Ambasada Amerikane deklarohet sërish për shkëputjen e kontakteve me ministrin e FSK-së

  • 16 October 2018 - 11:47
Ambasada Amerikane deklarohet sërish për shkëputjen e kontakteve me ministrin e FSK-së

Ditë më parë u raportua se SHBA-të kanë shkëputur të gjitha komunikimet me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berishën, si dhe zëvendësministrin, Agim Çekun.

Shkëputja e marrëdhënieve thuhej se kishte të bënte me aktakuzën për listat e veteranëve.

Në një përgjigje për lajmi.net nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, është thënë se e njëjta mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin afatgjatë me ministrinë e FSK-së, pa specifikuar nëse janë shkëputur kontaktet me ministrin apo zëvendësministrin.

“Ambasada mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin afatgjatë me ministrinë e FSK-së, për të siguruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë lidhur me manipulimet me listat e veteranëve të UÇK-së.

Aktakuzë është ngritur ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit.

E njëjta më pas është kthyer prapa nga Gjykata Themelore në Prishtinë për plotësimet e nevojshme.

 

(Kosova Sot)