërmve dhe të gjithë të pikëlluarve të tjerë”.

“Do të kujtohet përherë kontributi i çmuar dhe angazhimi i akademik Pajazit Nushit në fushën e shkencës si dhe veprimtaria e tij politike në shërbim të çështjes kombëtare, zhvillimit të demokracisë si dhe promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut përgjatë gjithë etapave të zhvillimeve në vend”.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e akademik Pajazit Nushit”, përfundon letra ngushëlluese të Haradinajt.

Veç tyre, ngushëllime ka shprehur edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.

“Të nderuar kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë të Akademik Pajazit Nushit. Me pikëllim të thellë sot morrëm lajmin për largimin nga kjo jetë të intelektualit, akademikut, dijetarit dhe veprimtarit të shquar Prof. Dr. Pajazit Nushi”.

“Gjakova, Kosova dhe kombi shqiptarë u ndanë nga njeriu i dijes dhe i pendës, nga profesori dhe njeriu i urtë dhe i guximshëm i historisë tonë të re”.

“Një vit më parë, Komuna e Gjakovës e nderoi Akademikun e nderuar me titullin “Gjakovar i Ndritur”, ashtu sikur akademiku gjithmonë ndriqoi emrin e Qytetit, Shtetit dhe kombit që përfaqësoi”.

“E nderuara familje Nushi, Ju keni humbur familjarin tuaj të dashur, Akademia ka humbur një emër të madh të shkencës, kurse qytetarët e Komunës së Gjakovës humbën emblemën e mburrjes, paqes dhe të dijes”.

“E përhershme do mbetet vlera e veprës së Tij dhe të paharruara do të mbesin gjurmët e përkushtimit jetësor të Akademik Pajazit Nushit”.

“Në emrin tim dhe të banorëve të Komunës së Gjakovës, pranoni ngushëllimet më të sinqerta me rastin e humbjes tuaj”, shkruan në letrën ngushëlluese të Kusari Lilës.

Partia e Drejtësisë, me rastin e vdekjes së akademikut Pajazit Nushit, i shprehë ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, Akademisë së Shkencave dhe mbarë popullit shqiptar.

“Akademik Pajazit Nushi, njihet për kontributin e tij të paçmuar në fushën e arsimit dhe edukimi të brezave, por edhe si një njeri që punoi shumë për çështjen tonë kombëtare, andaj bashkëndajmë dhimbjen me familjarët dhe të gjithë ata që njohën këtë personalitet të pashoq të trojeve shqiptare”, shkruan në letrën ngushëlluese të Partisë së Drejtësisë.