Daçiq shpërfill vërejtjet e amerikanëve, thotë se Lesoto e ka tërhequr njohjen e Kosovës

  • 16 October 2018 - 17:24
Daçiq shpërfill vërejtjet e amerikanëve, thotë se Lesoto e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Një shtet i Afrikës Jugore, Lesoto, që kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 2014, po pretendohet se e ka anuluar këtë vendim. Këtë po e pohon kryediplomati serb Ivica Daçiq, i cili ka takuar kryeministrin e këtij shteti. Përkundër kërkesave të Amerikës, e cila, sipas Daçiqit, i ka kërkuar që të mos lobojë kundër Kosovës, Daçiqi po vazhdon ta bëjë këtë.

Gjashtë ditë para përvjetorit të gjashtë të pavarësisë së Kosovës, më 2014, atëherë kryeministri I Kosovës Hahsim Thaci shpalli se Lesoto, një shtet i Afrikës Jugore kishte njohur pavarësinë e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 106-të me radhë që e bën këtë.

“Sapo u informuam se Mbretëria e Lesotos, në Afrikën jugore, ka njohur Kosovën. U bënë 106 shtete që njohën Republikën tonë të pavarur dhe sovrane. Dhuratë e bukur në javën kur festohet ditëlindja e 6-të e shtetit”, kishte shkruar Kryeministri Thaçi.

Por, të martën, mediat në Serbi, duke u thirrur në takimin e Daçiqit me homologun e tij të Lesotos, kanë njoftuar se ky shtet ka tërhequr njohjen.

Qeveria e Mbretërisë së Lesotos ka rishikuar qëndrimin e saj politik, njofton Tanjugu, duke theksuar se e ka parë notën verbale të këtij shteti.

“Ministria ka nderin të njoftojë se Qeveria e Mbretërisë së Lesotos  konsideron se kontributi i saj i vetëm për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës duhet të jetë mbështetja ndaj dialogut Beograd–Prishtinë dhe jo definimi i statusit para se të përfundojë dialogu. Duke u bazuar në këtë çështja e shtetësisë së Kosovës është e parakohshme. Qeveria e Lesotos nuk është deklaruar rreth asaj çështjeje e as nuk do ta bëjë këtë derisa të përfundojë dialogu. Kur palët të arrijnë marrëveshje, Qeveria e Mbretërisë së Lesotos do ta mbështesë fuqishëm”, thuhet në notën verbale që mediat serbe e kanë publikuar,

Madje, aty theksohet se pavarësia e Kosovës është shpallur njëanshëm dhe në kundërshtim me aktin final të Helsinkit.

Daçiq, ndërkaq, ditë më parë ka bërë me dije se amerikanët i kanë kërkuar që të ndalë lobimin për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.


 

(Kosova Sot)