Lajci: Kosova, parajsë e mafio-oligarkëve

  • 16 October 2018 - 13:04
Lajci: Kosova, parajsë e mafio-oligarkëve

Sipas deputetit Lajçi, dyshohet se pasuritë marramendëse këto familje të lidhura me pushtetarët i kanë bërë në saje të monopoleve në shumë fusha të ekonomisë, që e arritën me bekimin e pushtetarëve të kriminalizuar dhe me ndihmën e ish-pushtetarëve të deritashëm që duket se i shndërroi këto familje të mafio-biznesmenëve në një grup të madh të mafio-oligarkëve nga pas lufta. "Heshtjet e qeverive të pasluftës kanë bërë që pronat dhe bizneset kryesore të vendit kaluan te një grup njerëzish të caktuar dhe me këtë proces Kosova përjetoi goditjen më të madhe para qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare", vijoi ai. "Bazuar në situatën shumë të vështirë të bërjes së biznesit në Kosovë, e them lirshëm se edhe depozitat e bankave, që kanë arritur deri mbi 3 miliardë euro deri në tetor të këtij viti, nuk janë të qytetarëve të cilët punojnë sa për mbijetesë. Prandaj, për mendimin tim, këto depozita në bankat tona janë para të pista të grupeve të mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve tanë të përlyer deri në fyt me korrupsion, por edhe të biznesmenëve të cilët merren me shpëlarjen e parave etj.", ka thënë opozitari Lajçi. Sipas tij, është për keqardhje se si shteti i Kosovës është bërë një parajsë për oligarkët e mafio-bizneseve, që janë bërë kapot e ekonomisë vendore.

(Kosova Sot)