Vjeshta ngjitet në Tomorr, sjell me vete dhe mjaft vizitorë

  • 16 October 2018 - 11:47
Vjeshta ngjitet në Tomorr, sjell me vete dhe mjaft vizitorë

Vjeshta është ngjitur dhe në shpatet malore të Tomorrit, duke shpërndarë të verdhën e saj në faqet pyjore dhe duke krijuar një tablo mjaft tërheqëse ku vizitorë të natyrës ngjiten drejt këtij peizazhi mahnitës. Specialistët e AdZM-së së Beratit njoftojnë për vizitorë të ardhur nga qyteti i Beratit por dhe qytete të tjera të vendit, që kërkojnë ndihmë pranë Qendrës së Vizitorëve të këtij parku dhe më pas, nën shoqërimin e specialistëve udhë-rrëfyes të kësaj administrate, ngjiten në destinacionet e kërkuara.

Englison Qose, një prej këtyre specialistëve, thotë për ATSH-në se, vërtet, që parku në këtë kohë ka marrë një bukuri të rrallë. “Duket si një tablo e pikturuar mes malesh që të josh ta vizitosh. Në qendrën tonë të vizitorëve, pothuajse çdo ditë ka turistë aventurierë të maleve që kërkojnë ndihmë për të arritur në destinacionin e duhur”, – thotë ai.

Nën këmbët e malit madhështor të Tomorrit, ndodhen disa fshatra malore, që tashmë janë kthyer në kuriozitete për turistët e aventurës, historisë dhe të mitologjisë. Këtu ndodhen Dardha, Qaf-Dardha, Perisnaka, Kostreni i Madh, Bogdani… Bukuritë përrallore të kësaj zone çdo ditë e më shumë po tërheqin vizitorë.

Peizazhet janë befasuese me ujëvara, burime, liqene e shkëmbinj të thepisur. Ka disa liqene akullnajore, ku në krye të tyre ndodhet “Sheshi i Shën-Pjetrit”.

Pak më tej gjenden rrënojat e një qyteze të çuditshme, me themele dhe murana, që nuk dihet kush i ndërtoi dhe kush i shkatërroi. Qyteza ende pret arkeologët të vendosin emra dhe mbiemra, të caktojnë ditëlindje dhe ditëvdekje.

Së fundmi, një kuriozitet për t’u vizituar në këtë park, janë dhe shpellat e shumta që po tërheqin vizitorë të speleologjisë. Englisoni numëron disa prej tyre që janë bërë vërtet të vizitueshme, si Shpella e Madhe Tomorr, Shpella e Zezë, Shpella e Gavanit, Shpella e Goshoricës e disa të tjera. Ditët e fundit drejt tyre janë ngjitur dhe turistë të ardhur nga Anglia e Kanadaja.

Në Qaf-Dardhë ndodhet edhe çezma e Tarikos, ku udhëtarët shlodhen e marrin udhëzime për të vazhduar më lart. Aty në një pllakë guri shkruhet dhe kurioziteti i kësaj çezme.

E verdha vjeshtore ka trokitur kudo e turistët e apasionuar të kësaj panorame po vërshojnë duke e renditur fort Shqipërinë në tregun turistik edhe në guidat e peizazhit natyror. 

 

(Kosova Sot)