Oligarkët palojnë miliardat, qytetarët mezi hanë bukë

  • 16 October 2018 - 08:29
Oligarkët palojnë miliardat, qytetarët mezi hanë bukë

Drejtësia duhet të hetojë origjinën e parave të dyshimta 

"Bazuar në situatën shumë të vështirë të bërjes së biznesit në Kosovë, e them lirshëm se edhe depozitat e bankave, që kanë arritur deri mbi 3 miliardë euro deri në tetor të këtij viti, nuk janë të qytetarëve që punojnë sa për mbijetesë. Prandaj, për mendimin tim, këto depozita në bankat tona janë para të pista të grupeve të mafiooligarkëve dhe pushtetarëve tanë të përlyer deri në fyt me korrupsion, por edhe të biznesmenëve të cilët merren me shpëlarjen e parave etj. Është për keqardhje se si shteti i Kosovës është bërë një parajsë për oligarkët e mafio-bizneseve, që janë bërë kapot e ekonomisë vendore", thotë deputeti Ali Lajçi për "Kosova Sot" 

Vlera e depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovës, deri në tetor të këtij viti kanë arritur në mbi 3 miliardë euro. Por, analistët e ekonomisë dhe deputetët e opozitës vlerësojnë se shumica e pasurisë e akumuluar në banka, përfshirë edhe shumë miliarda të tjera në parajsat fiskale, në fakt kryesisht është para e politikanëve, pushtetarëve dhe klaneve të tyre, që janë bërë pasanikë në saje të pushtetit.Sipas ekspertëve, qytetarët e varfër dhe bizneset që nuk janë të lidhura me nëntokën kriminale janë të zhytur në kredi duke marrë para në bankat tona edhe për gjëra më elementare të biznesit. Deputeti Ali Lajçi (LVV), për gazetën "Kosova Sot", thotë si është bërë Kosova e pasluftës si një shtet ku nuk sundon rendi dhe ligji dhe është shumë e vështirë të bësh biznes të ndershëm . "Ngase, po nuk je pjesë e nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve, nuk ka biznes në Kosovë", u shpreh ai. Sipas tij, kjo ka bërë që përfitimet nga rritja ekonomike kanë shkuar vetëm te një pjesë e vogël e mafio-kompanive, që janë dorë e zgjatur e pushtetit, të cilat janë bërë të pasura. "Ndërsa e tëra kjo ndodh vetëm përmes lidhjeve me pushtetarët më të lartë, duke i shfrytëzuar tenderët publikë për pasuri marramendëse dhe duke krijuar monopole të kundërligjshme dhe antikushtetuese në shumë fusha të ekonomisë ", theksoi më tej Lajçi. 

Kosova, parajsë e mafio-oligarkëve
Sipas deputetit Lajçi, dyshohet se pasuritë marramendëse këto familje të lidhura me pushtetarët i kanë bërë në saje të monopoleve në shumë fusha të ekonomisë, që e arritën me bekimin e pushtetarëve të kriminalizuar dhe me ndihmën e ish-pushtetarëve të deritashëm që duket se i shndërroi këto familje të mafio-biznesmenëve në një grup të madh të mafio-oligarkëve nga pas lufta. "Heshtjet e qeverive të pasluftës kanë bërë që pronat dhe bizneset kryesore të vendit kaluan te një grup njerëzish të caktuar dhe me këtë proces Kosova përjetoi goditjen më të madhe para qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare", vijoi ai. "Bazuar në situatën shumë të vështirë të bërjes së biznesit në Kosovë, e them lirshëm se edhe depozitat e bankave, që kanë arritur deri mbi 3 miliardë euro deri në tetor të këtij viti, nuk janë të qytetarëve të cilët punojnë sa për mbijetesë. Prandaj, për mendimin tim, këto depozita në bankat tona janë para të pista të grupeve të mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve tanë të përlyer deri në fyt me korrupsion, por edhe të biznesmenëve të cilët merren me shpëlarjen e parave etj.", ka thënë opozitari Lajçi. Sipas tij, është për keqardhje se si shteti i Kosovës është bërë një parajsë për oligarkët e mafio-bizneseve, që janë bërë kapot e ekonomisë vendore.

