Ferizajasi rrëfehet si e rrahu bashkëqytetarin me kondak të alltisë

  • 15 October 2018 - 19:35
Ferizajasi rrëfehet si e rrahu bashkëqytetarin me kondak të alltisë

Blerim Emini nga Ferizaj ka rrëfyer sot para Gjykatës në Gjilan ngjarjen e 24 nëntorit 2014.

Ngjarja ishte zhvilluar në një kazino në rajonin e Vitisë.

Prokuroria në aktakuzën e saj shpjegon se Emini e kishte goditur të dëmtuarin A.H. prapa koke me kondakun e revoles.

I ulur në bankën e të akuzuarve, Emini ka pranuar fajësinë.

“E kam sulmuar të dëmtuarin me kondak të pistoletës dhe të njëjtit i kam shkaktuar lëndime të rënda trupore. Arma ka qenë pa leje dhe revolja ka qenë e modifikuar 7, 65 mlm, dhe e njëjta i ka pasur 4 fishekë. Pra, e pranoj fajësinë në të gjitha pikat e akuzës”, ka thënë para Gjykatës i pandehuri Blerim Emini, raporton kallxo.com.

Ai madje ka kërkuar mëshirë nga i dëmtuari për shkak se ka thënë se është penduar.

“I kërkoj falje publike të dëmtuarit dhe premtoj se në të ardhmen nuk do të ndodhë diçka e tillë dhe kërkoj nga gjykata që t’më shqiptojë një sa më të butë që është e mundur dhe atë për arsye familjare”, tha Blerim Emini në fjalën përfundimtare.

Seanca u ndërpre nga kryetari i trupit gjykues, i cili njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 tetor.

 

(Kosova Sot)