QARRI: KOSOVËS PO I KANOSET RREZIKU I MADH NGA PRESIDENTI I VENDIT

  • 15 October 2018 - 11:58
QARRI: KOSOVËS PO I KANOSET RREZIKU I MADH NGA PRESIDENTI I VENDIT
 Analisti politik Gani Qarri i ka thënë gazetës se eksperti amerikan i politikës së jashtme,z. David L. Phillips, deklaron publikisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk janë pajtuar me idenë për korrigjimin e kufijve të Kosovës, të cilën presidenti Hashim Thaçi, ose nuk e ka kuptuar si duhet ose po e keqinterpreton qëllimisht, tash e sa kohë duke e propaganduar rrejshëm si të qenë, brenda dhe jashtë Kosovës. Qarri thotë se tani synimin e Thaçit, pavarësisht kundërshtimeve deklarative, po e stimulon edhe opozita, pasi që nuk po e kundërshton më fuqishëm atë, qoftë edhe përmes akordimit gjithëpërfshirës politik për shkarkimin e presidentit."Vetë dorëheqja e ekspertit amerikan, David Philips, tani ish-këshilltar amerikan i Thaçit, është dëshmia më e mirë se SHBA-ja nuk mbështet dyfytyrësitë e Hashim Thaçit dhe marrëzitë e tij për tregti me territore të Kosovës, vetëm e vetëm që ai të shpëtojë veten për fajet e bëra nga Gjykata Speciale. Distancimi demonstrativ nga Hashim Thaçi dhe dorëheqja në mënyrë protestuese nga posti i këshilltarit ti tij, i ekspertit amerikan David Philips, dëshmon në mënyrën më të qartë rrezikun e madh që vërtet i kanoset Kosovës nga ky njeri, i cili ende vazhdon të mbetet president i vendit. Me aktin e tij njerëzor dhe plotësisht dashamirës ndaj vendit dhe qytetarëve të Kosovës, eksperti amerikan, David Philips, mbetet denoncuesi dhe dëshmuesi më serioz i brendshëm dhe i jashtëm i tregtisë më të errët dhe tradhtisë historike që Hashim Thaçi me këmbëngulje po synon t'i bëjë atdheut tonë. Për aq më keq, Hashim Thaçi ende vazhdon ta gënjejë popullin e Kosovës, se kinse gjoja ai po flet edhe në emër të amerikanëve, përkundër faktit se David Philips e demantoi katercipirisht këtë mashtrim pervers të Hashim Thaçit", është shprehur ai. Sipas tij. largimi i ekspertit David Philips bëhet dëshmia e re më bindëse se Hashim Thaçi është pozicionuar hapur kundër interesave të vendit, i cili vijon të punojë pareshtur për rritjen e ndikimit ruso-serb në vendin tonë dhe largimin e tërësishëm të Kosovës nga politika dhe interesat amerikane, duke vërtetuar edhe një herë më tepër se ideja për korrigjimin e kufijve është interes puro ruso-serb, që tenton të implementohet nga oligarkët Rama, Vuçiq e Thaçi. "Madje përveç talljes së Hashim Thaçit me tërë popullin e Kosovës, ai me çmendurinë tij po tenton të luajë edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe të gjitha fuqitë botërore, të cilat e bënë vendin tonë shtet, duke paralajmëruar gjoja skenarë të errët e trazira dhe luftë nëse ai nuk arrin marrëveshje me Serbinë për t`ia falur asaj 1/3 e territorit të Kosovës. Për realizimin e këtij qëllimi kobzi në dëm të vendit tonë, përveç në mediet që ai në mënyrë absolute i kontrollon vetë Hashim Thaçi tanimë është aktivizuar në mënyrën më banale edhe përmes medieve franceze, duke deklaruar hapur se "do ta nënshkruaj një marrëveshje të tillë shkatërruese për vendin, edhe përkundër kundërshtimeve dhe kritikave" nga i gjithë spektri i brendshëm politik dhe shoqëria civile në Kosovë, i cili përfundimisht dëshiron t`ia japë Serbisë tokën që e ka bërë pazar vetë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pa pyetur askënd, akt në të cilin po i vjen me të madhe në ndihmë edhe opozita vendore me heshtjen komode dhe të çuditshme të saj", theksoi analisti Gani Qarri për "Kosova Sot".