Shebenik-Jabllanica, parku më i vizituar nga të rinjtë
Kjo është stina kur ky park kthehet në një destinacion turistik për vizitorët e natyrës dhe të aventurës. Bimësia fillon të ndërrojë ngjyrë, gjethet vizatojnë në tokën ku bien tapetet e verdhë dhe reshjet nuk kanë filluar akoma.
Është një vend i thyer me kontraste të forta gjeografike, ku mund të gjesh që nga fushat e blerta, lumenj, shpella deri te lartësitë e maleve me borë.
Pothuajse i panjohur për pjesën më të madhe të vendit, vitet e fundit, Parku Kombëtar i Shebenikut ka nisur të promovohet dhe të nxisë tërheqjen e turistëve.
Drejtoria e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Elbasan është kujdesur që të vendosë në të gjithë parkun tabela orientuese për vizitorët, por edhe të shoqërojë çdokënd që ka dëshirë të shijojë mrekullitë e tij.
Parku Kombëtar i Shebenikut ka mjaft monumente natyrore të shpallura apo jo, që mund të vizitohen nga turistët dhe studiuesit.
Me interes është Kisha e Kosharishtit e ndërtuar në një shpellë me figura e mbishkrime që nga shek. II para erës sonë, që duhet të jetë gjithashtu pjesë e guidës nëse doni të vizitoni Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Kjo shpellë-kishë është e vendosur në një shkëmb në lartësi rreth 70 metra nga niveli i lumit të Qarrishtës, ku janë pikturuar Shenjtorja Mari dhe dishepujt gjatë një ceremonie.
Shumë i rëndësishëm fakti që ngjyrat në këto piktura nuk janë zhdukur dhe qëndrojnë ende të gjalla.
Do të gjeni në Shebenik liqenet karstike, liqenin e Fushë-Studnës, Vlaskën, Fushën e Dorëzit, Bredhin e Fushë-Kuqes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut e shumë zona të tjera që presin vizitorë.
Moratoriumi i gjuetisë bëri që edhe kafshët e egra të shtohen, për t’i dhënë më tepër gjallëri kësaj zone.
Gjatë monitorimeve të saj me kamera kurth, Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura ka arritur të fotografojë një sërë kafshësh të egra si, derri i egër, ariu, kaprolli, ujku etj.
Shoqata të ndryshme që kanë në fokus aktivitet sportive kohët e fundit po i organizojnë ato në këtë park.
Gara të çiklizmit malor, alpinizëm apo ski e kanë bërë tashmë këtë park më të njohur dhe me siguri një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit të nat
yrës shqiptare.