Kryeministri hungarez:Së shpejti rregulla të reja për emigrantët

  • 03 September 2015 - 12:23
Kryeministri hungarez:Së shpejti rregulla të reja për emigrantët

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë se rreth gjysmës së shtatorit, Budapesti duhet ta ketë të gatshme një pako rregullash në mënyrë që ta evitoj valën e madhe të emigrantëve.

Ai ka thënë se hungarezët janë ‘tmerrësisht të frikësuar’ pasi Evropa e ka të pamundur që ta menaxhoj situatën.

“Ne hungarezët jemi të frikësuar, qytetarët evropianë janë të frikësuar pasi ata shohin se liderët evropian, përfshi këtu edhe kryeministrat, e kanë të pamundur menaxhimin e situatës”, ka thënë Orban të enjten pas një takimi me presidentin e Parlamentin Evropian Martin Schultz në Bruksel.

Orban ka shtuar: “Kam ardhur këtu ta informoj presidentin Schultz se Hungaria po e bën të pamundurën që të mbaj ligjin në funksion. Ne jemi duke punuar në parlament për përgatitjen e një pako rregullacionesh, si dhe po ngrisim një mur kufitar, dhe të gjitha këto së bashku do ta krijojnë një situatë të re në Evropë dhe Hungari që prej 15 shtatorit. Prej tash, kemi 1 javë kohë për përgatitje.”, transmeton Indeksonline

Pas ndaljes së qarkullimit të trenave për emigrantët para dy ditëve, sot autoritetet hungareze kanë lejuar emigrantët brenda stacionit të trenave në Budapest, por më pas të njëjtin kanë ndaluar qarkullimin e trenave drejt Evropës perëndimore, duke shkaktuar kaos.