Tërheqja e Bankës Botërore nga "Kosova e Re", grusht i rëndë për bizneset

  • 15 October 2018 - 08:22
Tërheqja e Bankës Botërore nga
Salihu: Qeveria "Haradinaj" po e fsheh të vërtetën për këtë dështim të madh


Nga heshtja e Qeverisë kuptojmë se pushtetarët tanë të pasluftës nuk po shfaqen fare të shqetësuar as kur partner të rëndësishëm, si Banka Botërore, tërhiqen nga projekte madhore, siç është Termocentrali "Kosova e Re". Veç saj, mbetet një enigmë se si Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar marrëveshjen kur rreth 20 milionë euro do të paguante në rast të dështimit apo tërheqjes nga marrëveshja me kompaninë "Contour Global" për ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re"? Andaj, nga analistë dhe deputetë të opozitës vlerësohet se kjo është një marrëzi dhe një tradhti e radhës e Qeverisë së Kosovës, duke rrezikuar që të bankrotojë buxhetin e shtetit me dënimet që si duket qëllimisht po i merr përsipër me kontratë që t'i paguajë. Andaj sipas analistëve ky është edhe një tregues i qartë dhe po tregon tërheqja e Bankës Botërore nga një projekt i tillë sikur po na tregon se Kosova është vend i pasigurt për investime. Andaj nga njohësit e kësaj fushe vlerësohet se Qeveria 'Haradinaj' po e fsheh të vërtetën për këtë dështim të madh, që do të ketë pasoja financiare, ekonomike dhe politike.|

Salihu: Qeveria ishte tejet jotransparente me këtë projekt Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot" thotë se si opozitë nuk i ka habitur fare heshtja e Qeverisë "Haradinaj" që nuk po shfaqet fare e shqetësuar as kur partnerë të rëndësishëm, si Banka Botërore, tërhiqen nga projekte madhore, siç është TC-së "Kosova e Re". "Fundja për ne si opozitë kjo është edhe një marrëzi dhe një tradhti e radhës e Qeverisë së Kosovës që po e rrezikon të bankrotojnë buxhetin e shtetit me dënimet, që si duket qëllimisht po i merr përsipër me kontratë që t'i paguajë", është shprehur ai. Sipas Salihut, kjo edhe është arsyeja se përse Qeveria "Haradinaj" po e fsheh të vërtetën për këtë dështim të madh, sepse ky dështim kësaj radhe do të ketë pasoja financiare, ekonomike dhe politike. "Nuk mundet që të shpjegohet ndryshe se si Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar marrëveshjen kur rreth 20 milionë euro do të paguante në rast të dështimit apo tërheqjes nga marrëveshja me kompaninë "Contour Global" për ndërtimin e Termocentralit "Kosova e Re". Ndonëse jemi opozitë, ne do ta përkrahnim një projekt po qe se do të zgjidhte për një kohë të gjatë, 20- 30 vjet, furnizimin me energji elektrike. Por, e keqja e këtij projekti është se si i tillë ky projekt, me një kosto miliardëshe, kur do të përfundonte me kapacitetet e tija prodhuese prej vetëm 600 MW, nuk do ta zgjidhte për një kohë të gjatë problemin e furnizimit stabil me energji elektrike në Kosovë dhe si i tillë konsideroj se ka qenë një projekt i dështuar dhe i gabuar. Prandaj e përsëris edhe një herë se po u vazhdua me këtë projekt Qeveria e ka përkrahjen e një projekti që nuk e zgjidh problemin e energjisë elektrike në Kosovë", është shprehur deputeti Salihaj për "Kosova Sot". 

GRAPCI: E MIRËSEARDHUR SA MË SHPEJT QË TË IKË KJO QEVERI Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se tërheqja e Bankës Botërore për Qeverinë e Kosovës do të duhet të jetë një lajm shumë shqetësues e jo të qëndrojë aq indiferent e mos të deklarohet, sikur nuk ka ndodhur asgjë. "Qeveria 'Haradinaj' nuk do të duhej që qëndronte indiferente, por duhet që të deklarohet haptazi se kjo tërheqje është një grusht i rëndë për bizneset dhe kompanitë vendore e të huaja. Duhet ditur se Banka Botërore është një institucion financiar ndërkombëtar me renome, që informata së pari kalon në atë institucion, po ashtu është një institucion që nuk merr hapa aty për aty, por duke u bazuar në raportet kredibile dhe me informata të sakta. Bazuar në kredibiltetin e Bankës Botërore, kjo sikur po na tregon që Kosova nuk ka një raport të pranueshëm me Bankën Botërore, duke bërë që të tërhiqet nga një investim shumë domethënës për të ardhmen ekonomike të Kosovës. Veprimi i BB-së është edhe një argument për Qeverinë e dobët 'Haradinaj', por edhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik. Kjo po na tregon se sa është e dëmshme çdo ditë e kësaj qeverie dhe se do të ishte e mirëseardhur një ditë më pak e kësaj keqqeverisje", është shprehur analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot". 

