Pas pavarësisë, VETTING-u do të ishte arritja më e madhe

  • 16 October 2018 - 08:20
Pas pavarësisë, VETTING-u do të ishte arritja më e madhe

BURJANI:Si e tillë kjo drejtësi s'mund të merret me njerëzit problematikë të politikës dhe me milionerët që u pasuruan me krim e me korrupsion!

"Ngritja dhe vënia në funksionim e VETTING-ut do të ishte ngjarja e dytë më e madhe pas Pavarësisë së Kosovës. Këtë duhet ta ketë të qartë opinioni publik kosovar, ashtu sikurse me të drejtë prej rreth dy vitesh e kërkon dhe ka bërë kërkesë publike si domosdoshmëri dhe si jetike për shtetin dhe demokracinë në Kosovë gazeta 'KOSOVA SOT'", thotë analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot"

Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët vazhdojnë të konstatojnë se në drejtësinë kosovare problemi më i madh mbetet zvarritja e qëllimshme e lëndëve, ku rreth 400 mijë lëndë vazhdojnë të "mrizojnë" nëpër gjykata, ndërsa shumica e tyre përfundojnë pastaj pa ndonjë verdikt dhe hidhen në koshin e plehrave. Duke u bazuar në këtë situatë, ata konstatojnë se në fakt se drejtësia është shkelësja më e madhe e të drejtave të njeriut, kur lëndët nuk shohin dritën si pasojë e neglizhencës dhe qytetarëve nuk u jepet drejtësia e merituar. Me këtë logjikë dhe praktikë të funksionimit të sistemit të drejtësisë së kapur nga politika, sipas njohësve të fushës, del se ka rënë edhe kredibiliteti në pikën më të ulët në sistemin e drejtësisë. Kjo ndodh kështu, sipas analistëve, pasi as KPK e as KGJK nuk po reagojnë fare ndaj gjendjes së rëndë në drejtësi dhe nuk marrin masa ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të dështuar, ose të kapur nga nëntoka kriminale e politikes dhe mafio-oligarkëve.

KELMENDI: ASNJË RAST I DËNUAR NGA AKUZAT E BËRA NUK ËSHTË E NIVELIT TË LARTË TË OLIGARKËVE EKONOMIKË DHE TË PUSHTETARËVE!
Edhe sipas profesorit të së drejtës,Muhamet Kelmendi, në sistemin e drejtësisë në Kosovë ka zvarritje të mëdha dhe ato tërësisht janë të lidhura me politikë dhe me interesat pasurore të mafisë oligarkike ekonomike dhe shtetërore."Ne drejtësi,kryesisht në fushën penale,kemi edhe raste të zgjidhura,por të nivelit të ulët,ku nuk janë të akuzuarit dhe të dyshuarit kryesorë,kryerës të nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit.Pra,nuk vijnë nga strukturat oligarkike ekonomike dhe politike.Asnjë rast i dënuar nga akuzat e bëra nuk është e nivelit të lartë të oligarkëve ekonomikë dhe të pushtetarëve",u shpreh ai.Sipas tij,të gjitha akuzat serioze të nivelit të lartë,jakave të bardha,kryesisht janë hedhur poshtë si të pakompletuara,me fakte kinse jo të mjaftueshme dhe të padëshmuara."Kështu ka ndodhur në tërë sistemin",ka thënë Kelmendi."Në fushën civile thjesht lëndët që kanë karakter të pronësisë,të shitblerjes dhe të privatizimit,janë lënë në arkiva dhe nuk janë shqyrtuar fare,e shkaku i kësaj neglizhence nuk është vetëm mungesa e gjyqtarëve dhe e personelit përcjellës,por kryesisht nga fakti se palët e akuzuara vijnë nga skena e lartë politike dhe miqtë e tyre,si dhe nga oligarkët ekonomikë që i kanë firmat nën kontroll dhe që janë të lidhur ngushtë me sistemin e drejtësisë",tha prof.Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Shkelja e pavarësisë së pushteteve
Eksperti i kësaj fushe, Blerim Burjani, thotë se kjo gjendje ka për të vazhduar për aq kohë sa politika nuk shkëputet nga ndikimi në këtë sistem dhe për aq kohë sa Kosova nuk ndërmerr veprime për hartimin dhe zbatimin e ligjit VETTING. "Drejtësia e kapur nuk ka koment tjetër ose diçka të re që mund të thuhet, kështu është derisa të gjendet solucioni që të respektohen pushtetet e ndara dha balanca e pushteteve të funksionojë, përderisa është kjo qeverisje e këtyre partive, kjo mbetet kështu si është, drejtësi në duart e politikës. Si e tillë kjo drejtësi s'mund të merret me njerëzit problematikë të politikës dhe me milionerët që u pasuruan me krim e me korrupsion. Këta janë të paprekshëm, e kotë është krejt loja në sundimin e ligjit, seanca të gjata, parashkrim të veprave, fshehje të lëndëve penale, abuzim skandaloz me drejtësi", theksoi Burjani për "Kosova Sot". 

