Banorët e Artakollit paralajmërojnë protesta para Qeverisë

  • 15 October 2018 - 11:37
Banorët e Artakollit paralajmërojnë protesta para Qeverisë

Banorët e zonës së Artakollit në Vushtrri kanë protestuar përsëri në kërkim të riasfaltimit të rrugës që lidh të tetëmbëdhjetë fshatrat e kësaj ane. Protestuesit për rreth 15 minuta kanë bllokuar autorrugën Mitrovicë – Prishtinë, në fshatin Pestovë, por me kërkesën e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, rruga është zhbllokuar. Pas një jave protesta do të zhvendoset para Qeverisë së Kosovës nëse nuk sigurohen mjetet për rrugën

Banorët e tetëmbëdhjetë fshatrave të zonës së Artakollit të Vushtrrisë, të cilat i lidh “Rruga R220” Bukosh- Gllavotin, kanë protestuar të dielën në Pestovë. Ata kanë bllokuar për pak kohë autorrugën Mitrovicë – Prishtinë, duke kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të gjejë mjete për ta riasfaltuar rrugën Bukosh – Gllavotin, e gjatë 18 kilometra, më së largu deri në fund të këtij viti, shkruan zeri.

Sipas Këshillit Organizativ të  protestës, ajo çfarë po kërkojnë këta banorë është vetëm tejkalimi i gjendjes emergjente të rrugës që lidh fshatrat e zonës së Artakollit dhe e cila po paraqet problem tej mase për shkak të gropave dhe të pluhurit, duke rënduar kështu gjendjen e banorëve si në aspektin shëndetësor e po ashtu edhe të mjeteve të transportit.

Sipas Këshillit Organizativ, kërkesa e tetëmbëdhjetë fshatrave të Artakollit për Qeverinë është që së paku t’i jepet shtresa e parë e asfaltit në mënyrë që të tejkalohet gjendja emergjente përkohësisht, që është edhe kërkesa e tyre momentale për tejkalimin e gjendjes emergjente dhe jo përfundimi i projektit në tërësi.

(Kosova Sot)