A mban kontakte ambasada amerikane me ministrin Rrustem Berisha?

  • 16 October 2018 - 11:51
A mban kontakte ambasada amerikane me ministrin Rrustem Berisha?

Ambasada amerikane nuk tregohet konkrete në lidhje me raportet që ka me ministrin e FSK’së Rrustem Berishën, ndërsa në ambasadë thonë se janë të përkushtuar në bashkëpunimin me ministrinë e FSK’së.

Ditë më parë u raportua se SHBA-të kanë shkëputur të gjitha komunikimet me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berishën, si dhe zëvendësministrin, Agim Çekun. Shkëputja e marrëdhënieve thuhej se kishte të bënte me aktakuzën për listat e veteranëve.

Ambasada Amerikane në Prishtinë thotë se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin afatgjatë me ministrinë e FSK-së, pa specifikuar nëse janë shkëputur kontaktet me ministrin apo zëvendësministrin.

“Ambasada mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin afatgjatë me ministrinë e FSK-së, për të siguruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për lajmi.net.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë lidhur me manipulimet me listat e veteranëve të UÇK-së.

Aktakuzë është ngritur ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit.

E njëjta më pas është kthyer prapa nga Gjykata Themelore në Prishtinë për plotësimet e nevojshme.

(Kosova Sot)