SHAHINI: SINJALI MË NEGATIV QË PO E DËRGON QEVERIA Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, për "Kosova Sot" theksoi se për bizneset është një lajm i keq tërheqja e Bankës Botërore nga financimi i këtij projekti."Jam shumë i bindur se kjo tërheqje e BB-së do të jetë sinjali më negativ që po e dërgon Qeveria aktuale te investitorët e huaj potencialë që duan të investojnë në Kosovë. Tërheqja e BB-së sikur e ka dhënë alarmin se edhe në të ardhmen në Kosovë nuk do të ketë energji të mjaftueshme elektrike, gjë që pa asnjë dyshim do të trembë investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë. Duhet qenë realë se gati askush nuk rrezikon që të investojë në një vend që ka probleme me furnizim të rregullt me energji elektrike", tha ai.

Abazi: Të shqetësohet investitori "Contour Global" Njohësi i çështjeve ekonomike e financiare, Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se tërheqja e Bankës Botërore nga financimi i TC-së "Kosova e Re" do të duhej që të shqetësonte investitorin "Contour Global" e jo Qeverinë e Kosovës". Ai mendon se ndërtimin e TC-së "Kosova e Re" mund ta financojnë bankat komerciale, marrë parasysh se ky projekt parashihet të jetë shumë rentabil, duke kthyer investimin në më pak se 6 vjet. "Ndërsa lidhur me gjobën e kontraktuar prej 19 milionë eurosh në rast të tërheqjes së Qeverisë, mendoj se kjo formë e kontraktimit është shumë më e mirë sesa kontratat e mëparshme të llojit të tillë, ku qeveria nëpërmes arbitrazhit mund të gjobitej me shuma edhe më të larta", është shprehur ai. Eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se tërheqja e Bankës Botërore nga financimi i pjesshëm i Termocentralit "Kosova e Re" është një lajm i keq për shtetin tonë. Ky projekt i domosdoshëm për shtetin tonë, është dashur të jetë në punë 10 vjet më parë. Për shkak të mosndërtimit të një impianti me fuqi 500 MW, Kosova humb mbi 150 milionë euro në vit. Po të ishte ndërtuar me kohë, investimi do të ishte shlyer i tëri. 20 milionë që do të humben nëse dështon projekti nuk është asgjë në krahasim me dëmin e shkaktuar deri tash", është shprehur ai. Tutje ka shtuar se mungesa e energjisë nuk i siguron bizneset dhe industrinë e vogël me furnizim të pandërprerë, zbeh shumë klimën edhe ashtu të keqe për investitorë të huaj, krijon një pasiguri të madhe në përgjithësi."Tërheqja e BB-së është një njollë e zezë për investimet e huaja edhe në fushat tjera të industrisë. BB-ja nuk është tërhequr nga ky projekt për shkak të politikave të saja në fushën e mbrojtjes së mjedisit, sepse ndërtimi i një TC-je me teknologjinë bashkëkohore ka arsyeshmëri të mjaftueshme mjedisore, aq më parë kur dihet se ndërtimi i një TC të ri krijon mundësi për rehabilitimin e TC-ve të vjetra". Së këndejmi, sipas Istogut, BB-ja është tërhequr për dy shkaqe: Njëri është pasiguria politike e krijuar kohëve të fundit rreth temave të bisedimeve me Serbinë dhe e dyta për shkak se klanet politike tentojnë të kontrollojnë investimet dhe stafin e angazhuar nga kompania kontraktuese për qëllime të ngushta klanore. Tendenca e klaneve të caktuara politike për të kontrolluar paratë e investuara për TC ka shtyrë këtë projekt për më shumë se 10 vjet. Të gjitha qeveritë e kanë pasur këtë projekt si prioritet, por nuk ia kanë dalë që ta ndërtojnë, sepse është lufta politike për kontrollin këtij resursi të madh. Kjo tregon sa e dobët dha sa e kriminalizuar është klasa jonë politike", është shprehur Istogu. 

(Kosova Sot)