KAPITI: NË KOSOVË KEMI NJË DREJTËSI KREJTËSISHT POLITIKE

  • 17 October 2018 - 13:13
KAPITI: NË KOSOVË KEMI NJË DREJTËSI KREJTËSISHT POLITIKE
 Eksperti tjetër i kësaj fushe, Skënder Kapiti, konstaton se drejtësia në Kosovë është shukatur, sepse është joefikase, dhe nuk është as e aftë për të vepruar konform ligjeve të shtetit,sepse ajo është vetëm një drejtësi krejtësisht politike. "Pra, është e emëruar, e zgjedhur dhe e mbrojtur sipas preferencave të kastës politike të korruptuar dhe të kriminalizuar. Si politika, ashtu edhe drejtësia janë e njëjta gjë; janë korrupsioni, hajdutëria, nepotizmi, familjariteti dhe krimi, të cilat e kanë kapur shtetin ,shoqërinë, pushtetin dhe drejtësinë në Kosovë. E para, në këtë zallamahi korrupsioni dhe degradimi si shkaktare dhe autore kryesore është politika , sepse ajo, pushteti, korrupsioni dhe kriminalizimi i politikës kanë prodhuar edhe këtë drejtësi ligjore, e cila është shëmbëlltyra, apo kopja e kësaj politike", theksoi ai."Politika e pushteti bëjnë zhurmë për zbatimin e ligjit, për shtetin ligjor, për luftë kundër krimit e korrupsionit, por realisht ata mbrojnë krimin, korrupsionin dhe hajdutërinë e vet, pra 'peshqit e mëdhenj' dhe krimin, pra hajdutët e mëdhenj bërtasin 'kapeni hajdutin'. Dhe fakti se deputetët e pozitës dhe të opozitës e anashkalojnë miratimin e ligjit për vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme përbën kulmin e asaj se çfarë politike e papërgjegjshme dhe tejet abuzive dhe e korruptuar e sundon sot Kosovën. Ky fakt vërteton atë se kush janë përfaqësuesit e popullit prej të cilëve populli i ka zgjedhur ata, që ata t'i shërbejnë popullit dhe jo që ta mashtrojnë e ta vjedhin popullin me pushtetin që ua jep populli atyre", tha Kapiti për "Kosova Sot".