SHKODRA: VJEDHËSIT, MASHTRUESIT E PLAÇKITËSIT, JANË MË TË RESPEKTUESHËM!
"Nuk mund të kryesh asnjë më të voglën punë pa të plaçkitur përfaqësuesit e institucioneve,apo nëpunësit,të cilët janë të mësuar e të ushtruar,pa u shqetësuar fare.Kemi thënë se këtë e marrin si mençuri,të kundërtën budallallëk e qyqari.Do të thotë, vjedhësit,mashtruesit e plaçkitësit,janë më të respektueshëm në ditën e sotme te ne.Prandaj,klasa politike,në rend të parë,e ka sjellë gjendjen kaotike në gjithë rrjetin e gjyqësorit,ngase nuk ka mbrojtje ligjore në mënyrë të barabartë për qytetarët",tha Shefki Shkodra për "Kosova Sot".

Kapja sistematike
Edhe sipas analistit politik dhe njohësit të kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, kjo gjendje është pasojë e kapjes së shtetit nga parapolitika dhe krimi i organizuar, duke përfshirë këtu edhe kapjen e sistemit të drejtësisë. "Kapja e shtetit ka ndodhur në mënyrë sistematike, të orkestruar e brenda ombrellës së partive politike që kanë udhëhequr që nga paslufta. Kjo frymë e instalimit politik, nepotik e klientelist, brenda institucioneve, ka prodhuar një gjendje të pahetueshme për qytetarët e Republikës. Gjykoj se fryma e tillë e gjyqësorit është në dëm të substancës së Republikës e shtetësisë së brishtë të Kosovës, e cila duhet të përfundohet brenda mundësisë sa më të shpejtë", u shpreh ai. "Ndryshimeve të tilla substanciale në gjyqësor duhet t'u prijë vullneti politik, duke bërë një reformë substanciale në legjislacion, por njëkohësisht duhet të jetë një dorë e hekurt politike, e cila do të implementojë legjislacionin. Vettingu është shpresë dhe mundësi për gjyqësorin, i cili do të prodhojë një gjendje të re në gjyqësor, duke u përkthyer në efektivitet, efikasitet të gjyqësorit dhe vënien në binarë të drejtësisë", theksoi Ahmeti. Sipas analistit Shefik Shkodra, për këtë gjendje në sistemin e drejtësisë më së miri ka folur Parlamenti Evropian. "Shqetësimet e evropianëve për korrupsionin janë njëherësh edhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës. Ky vend nuk do t'i 'qelë sytë' pa pushuar korrupsioni dhe krimi i organizuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar do të pushojnë kur do të pushojë edhe kjo klasë politike bashkë me këta gjykatës dhe prokurorë të sotshëm. Një i ashtuquajtur VETING do ta pastronte këtë skenë e këtë teatër që po zhvillohet çdo ditë në këtë truall. Dhe jo veç largimin e tyre nga froni, por edhe marrjen e pasurisë së 'fituar' në mënyrë të paligjshme. Ndjekja e tyre me ligj do të duhej të bëhet prej më të madhit e deri te më i vogli", potencoi ai. "Rrjeti i korrupsionit është i përhapur kënd e skutë të këtij vendi. Nuk vend, institucion, që nuk është i zhytur në mashtrime dhe përfitime të jashtëligjshme", vlerësoi Shkodra për "Kosova Sot". 
 

KAPITI: PUSHTETI E DREJTËSIA POLITIKE JANË TË KORRUPTUARA E TË KRIMINALIZUARA
Sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Skënder Kapiti, askush nuk e merr përgjegjësinë në Kosovë për dështimin e politikës, të pushtetit dhe të drejtësisë, sepse autorët janë vetë politika e kriminalizuar dhe pushteti e drejtësia politike që edhe këto janë të korruptuara e të kriminalizuara. "Jo vetëm se nuk marrin përgjegjësinë, por këta janë penguesit kryesorë, të cilët përpiqen me çdo mënyrë për ta penguar e bllokuar çdo përpjekje e nismë politike, juridike, mediatike, shoqërore e publike për ndërtimin dhe funksionimin e ligjit dhe të shtetit ligjor", vlerësoi ai."Shteti i kapur nga mafio-krimi dhe nga korrupsioni i lartë politiko-juridik shtetëror nuk mund të çlirohet pa çlirimin e drejtësisë nga kthetrat e politikës dhe të kastës juridike, të cilën politika e ka ngritur dhe instaluar në sistemin e drejtësisë. Është për t'u habitur me faktin se politika dhe drejtësia në Kosovë ka marrë modelin e politikës dhe të drejtësisë në Shqipëri dhe si rezultat i së cilës opinioni publik kosovar nuk i beson drejtësisë në Kosovë në masën mbi 90%, aq sa është pabesueshmëria te drejtësia shqiptare e shqiptarëve në Shqipëri", tha Kapiti për "Kosova Sot". Ai e shtron pyetjen se a do të mundet vallë që kjo politikë dhe kjo drejtësi e saj të marrë përgjegjësinë për vetë hetimin dhe për vetëpastrimin e saj. "Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Pra, sa për politikanët, pushtetarët dhe për gjyqtarët e prokurorët kosovarë aktualë kurrë nuk do të kemi as VETTING dhe as ndërtim të shtetit demokratik e ligjor. Reformimi i drejtësisë ,apo ngritja dhe funksionimi i VETTING-ut, do të ishin të barasvlershme me një revolucioni demokratik-ligjor që do të "shpartallonte" këtë elitë politike dhe këtë llum drejtësie të mbeturinave ish-komuniste, të kësaj drejtësie thellësisht politike dhe të korruptuar e të kriminalizuar", ka theksuar më tutje Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)