Klientelizëm dhe oligopol bankar
Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën "Kosova Sot", thotë se bankat komerciale, të cilat veprojnë në Kosovë, leverdinë po e shohin tek pagesat e qytetarëve për shërbimet, e më pak tek kreditimi i ekonomisë. "Pasi ndër vite kanë krijuar një klientelizëm të madh, ato janë fokusuar në tarifime të larta për shërbime ndaj klientëve të tyre", u shpreh ai. "Jemi dëshmitarë se shërbimet bankare kanë shënuar rritje marramendëse kohën e fundit, siç është parë një shërbim arrin deri në pesë euro provizion, çka edhe ka hasur në kundërshtim të qytetarëve, pasi çdo ditë ka ankesa nga më të ndryshmet për shkak të çmimeve të papërballueshme për xhepin e qytetarit", vlerësoi Beqiri. "Vlera e depozitave të klientëve në dhjetë bankat komerciale në Kosovës, deri në tetor të këtij viti në mbi 3 miliardë euro, dhe duke krahasuar gjendjen financiare në vend është e habitshme se nga kanë ardhur këto para, përderisa bizneset ankohen për krizë dhe qytetarët jetojnë në varfëri ekstreme", ka thënë më tej ai. "Po të ishte Banka Qendrore funksionale, nuk do të ndodhte një gjë e tillë dhe se siç qarkullon në opinion informata se bankat kanë marrëveshje të fshehtë ndërmjet veti lidhur me çmimet dhe tarifat e aplikuara. BQK-ja është i vetmi autoritet në Kosovë që rregullon tregun bankar. Në një formë është duke mbrojtur interesat e bankave ekzistuese, prandaj bankat janë duke treguar fitime marramendëse në kohën e një krize ekonomike, por fitimet marramendëse të tyre nuk arsyetojnë këtë lloj të "fajdesë" vetëm se me letra në krahasim me fajdenë e ndaluar me ligj", ka shtuar Beqiri.

Klientët, në rrezik financiar
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën " Kosova Sot ", thotë se shumica e bankave në Kosovë janë vetëm degë të një banke që është jashtë Kosovës, si p.sh. " Raiffeisen Bank" që selinë e saj kryesore e ka në Gjermani, derisa banka"TEB",selinë e ka në Turqi, kurse "BKT"-ja, selinë e ka në Tiranë etj. "Këtu po luhet një lojë shumë e keqe nga bankat ardhacake në Kosovë, që po luajnë me klientelën kosovare si u do qejfi, pasi në fillim të veprimtarisë së tyre janë të hapur me klientët dhe mirëmbajtja e llogarisë ka qenë falas. Por, e keqja është se më vonë,duke mos të lajmëruar fare, këto banka të detyrojnë të paguash çdo muaj nga 2 euro e 50 centë për mirëmbajtje llogarie, që do thotë se të fusin në kurthe dhe të japin kredi me një interes të ulët për fillim", u shpreh ai. "Interesat bankare prej kredive janë shumë të larta, p.sh. nëse i merr 1000 euro kredi , ti je i detyruar t'i paguash bankës edhe 250 euro me shumë, kurse nëse klienti nuk arrin që t'i kthejë në kohe, banka më nuk merret me klientin, por me rastin tuaj merret një kompani private, e cila është formuar nga BQK-ja, që vjen në shtëpi dhe mundte t'i marrë pajisjet e shtëpisë deri në vlerën e shumës së kredisë që ke qenë i detyruar ndaj bankës që nuk e kthyer kredinë. Kështu që, qytetarët dhe bizneset e vogla, të cilët edhe nëse dëshirojnë të marrin kredi janë të obliguar ose të punojnë vetëm për bankën ose për vete, duke e ditur që edhe çmimet e ushqimi, rrymës, ujit etj., janë të larta për ekonominë e Kosovës", shpjegon më tutje Grapci. 

QYTETARËT TË SHKELUR
"Qytetaret e Kosovës duhet që t'i bojkotojnë këto banka, mund të orientohen te disa kompani të tjera shërbyese që tarifat i kanë 90 për qind më lirë, sidomos për pagesa, pra bojkoti ndaj tyre aktualisht është e vetmja mundësi, sepse nuk ka institucione që kanë dertin e qytetarëve, ato reagojnë vetëm nëse preken interesat e tyre personale", tha Lulzim Beqiri për "Kosova Sot".

