Bislimi: Fondet shkuan në xhepat e mafio-politikanëve

  • 16 October 2018 - 14:12
Bislimi: Fondet shkuan në xhepat e mafio-politikanëve
 Edhe sipas politologes Liridona Bislimi, ky raport kaq kritik, me të metat e evidentuara, është pasojë e të gjitha qeverisjeve të deritanishme të korruptuara dhe inkriminuara që ka pasur Kosova në periudhën e pasluftës. "Nuk është aspak befasues ky vlerësim nga Raporti i ri i Bankës Botërore, i cili e publikoi raportin për indeksin e kapitalit njerëzor me të dhënat alarmante, sidomos për nivelin arsimor në Kosovë, e kjo është pikërisht rezultat i qeverisjeve të inkriminuara të pasluftës, ku përveç mossundimit të ligjit shëndeti dhe arsimimi i njerëzve nuk kanë pasur kurrfarë vëmendje pozitive nga asnjëra qeveri kosovare, por ata kanë qenë dhe janë të përkushtuar vetëm të mbushin xhepat e zyrtarëve të korruptuar dhe të klientelës së tyre kriminale. Është një realitet, ndonëse mjaft i hidhur, që e nxjerr të vërtetën në shesh, ngase ky hulumtim tregon se Indeksi i Kapitalit Njerëzor të Kosovës është nën mesataren e rajonit", theksoi ajo për "Kosova Sot". Sipas saj, është një alarm serioz që nxjerr ky hulumtim."Nga ky raport dëshmohet se edhe për gati dy dekada Kosova nuk ka qenë e aftë të ndërtojë një sistem cilësor arsimor, por gjatë tërë kësaj periudhe janë vjedhur paratë përmes tenderëve të kriminalizuar për ndërtim të shkollave, si dhe ata u janë dhënë vetëm mafio-oligarkëve të njëjtë, pa procedura tenderike dhe me çmime astronomike, që nga botimi i librave shkollorë, edhe atë për 20 vjet rresht. Po ashtu, është për keqardhje që Indeksi i Kapitalit Njerëzor tregon se një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56% produktiv kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë", vijoi më tej Bislimi. "Krejt kjo gjendje vjen si pasojë e së kaluarës kriminale të udhëheqjes së vendit, sepse politikanët gjysmanalfabetë dhe të inkriminuar e kanë rrënuar në themel shkollën shqipe kosovare, duke e shfrytëzuar e zhvatur vetëm për përfitime personale dhe partiake klienteliste, ku nëse do të kishin sadopak ndërgjegje ky nivel kaq i ulët arsimimi, do të duhej t'i alarmonte të gjitha institucionet dhe partitë parlamentare, që të paktën ta shpallin, më në fund, arsimin prioritet kombëtar e shtetëror. Dhe tani, nëse Kosova vazhdon akoma në këtë gjendje të mjerueshme arsimore, mbetet me pasoja të rënda ekonomike nga dështimi me arsimin, ku aftësia e fuqisë punëtore mbetet e dobët për t`iu përgjigjur nevojave të tregut dhe punëdhënësve për shkak se të diplomuarit kanë fare pak njohuri të duhura (vetëm gjysmën e tyre) dhe realisht ky sistem i inkriminuar i arsimit dhe politikës ka prodhuar gjysmanalfabetë për afro dy dekada me radhë, vlerësoi Liridona Bislimi për "Kosova Sot".