Kadaj-Bujupi: Çdo fëmijë deri në 16 vjeç të gëzoj shtesa

  • 15 October 2018 - 17:28
Kadaj-Bujupi: Çdo fëmijë deri në 16 vjeç të gëzoj shtesa

Në bazë të kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi ka filluar debati parlamentar në lidhje me shtesat e fëmijëve, ku iniciuesja e debatit kërkoi që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzoj shtesa.

Sipas saj tash është momenti kur një gjë e tillë të ndodh, sepse pikërisht kjo çështje është përmendur gjithmonë gjatë fushatave zgjedhore.

“Janë dy arsyeje kryesore pse kjo konsideroj që duhet të ndodh, e para barazia ndërmjet fëmijëve është parakusht për zhvillimin e tyre, pra përfshirja e tyre në arsim, luftimi i varfërisë, i kequshqyerjes, angazhimi për barazi dhe për solidaritet ndërmjet fëmijëve, është punë në të cilën duhet të investojmë të gjithë, si të zgjedhur të popullit. E dyta, Kosova është me popullatën më të re në Evropë, ka një rënie të natalitetit, ku prej vitit 2011 deri në vitin 2017 është i tillë, jon 70 mijë lindje më pak, pra të nderuar koleg-deputetë në një periudhë kohore më pak se gjashtë vite kemi 70 mijë lindje më pak”, u shpreh Kadaj-Bujupi.

Sipas Kadaj-Bujupit institucionet e vendit nuk kanë hartuar ende ndonjë plan për të parandaluar rënien e natalitetit. Ajo ka përshëndetur projektligjin për pushimin e lehonave, mirëpo ka vlerësuar se nuk është e mjaftueshme, duke thënë se duhet të shtohen edhe shtesat për fëmijë.

Ajo ka paraqitur para deputetëve një rezolutë e cila përbën dy rekomandime.

Kadaj-Bujupi: Çdo fëmijë prej moshës 0-16 vjeç të gëzoj shtesa.

“Rekomandimi i parë: çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzoj shtesa, çdo muaj duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore dhe numrit të fëmijëve për familje kjo shumë të rritet dhe të shtohet. Dhe e dyta, rekomandimet nga rezolutat të zbatohen përmes buxhetit të vitit të ardhshëm duke u shndërruar në kod dhe vijë buxhetore në kuadër të Ministrisë përkatëse, aktualisht nga këto shpenzime mund të shfrytëzohen rreth tre përqind të buxhetit aktual” tha Kadaj-Bujupi.

Sipas saj, rreth 500 mijë fëmijë të cilët nëse do të gëzojnë këtë mundësi, për ta do të shfrytëzohen vetëm rreth tre për qind e buxhetit të shtetit.

Në këtë debat kanë munguar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes.

(Kosova Sot)