LULËZOJNË FAJDETË!
"Politikat e pabarabarta për t'u qasur në subvencione,kushtet ekstreme të pafavorshme dhe procedurat e vështira për të marrë kredi në bankat komerciale,kanë bërë që të lulëzojë biznesi i zi i 'fajdeve'",u shpreh Zekim Istogu për "Kosova Sot".

TË HETOHEN DEPOZITAT
"Depozitat e bankave që kanë arritur deri mbi 3 miliardë euro deri në tetor të këtij, nuk janë të qytetarëve të cilët punojnë sa për mbijetesë, por këto depozita janë por mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve tanë të përlyer deri në fyt me korrupsion,por edhe të biznesmenëve të cilët merren me shpëlarjen e parave etj. Prandaj, për këtë çështje mendoj që duhet dikush të marrë masa dhe t'i hetojë këto të hyra se si është e mundur që brenda 10 muajve bankat e Kosovës të kenë depozita mbi 3 miliardë euro", tha Dardan Grapci për "Kosova Sot".

INSTALIMI I KRIMIT EKONOMIK
"Jemi në një situatë ku kjo elitë politike e ka instaluar një sistem që vetëm me letra është ekonomi e tregut, ndërsa në praktikë funksionon oligarkia e në rastet të caktuara edhe monopolet kur iu hyn në punë aleancës së krimit ekonomik. Për këtë çështje nevojitet që shteti të marrë masa dhe t'i hetojë këto të hyra se si është e mundur që brenda 10 muajve bankat e Kosovës të kenë depozita mbi 3 miliardë euro", tha Ramadan Maloku për "Kosova Sot".

Kamatat, të rënda për kompanitë
Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, përfaqësues i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën " Kosova Sot" thotë se pa asnjë dyshim se sot bizneset më të suksesshme janë bankat dhe institucionet mikrofinanciare që më së paku e kryejnë misionin e tyre ligjor, por janë kthyer në fajdexhinj të licencuar, ku çdo ditë e vjelin biznesin dhe qytetarin e Kosovës. "Në një vend me këtë praktikë ekonomike nuk mund të ketë të ardhme ekonomike ku bizneset më të suksesshme janë bizneset shërbyese që si një tregues jo i sigurt ekonomik, sepse shërbimet vijnë pas produktivitetit, pra pjesa dërrmuese e bizneseve dhe e familjeve janë të zhytur në kredi, duke e dhënë një atmosferë të zymtë dhe reklamim ekonomik. Kjo po ndodh, ngase kamatat dhe interesi i bankave më së paku është stimulues, por në momentin që biznesi hyn në kredi bankare në shumicën e rasteve fillon tatëpjeta e biznesit deri te falimentimi", theksoi ai. "Për të vërtetuar se në shërbim të kujt janë bankat komerciale, institucionet mikrofinanciare dhe sigurimet private, pjesa dërmuese anëtarë të bordeve ku kanë njerëz të politikës, që në njëfarë mënyre me bekimin e tyre veprojnë si biznese", potencoi Maloku. Ndërsa, eksperti i ekonomisë Zekim Istogu, për "Kosova Sot", theksoi se BQK-ja, në vend që të mbrojë politikat financiare të kredimarrësve, qofshin biznese apo ekonomi familjare, është nën ndikimin bankave komerciale, institucioneve mikrofinanciare. "Prandaj, e kemi situatën kur bankat komerciale në Kosovë, edhe pse vendi më i varfër kanë shënuar fitimet më të mëdha sesa në shumicën e vendeve të tjera evropiane ku kanë të njëjtën veprimtari", vlerësoi ai. "Qeveria ka aprovuar rregulloret, për subvencionimin e sektorëve të caktuar, por qasja në këto fonde është e pamundur pa paguar 'haraçin' te personat e caktuar, përgjegjës për implementimin e këtyre fondeve. Praktikisht këto fonde të ndara nga buxheti i shtetit duket se janë të destinuara vetëm për bizneset e lidhura me politikën", është shprehur Istogu. Sipas tij, si pasojë e kësaj qasjeje kemi këtë moszhvillim ekonomik, ngase eksporti mbulon importin vetëm me rreth 10 për qind, ndërsa papunësia është në nivelin me vendet me të pazhvilluara të Afrikës.  

(Kosova Sot)