BE-ja ua ngreh veshin pushtetarëve TANË, DREJTËSIA E KORRUPTUAR

  • 15 October 2018 - 08:20
BE-ja ua ngreh veshin pushtetarëve TANË, DREJTËSIA E KORRUPTUAR

Preteni: Titullarët e institucioneve tona nuk kanë dinjitet, janë të korruptuar dhe të shantazhuar 

"Realisht në Kosovë nuk mund të ketë drejtësi efikase derisa lëndët janë bërë objekt i shitblerjes e trafikimit dhe kur gjyqësori dhe prokuroria dirigjohen nga politika e inkriminuar. Prandaj, me plot të drejtë shqetësimi i eurodeputetëve është ritheksuar dhe është i argumentuar. BE-ja ka një monitorim të fuqishëm me mekanizmat dhe institucionet e veta në Kosovë, që raportojnë për të gjitha veprimet, madje në detaje, prandaj askush nuk mund të hartojë raporte të pavërteta për të mashtruar strukturat e BE-së", thotë analisti Naim Kelmendi për gazetën "Kosova Sot"

Duke u nisur nga fakti që deputetët e Parlamentit Evropian sërish kanë ngritur shqetësimet e thella për përhapjen e korrupsionit, ndërhyrjen në gjyqësor si dhe elementet e shtetit të kapur, njohësit e fushës së sundimit të ligjit në vend, theksojnë se ky shqetësim i euro parlamentarëve është plotësisht i arsyeshëm, ngase institucionet e shtetit të Kosovës janë munduar vetëm të improvizojnë kinse po punojnë në fuqizimin e shtetit ligjor dhe luftimin e krimit e korrupsionit, por asnjëherë nuk kanë arritur të japin prova bindëse për një veprim konkret dhe të argumentuar. Prandaj, sipas analistëve, edhe në BE me të drejtë ngrihet shqetësimi se nuk mund të ketë drejtësi në këtë vend, ku lëndët i mbulon pluhuri e drejtësia nuk ndahet për qytetarët dhe drejtësia shitet e trafikohet sikur në treg. Se sa i brishtë dhe jofunksional është sistemi i drejtësisë në Kosovë, sipas ekspertëve të kësaj fushe, më së miri flet realiteti i deritanishëm, pse askush deri më sot nuk e mori përgjegjësinë për dështimin e qëllimshëm të sistemit të drejtësisë për gjitha këto vite të mosfunksionimit të pasluftës, prandaj vetëm një proces i Vetting-ut do ta trondiste dhe do ta rregullonte në themel sistemin e drejtësisë në Kosovë. Dhe nëse bëhet ky VETTING është më se e sigurt që shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do të mund të arsyetonin pasuritë e tyre milionëshe që i kanë krijuar përmes procesit të korruptimit permanent e të pandalshëm ndër shumë vite, prandaj e vetmja mundësi që shpresa e qytetarëve do të mund të kthehej tek drejtësia e re ka mbetur vetëm kur të pastrohet gjyqësori e prokuroria dhe institucionet tjera të shtetit pa dallim nga korrupsioni dhe krimi i organizuar

PRETENI: PA NJË PRESION MË TË MADH NDËRKOMBËTAR NUK DO TË MUND TË INSTALOHET DREJTËSI EFEKTIVE DHE E PAVARUR Sipas ish-kreut të AKK-së, Hasan Preteni, sado që ky konstatim i eurodeputetëve është shqetësues, pa një presion më të madh ndërkombëtar nuk do të mund të instalohet drejtësi efektive dhe e pavarur, sepse deri më tani është parë si mashtrojnë politika dhe njerëzit e saj të instaluar gjithandej në institucionet e drejtësisë. "E çka duhet tjetër! Pa ndihmën ndërkombëtare, fatkeqësisht, nuk e fituam as lirinë, nuk po e bëjmë shtetin, nuk po e bëjmë as ushtrinë dhe nuk po e fuqizojmë as shtetin. Nuk ka sundim të ligjit! Po edhe për këtë duhet që të na i ngrehin veshët ndërkombëtarët!? Ky është mjerim! Në letër dhe me legjislacion i kemi të gjitha, por shtrohet pyetja se si dhe sa po zbatohen ato? Në realitet nuk ka zbatim të ligjit, nuk ka sundim të shtetit ligjor. Ligjet zbatohen në mënyrë fakultative. Kjo i bie zbatoje nëse dëshiron, nëse ke personalitet dhe integritet, por nëse ke mungesë të tyre vepro si të duash. Nuk ka kujdestari mbi zbatueshmërinë e ligjit, nuk ka forcë shtetërore që të detyron që ta zbatosh ligjin. Gjithçka po varet nga edukata dhe morali personal, e që shumicës së titullarëve u mungojnë që të dyja. Titullarët e institucioneve tona nuk kanë dinjitet, janë të korruptuar dhe të shantazhuar. Fatkeqësisht këto antivlera po i shpërfaqin për çdo ditë, duke vendosur njerëz të tillë nëpër institucione shtetërore dhe duke i stimuluar, se antivlerat në fakt janë vlera. Ky mentalitet i stërzgjatur që dy dekada fatkeqësisht na u është ngulfatur në kokat e njerëzve të "thjeshtë" të kombit. Je në pozitë udhëheqëse dhe i ke punësuar të gjithë familjarët, ke bërë kapital dhe ke siguruar patundshmëri për gjenerata të tëra, ke vlerë dhe je i aftë. E kjo është katastrofa kolektive. Çdo mëngjes duhet filluar me lutjet, jemi me fat që jemi nën vëzhgimin ndërkombëtar, jemi me fat që jemi nën monitorimin e shteteve më demokratike të botës. Në të kundërtën falimentimi kombëtar dhe shtetëror kishte me përfunduar qëmoti", theksoi ish-kreu i Antikorrupsionit, Hasan Preteni, për "Kosova Sot"

