Aliu: Vetting-u do të trondiste në themel sistemin e drejtësisë në Kosovë

  • 15 October 2018 - 13:04
Aliu: Vetting-u do të trondiste në themel sistemin e drejtësisë në Kosovë
 Edhe sipas analistit politik Bislim Aliu, europarlamentarët e kanë detektuar fare mirë se sa i infektuar është sistemi i drejtësisë në Kosovë nga krimi e korrupsioni, nga mosfunksionimi i tij i drejtë, prandaj këtë kosto ka rrezik që të vazhdojnë ta paguajnë qytetarët e pafajshëm."Me të drejtë deputetët e Parlamentit Evropian kanë ngritur edhe një herë shqetësimet e thella për përhapjen e korrupsionit, ndërhyrjen në gjyqësor, si dhe elementet e shtetit të kapur. Dëshmitarë të këtij realiteti jemi ne, qytetarët e Kosovës, që po vazhdojmë dita-ditës ta pyesim veten se si mund të ketë drejtësi kështu në këtë vend, kur përherë lëndët ose i mbulon pluhuri për një kohë të gjatë, ose manipulohen ato dhe drejtësia asnjëherë nuk ndahet si duhet për qytetarët, por ajo shitet e trafikohet sikur të ishte një mall për treg", theksoi Aliu për "Kosova Sot". Sipas Aliut, nëse faktori ndërkombëtar nuk i detyron partitë politike dhe krerët e institucioneve që ta bëjnë një VETTING edhe në Kosovë, atëherë mafia do të arrijë edhe më lart në kulmin e shtetit. "I druaj një situate të tillë, ngase deri më sot askush nuk e mori përgjegjësinë për dështimin e qëllimshëm të sistemit të drejtësisë, për të gjitha këto vite të mosfunksionimit që nga paslufta. Ndaj, për këtë, vetëm një proces vetting-u do ta trondiste e do të rregullonte në themel sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe është fare e sigurt që shumica e madhe e gjyqtarëve e prokurorëve nuk do të mund të arsyetonin pasuritë e tyre milionëshe, që gjithsesi i kanë krijuar përmes procesit të korruptimit permanent dhe të pandalshëm për shumë vite", theksoi analisti Bislim Aliu.

(Kosova Sot)