Gjendet pranë kufirit një kafkë njeriu, dyshohet se i përket shqiptarit të vrarë dy vjet më parë

  • 15 October 2018 - 13:46
Gjendet pranë kufirit një kafkë njeriu, dyshohet se i përket shqiptarit të vrarë dy vjet më parë

Një punëtor pastrimi ka gjetur kafkën e një njeriu në një nga kanalet e një zone industriale në Prevezë, Greqi. Dyshimet e para janë se kafka e gjetur mund t`i përkasi 26 vjecarit shqiptar Bledar Terpollari.

Është gjetur një kafkë njeriu në Preveza të Greqisë. Një punëtor pastrimi është përballur me një skenë makabër pranë një zonë industriale në Prevezë, Greqi.

Teksa ai po merrej me pastrimin e një kanali, kazma e tij është ndeshur me një kafkë njeriu.

Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka filluar hetimet për rastin, ndërsa kafka është dërguar në një laborator në Athinë.

Dyshimet e para janë se kafka e gjetur mund t`i përkasë 26-vjeçarit shqiptar Bledar Terpollari, nga Skrapari, trupi i të cilit u gjet pa kokë dy vite më parë.

Për këtë vrasje janë dënuar në Greqi dy shqiptarë. Në vendimin e Gjykatës thuhej që vrasja ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të trafikut të drogës.

Autorësinë e krimit e mori përsipër, Krenar Terpollari, atëherë 27-vjeç, i cili u dorëzua në policinë e Tiranës.

Viktima i kishte borxh vrasësve 20 mijë euro të fituara nga shitja e drogës në Greqi. Bledar Terpollari nga Backa e Skraparit u vra pranë kufirit shqiptaro-grek ne Gliki, Igumenicë.

Ai është varrosur pa kokë, pasi ajo nuk u gjet kurrë.



(Kosova Sot)