Gruaja që thotë se Zoti e ndëshkoi të jetonte kaq gjatë!

  • 15 October 2018 - 16:52
Gruaja që thotë se Zoti e ndëshkoi të jetonte kaq gjatë!

Është zbuluar gruaja më e vjetër në botë. Ajo është 129 vjeçe dhe thotë se nuk ka parë asnjë ditë të bardhë në jetën e saj. Nëse Koku Istambulova është me të vërtetë 129 vjeçe, kjo do të thotë se ka jetuar edhe gjatë mbretërimit të Carit Nikollaj II. Ajo mund të ketë qenë rreth 55 vjeçe kur ka përfunduar Lufta II Botërore dhe 102 vjeçe kur mori fund Bashkimi Sovjetik, disa vite më parë.

E lindur më 1 qershor 1889

Në pasaportën e saj shkruhet se ka lindur më 1 qershor të vitit 1889. E pyetur se cili është sekreti i jetëgjatësisë së saj, Koku, e cila është nga një fshat i humbur i Çeçenisë, thotë: "Shikoj njerëz që bëjnë sporte, hanë shëndetshëm, ruajnë format, por as që e kam idenë se si kam jetuar deri tani. S'kam pasur as një ditë të lumtur në jetë. Kam punuar gjithmonë shumë, kam lëvruar tokën. Jam e lodhur. Jeta e gjatë nuk është një dhuratë nga Zoti, por dënim për mua". Fqinjët tregojnë se 6 vite më parë, Koku humbi edhe vajzën e fundit që i kishte ngelur gjallë, Tamarën, e cila jetoi deri në moshën 104 vjeçare. Gruaja flet mirë, ushqehet mirë, të mban me muhabet, por sytë po e tradhtojnë. Koku shprehet: "I mbijetova luftës civile ruse, pas revolucionit bolshevik, Luftës së Dytë Botërore, luftërave në Çeçeni dhe tani jam shumë e bindur që nuk kam pasur aspak një jetë të lumtur. Më kujtohet kur tanket gjermane kalonin para shtëpisë sonë. Isha e frikësuar, por mundohesha të mos e shfaqja. Fshiheshim në shtëpi".

Në Rusi, 37 persona janë mbi 110 vjeç

Zyrtarët thonë për moshën e saj se shumë dokumente kanë humbur gjatë Luftës së Dytë Çeçene, nga viti 1999 në vitin 2009. Sipas një zëdhënësi zyrtar, në Rusi ka rreth 37 persona që janë mbi 110 vjeç, e megjithatë, është shumë e vështirë të vërtetohet mosha e saktë e Kokut, pasi nuk ka dokumente që ta vërtetojnë.

Kur pyetet se cila ishte koha më e lumtur në jetën e saj, ajo shprehet se, kjo kishte qenë kur ishte kthyer në vendlindjen e saj në Çeçeni, kur kishte ndërtuar shtëpinë me duart e veta dhe, përkundër asaj se shtëpia ishte nga balta, asaj i dukej sikur të ishte shtëpia më e bukur në botë. Ajo kishte qëndruar 13 vjet e dëbuar, sipas urdhrave të Stalinit. Se shtëpinë në fjalë e ndërtoi vetë plaka, e konfirmon edhe stërstërmbesa e saj, Medina, 15 vjeçe, e cila është përzgjedhur nga familja që të përkujdeset për plakën. Plaka Koku kujton se, gjatë përzënies së njerëzve,ata që vdisnin në tren, hidheshin jashtë për t'u ngrënë nga qentë e egër. 'Askush nuk lejohej t'i varroste të vdekurit. Ata iu hidheshin qenve, sikur që ishte vepruar edhe me njerkun tim. Për ushqim na jepnin peshq të kalbur', thotë plaka. 

U martua vonë, pasi fshati ia gjeti një burrë

Stalini paranojak konsideronte se çeçenët kishin bashkëpunuar me nazistët, prandaj i ndëshkonte duke i larguar nga atdheu i tyre, duke i dërguar në Kazakistan, ku situata ishte tepër e vështirë. "Nuk kishte mjekë. Djali im i vogël u prek nga një sëmundje dhe shpejt ndërroi jetë. Ngjarje të tilla ndodhnin në çdo familje. Gratë që lindnin fëmijët e tyre, shpesh vdisnin gjatë lindjes, meqë nuk kishte mjekë", thotë plaka, e cila më pas fillon të qajë për vdekjen e vajzës së saj, Tamara, e cila vdiq pak vite më parë. Koku thotë se kurrë nuk kishte shkuar në shkollë. 'Kam filluar të punoj që nga fëmijëria e hershme. Çdo ditë të lume kam punuar tokën". Ajo mblidhte pambuk dhe misër, si dhe përkujdesej për vëllezërit dhe motrat më të vogla. Ajo u martua vonë, pasi fshati ia gjet një burrë nga një fshat tjetër. 'Nuk e njihja aspak atë njeri. Por, më pas fillova ta doja. Nuk ishte aspak i bukur. Emrin e kishte Magomed dhe ishte më i ri se unë", thotë plaka me buzën në gaz. Kur pyetet se ku qëndron sekreti i jetëgjatësisë së saj, Koku thotë se nuk ka bërë asgjë me qëllim për të jetuar më gjatë. Asaj i pëlqen mishi dhe supa, por edhe kosi. Në fund, pyetet: 'Pse o Allah ma dhe një jetë kaq të gjatë, me kaq pak lumturi? Do të vdisja kaherë, sikur të mos isha në dorën e Allahut". 

 

(Kosova Sot)