Sot hyn në fuqi Ligji për Faljen e Borxheve deri më 2008

  • 03 September 2015 - 10:07
Sot hyn në fuqi Ligji për Faljen e Borxheve deri më 2008

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, u ka bërë apel qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësinë e qeverisë për faljen e borxheve deri më 31.12.2008, duke treguar edhe kriteret për faljen.

“Nga nesër (3 shtator 2015) hyn në fuqi Ligji për Faljen e Borxheve dhe secili tatimpagues i cili dëshiron të përfitojë nga ky ligj për faljen e borxheve deri më 31.12.2008, duhet që paraprakisht të zgjedh njërën prej dy kritereve që duhet plotësuar: Ta bëjë pagesën e plotë të borxhit bazë për periudhën 1 janar 2009 deri 31 dhjetor 2014, ku përveç borxheve para vitit 2008, do t’i falen edhe ndëshkimet dhe interesi për borxhin deri në dhjetor 2014; Tatimpaguesi do të hyjë në marrëveshje me ATK-në për pagesën me këste të borxhit bazë për periudhën 1 janar 2009 deri 31 dhjetor 2014, me ç‘rast, përveç që do t’i falet borxhi për periudhën deri 31 dhjetor 2008, do të përfitojë edhe nga falja e ndëshkimeve për borxhin janar 2009 deri 31 dhjetor 2014”, ka thënë Haziri.

Ai ka ftuar qytetarët që t’i kryejnë të gjitha obligimet në mënyrë që Komuna të mos ketë nevojë të fillojë grumbullimin e mjeteve përmes përmbaruesve privat.