Nëna me 3 fëmijë jeton në mes të pyllit: Oj nënë, pse më bëre?!

  • 17 October 2018 - 14:20
Nëna me 3 fëmijë jeton në mes të pyllit: Oj nënë, pse më bëre?!

“Oj nënë pse më bërë”. Florinda Lleshi shkel një shtegu mes përmes pyllit dhe nxjerr dëshpërimin prej shpirtit, duke mallkuar edhe gruan me të rëndësishme për të, gruan që e solli në jetë.

Florinda po më çon drejt kasolles në të cilën ka përfunduar në mes të maleve, qyqe e vetme dhe me 3 fëmijë të mitur. Ajo vendosi të dalë prej martesës për shkak të dhunës barbare. Ishte 21 vjeçe kur u martua me shkuesi, jetonte atje në Mirdite dhe krushqi pas krushqie i thanë se i kishin gjetur një djalë nga familje e mirë. Është nga Kukësi i thanë, familje e mirë, djalë punëtor.

Por gjithçka rrodhi më tej, që tepër larg ëndrrave të saj. Në një rast, pasi kishte punuar gjithë ditën si kafshë në arë kur u kthye në shtëpi ajo u dhunua aq shumë sa vendosi t’i jepte fund jetës dhe piu fotoksinë. Jetoi.

Në 2015, i shoqi e goditi me sëpatë në kokë. Një muaj në spital, nuk bëri zë. Nuk denoncoi pavarësisht plagëve. Florinda u kthye sërish aty në zonën e Farkës së Madhe ku jetonin të gjithë bashkë me shpresën se kur të nesërmen të lindte dielli edhe jetës së saj do i hapej një faqe e re.

Nuk pati asnjë rreze në asnjërën prej ditëve që vijnë njëra pas tjetrës. Përkundrazi, kur nuk mundi më të duronte dhunën, Florinda i tha stop gjithçkaje. Në fund të 12 viteve martese, ajo u nxor nga shtëpia me rrobat e trupit dhe 3 djemtë e vegjël. Pa asnjë shpresë për të trokitur për ndihme, e ndërsa mbi vete ka dy urdhra mbrojtjeje, ajo ngriti një kasolle aty në pyll, pranë shtëpisë së ish-burrit.

Dhe ndërsa i dha fund një torture, për të ka nisur një torturë e re, uria. Kasollen e ka mbuluar anash me batanije dhe rrecka rrethanore që era te mos fryje e shiu mos të hyjë brenda. Do të jetojë si njeri. Do që t’i vërë në gjumë fëmijët të ngopur. Që bijve mos t’ua ngrohë duart me frymën e saj.

E pamundur. Ka një vit e gjysmë që jeton si të jetë e padukshme, ajo e padukshme, të tre fëmijët të padukshëm. Por ajo e ka një emër, quhet Florinda është vetëm 33 vjeçe. Fëmijët e saj quhen Fatmir, Fabian dhe Armen dhe janë 10 , 8 dhe 6 vjeç. Janë në shkollën e Farkës së Madhe dhe nëse ndodh ti’ takoni dijeni se e ëma ka ecur mes përmes një pylli, ka udhëtuar 40 minuta në këmbë për t’i çuar në shkollë. Dhe secilit prej tyre kur i ve në gjumë u tregon përralla me ushqim të ngrohtë.

 

(Kosova Sot)