Trajtimi i ri shëron paralizën?

  • 16 October 2018 - 16:40
Trajtimi i ri shëron paralizën?

Kelly Thomas ecë ngadalë mbi barin e butë, duke përdorë një mjet ndihmës. Secili hap i saj shkakton ngazëllim, por edhe lodhje. Ajo ndalet për të pushuar paksa dhe, buzëqesh. "Duhet vetëm të mundohesh pak, por kur them pak, mendoj shumë", thotë ajo. Thomas, 24 vjeçe, është njëri nga tre personat e paralizuar që mund të ecin përsëri, falë një pajisjeje stimuluese, të vendosur në pjesën e poshtme të shpinës së saj, të shoqëruar me terapi intensive fizikale. Lajmet rreth përparimit të pacientëve janë publikuar në studime të ndara, në dy revista shkencore, të hënën. Në një ditë me diell, tash vonë, Thomas u kthye te vendi i cili i mori aq shumë, më 19 korrik të vitit 2014. Në atë vend, kamioni të cilin ajo ishte duke e drejtuar, u ndal pasi që goditi një dru. Trupi i saj ishte i palëvizshëm, ishte bërë e mavitë dhe kishte filluar të kishte të ftohtë. 

Momentet e dëshpërimit

Ajo i kishte rënë shpesh asaj rruge, me qëllim të rifreskimit të kujtimeve. Për t'i ndihmuar që të kuptonte se çka kishte ndodhur atë natë. Për ta kuptuar momentin i cili ndryshoi çdo gjë. Asgjë nuk dukej të bënte punë. Por, gjatë kësaj vizite, ajo eci përreth pemës, duke iu folur këmbëve kësaj, që t'i motivonte të ecnin. "Hap pas hapi", thoshte ajo. "Ngadalë, por sigurt". Edhe pse është shtatshkurtër, ajo është një person frymëzues. Optimizmi i saj vërehet edhe duke folur, jo vetëm duke ecur. "Fjala paralizë nuk gjendet në fjalorin tim. Mos më quani të handikapuar, meqë nuk jam e tillë. Falë Zotit, më kanë edukuar të jem një kauboj i fortë". Asaj i duhen disa minuta që të shkojë nga vetura deri te pema. Çdo hap ia vlen. Ecja e sotme është akt i triumfit, e jo i rikujtimit. "A e dini çka"?, thotë ajo. "Ndihem tepër mirë të eci në vendin ku mendoja se kisha mbetur pa këmbë". Ajo u zgjua në spital disa javë pas aksidentit, me gypa dhe tela që i dilnin gjithandej. Në moshën 19 vjeçe, ajo kishte ngelur e paralizuar shokë e teposhtë. Por, ajo i kishte thënë neurokirurgut të saj se përsëri do të ecte, pa marrë parasysh sa të vogla mund të ishin gjasat për një gjë të tillë. Ky rrugëtim nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Në momentet e dëshpërimit, ajo i drejtohej Zotit: "Nuk e di pse më ndodhi kjo, por nëse më ndihmon që ta kuptoj, atëherë mund ta kem paksa më lehtë". Ajo planifikonte që të bëhej terapeute fizikale, që t'iu ndihmonte të tjerëve. Por, fati i saj ndryshoi rrënjësisht atë ditë të kobshme korriku. Thomas është pjesë e një kërkimi inovativ që është duke u bërë në Qendrën kërkimore të Kentakit për lëndime të boshtit kurrizor, në Universitetin e Luisvillit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ecin me ndihmë të mbajtëseve

Në një studim të publikuar të hënën, në revistën "New England Journal of Medicine", dy nga katër pacientë me "lëndim komplet motorik të boshtit kurrizor" - gjë që nënkupton mungesën e lëvizjeve të vullnetshme nën vendin e lëndimit - qenë në gjendje që të ecnin përsëri, pasi që iu ishte implantuar një pajisje për stimulimin e palcës kurrizore, e më pas i ishin nënshtruar një terapie intensive fizikale. Ata ecin me ndihmë të mbajtëseve. "Kjo duhet ta ndryshojë të menduarit tonë rreth njerëzve me paralizë", thotë Susan Harkema, njëri ndër kërkuesit kryesorë shkencorë në këtë projekt dhe profesoreshë në Departamentin e kirurgjisë neurologjike në Universitetin e Luisvillit. "Kjo është fenomenale. Kjo dituri e re na jep mundësinë e zhvillimit të strategjive të reja për t'iu ndihmuar njerëzve me lëndime kronike të boshtit kurrizor". Claudia Angeli, shkencëtarja tjetër, pjesëmarrëse në këtë projekt, që është kërkuese shkencore në Qendrën e Lëvizjes njerëzore në Institutin e rehabilitimit në Luisvill, thotë se është mahnitëse që të merresh me kërkime rreth trajtimit të lëndimeve të boshtit kurrizor. "Kështu shohim kapacitetin e boshtit kurrizor dhe se sa jemi duke mësuar rreth përdorimit të stimulimit epidural në kombinim me terapi", thotë Angeli. Përgjatë viteve, studimi i tyre ka përfshirë 14 persona të paralizuar, të cilëve iu është vendosur stimulatori epidural, duke ua mundësuar neuroneve nën vendin e lëndimit të tyre, që të pranojnë sinjalet e prodhuara nga truri, para se ata të lëndoheshin. Që të gjithë këta 14 pacientë kanë manifestuar një lëvizje të vullnetshme me këtë pajisje, si dhe kanë manifestuar përmirësim në kontrollimin e urinimit dhe defekimit (zbrazjes së zorrëve). 

 

(Kosova Sot)