A do t'i zëvendësojë inteligjenca ARTIFICIALE MJEKËT E E FERTILITETIT?

  • 11 October 2018 - 21:24
A do t'i zëvendësojë inteligjenca ARTIFICIALE MJEKËT E E FERTILITETIT?

Rreth 200,000 çifte çdo vit tentojnë metodën IVF. Dy të tretat e çifteve që provojnë IVFn, përfundojnë me dështim, të paktën një herë. Fertiliteti është fushë e errët e shkencës dhe ka të ngjarë që të mos dimë as cilën pyetje ta bëjmë, për të gjetur përgjigjet për pyetjet tona aktuale. Por, ajo që është e qartë është se një përqindje e konsiderueshme e cikleve të dështuara, janë pasojë e problemeve me embrion, probleme të cilat mund t'i largojnë kompjuterët.

Dy punime të reja

Dy punime të reja, që do të prezantohen më vonë, në konferencën e Shoqatës amerikane të mjekësisë reproduktive, do të prezantojnë një sukses të paprecedent të përzgjedhjes së embrioneve adekuate duke përdorë inteligjencën artificiale. Duke bërë kështu, ata munden që ta ulin në mënyrë dramatike rrezikun e cikleve të dështuara dhe të aborteve (70% të të cilave shkaktohen nga abnormalitetet e embrionit). Këto metoda po ashtu mund t'i japin fund të ashtuquajturës "gung-ho", qasjes së implantimit të embrioneve të shumta, për të rritur gjasat për shtatzënësi, gjë që shpesh rezulton me binjakë, a trinjakë, duke rritur rrezikun nga lindja e parakohshme, preeklampsia dhe komplikimet e tjera të kushtueshme. Tani dy ekipe, njëri nga SHBA-ja, e tjetri nga Australia, janë duke u shtyrë për të patentuar algoritmet e tyre për të hyrë në tregun e Inteligjencës artificiale (AI) me vlerë 7.5 miliardë dollarë, si bartës primar të jetës njerëzore.  

Situata aktuale

IVF dhe ngrirja e qelizave vezë tani ua mundësojnë çifteve gjasat që të sfidojnë biologjinë njerëzore, duke u bërë prindër përkundër problemeve me fertilitet, apo pas ditëlindjes së 40-të të nënës. Por, hapi kritik i përzgjedhjes së blastociteve adekuate - të cilat zhvillohen në embrione - ende i ka mbetur syrit të njeriut. Brenda parametrave të asaj që është qartazi normal dhe të asaj që nuk është normale, çdo embriolog ka mënyrën e vet për të vendosur se a ka gjasë një blastocit për të rezultuar me një shtatzënësi të suksesshme. Meqë nuk kemi të bëjmë me një art perfekt, atëherë teknologjia mund të na ndihmojë ta tejkalojmë një të metë tjetër njerëzore: vlerësimin e gabuar. Aktualisht ka shumë gjëra që mund ta pengojnë suksesin e metodës IVF (fertilizimi in vitro), duke përfshirë shumë faktorë të cilët ende janë të panjohur për ne. Kur flitet për diçka sikur dështimi (aborti), atëherë vëmendja përqendrohet te embrioni. Abnormalitetet e embrionit përbëjnë rreth 70% të shkaqeve të abortit te IVF, derisa përqindja e mbetur ka të bëjë me faktorë të tjerë, sikur që është reagimi i gruas ndaj hormoneve, çrregullimet e uterusit, nivelet e hormoneve, etj.

Si funksionojnë metodat e reja?

Metoda e parë, e kryesuar nga Nikita Zaninovic nga Universiteti "Cornell", ka përdorë 18,000 pamje për ta trajnuar kompjuterin, e më pas duke ia dhënë edhe 32,000 pamje, për t'ia mundësuar kompjuterit bërjen e përzgjedhjes. Së parim u desh që të standardizoheshin embrionet, ku inteligjenca artificiale e kësaj metode ka një sukses gati 100% në kategorizimin e embrioneve në të mirë, mesatarë dhe të këqij. Metoda e dytë e inteligjencës artificiale është zhvilluar nga Aengus Tran, nga Universiteti "New South Wales", në bashkëpunim me vëllain e tij. Ata zhvilluan një sistem, të cilin e kanë quajtur 'Ivy', i cili është trajnuar duke përdorë videot e shfaqura në rrafsh kohor, nga tetë laboratorë në katër vende të ndryshme. Këta laboratorë përdorën teknikën e ekranizimit të 1,603 pacienteve të moshës nga 22 deri 50 vjet, ku rezultatet më pas janë kontrolluar dy herë nga një embriolog. Kjo metodë është treguar e suksesshme në 93% të rasteve. 

 

A do të mbesin embriologët pa punë?

Zaninovic thotë se nuk do të mbesin. 'Njerëzit më thonë se jam duke e prerë degën në të cilën gjendem', thotë ai. "Këtu nuk kemi të bëjmë me zëvendësim të embriologëve, por me ndryshim të punës së tyre". Ai thotë se ndryshimi më i madh do të jetë se, spitalet dhe klinikat që duan ta implementojnë këtë teknikë, do të kenë nevojë për një mbështetje të një ekipi të IT-ve. Ai thotë se ia vlen.

 

(Kosova Sot)