Aliu: Vetting-u do të trondiste në themel sistemin e drejtësisë në Kosovë Edhe sipas analistit politik Bislim Aliu, europarlamentarët e kanë detektuar fare mirë se sa i infektuar është sistemi i drejtësisë në Kosovë nga krimi e korrupsioni, nga mosfunksionimi i tij i drejtë, prandaj këtë kosto ka rrezik që të vazhdojnë ta paguajnë qytetarët e pafajshëm."Me të drejtë deputetët e Parlamentit Evropian kanë ngritur edhe një herë shqetësimet e thella për përhapjen e korrupsionit, ndërhyrjen në gjyqësor, si dhe elementet e shtetit të kapur. Dëshmitarë të këtij realiteti jemi ne, qytetarët e Kosovës, që po vazhdojmë dita-ditës ta pyesim veten se si mund të ketë drejtësi kështu në këtë vend, kur përherë lëndët ose i mbulon pluhuri për një kohë të gjatë, ose manipulohen ato dhe drejtësia asnjëherë nuk ndahet si duhet për qytetarët, por ajo shitet e trafikohet sikur të ishte një mall për treg", theksoi Aliu për "Kosova Sot". Sipas Aliut, nëse faktori ndërkombëtar nuk i detyron partitë politike dhe krerët e institucioneve që ta bëjnë një VETTING edhe në Kosovë, atëherë mafia do të arrijë edhe më lart në kulmin e shtetit. "I druaj një situate të tillë, ngase deri më sot askush nuk e mori përgjegjësinë për dështimin e qëllimshëm të sistemit të drejtësisë, për të gjitha këto vite të mosfunksionimit që nga paslufta. Ndaj, për këtë, vetëm një proces vetting-u do ta trondiste e do të rregullonte në themel sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe është fare e sigurt që shumica e madhe e gjyqtarëve e prokurorëve nuk do të mund të arsyetonin pasuritë e tyre milionëshe, që gjithsesi i kanë krijuar përmes procesit të korruptimit permanent dhe të pandalshëm për shumë vite", theksoi analisti Bislim Aliu.

KELMENDI: NË KOSOVË NUK MUND TË KETË DREJTËSI KUR GJYQËSORI DHE PROKURORIA DIRIGJOHEN NGA POLITIKA E INKRIMINUAR Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, rikthimi i shqetësimit të madh për mosfunksionimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë, sidomos në sistemin e drejtësisë, që është bërë përsëri temë në Parlamentin Evropian, ka rrezik serioz që ta ngadalësojë akoma më shumë procesin e përfarimit të Kosovës në rrugën e integrimit në BE, por gjithashtu mundë të ketë ndikim negativ edhe në pritjet për liberalizimin e vizave. "Me këtë gjendje katandisëse në sistemin e drejtësisë, me rreth 400 mijë lëndë të pazgjidhura, që është çereku i popullatës dhe të cilat po rriten në vazhdimësi dhe nuk po zvogëlohen, nuk mund të ketë drejtësi në Kosovë. Realisht në Kosovë nuk mund të ketë drejtësi efikase derisa lëndët janë bërë objekt i shitblerjes e trafikimit dhe kur gjyqësori dhe prokuroria dirigjohen nga politika e inkriminuar. Prandaj, me plot të drejtë shqetësimi i eurodeputetëve është ritheksuar dhe është i argumentuar. BEja ka një monitorim të fuqishëm me mekanizmat dhe institucionet e veta në Kosovë, që raportojnë për të gjitha veprimet, madje në detaje, prandaj askush nuk mund të hartojë raporte të pavërteta për të mashtruar strukturat e BE-së. Gjendja në terren është ndryshe nga që raportohet në letra fiktive, sepse fatkeqësisht edhe më tutje Kosova nuk po i nënshtrohet një procesi të reformimit në sistemin e drejtësisë, i cili duhet të jetë proces që i përfshin të gjitha nivelet e pushtetit", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". "Derisa tani jemi në një situatë të mosfunksionimit të asnjë institucioni të mirëfilltë në kapacitetet e duhura, derisa jemi në këtë situatë krize me institucionet pezull, sot për nesër, shpresa e vetme mbetet se mbase Parlamenti i ri i Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet në pritje. Si institucioni kryesor legjislativ në vend do të duhej të inkuadrohet në reformimin e sistemit të drejtësisë, e sidomos duke e përgatitur bazën ligjore për reforma, por edhe duke e kontrolluar qeverinë në atë mënyrë që t'ia pamundësojë ndërhyrjen apo ndikimin në zgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, t'ia pamundësojë ndikimin dhe ndërhyrjen në vendimmarrje, sidomos në rastet që kanë të bëjnë me krim të organizuar, korrupsion, çështjen e bartjes së pronave dhe veprave të tjera, të cilat konsiderohen si të kualifikuara dhe që zakonisht kryhen nga politikanët, apo njerëz të veshur me petkun shtetëror", theksoi analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot".
 

(Kosova Sot)