Shtëpia e mallrave, apo shtëpia e krimit

  • 17 October 2018 - 17:08
Shtëpia e mallrave, apo shtëpia e krimit

Debati për njërin ndër pak objektet e vjetra që dokumentojnë të kaluarën historike dhe trashëgiminë kulturore të vendit, ish- shtëpinë e mallrave "Gërmia", është mjaft i rëndësishëm për ta ndalur planin kriminal biznesor, që mund të fshihet pas gjoja "mbrojtjes" nga shteti apo ndonjë peticioni me nënshkrime të blera dhe komprometuara. Objekti që daton prej periudhës pas Luftës së Dytë Botërore është qendra e parë tregtare në Prishtinë dhe vlera e tij është shumë e madhe, sepse dokumenton një periudhë të rëndësishme të arkitekturës kosovare dhe të zhvillimit shoqëror të Kosovës. Sipas raporteve të deritashme, ndërtesa rrezikon të rrënohet për shkak të ndërtimit të sallës koncertale, ndërsa ka edhe një fond milionësh nga Bashkimi Evropian. Përfshirja e ndërtesës së ish-'Gërmisë' në listën e Trashëgimisë Kulturore të mbrojtur pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucioneve vartëse të saj, përkohësisht mund të ketë ngjallur shpresa se kjo hapësirë dhe ky objekt do të shërbejë, pas investimit aty, për artin dhe kulturën. Megjithatë, prapaskenat korruptive mund ta shuajnë shpejt këtë shpresë, duke e ditur se Prishtinën e udhëheq një mashë e oligarkëve, ndërsa Kosovën e sundojnë këta të fundit. Duke pasur parasysh vlerën historike, kulturore, arkitektonike të objektit, autoritetet nuk do të duhej të nguteshin në hapat e mëtutjeshëm, por ka gjasa që kompanitë e pushtetarëve që e kanë betonizuar tërë Prishtinën, e besa edhe mbarë Kosovën, t'ia mësyjnë këtij lokacioni tepër të vlefshëm për ndonjë rrokaqiell, që do ta shëmtonte edhe këtë pjesë të kryeqytetit. Rasti me objektin në fjalë na kujton krimin që ndodh në Shqipëri me Teatrin Kombëtar, ku pritet të mbijnë edhe kullat të tjera, sikur të mos mjaftonin të gjitha ato që e kanë shëmtuar Tiranën. Nëse ndodh një histori e ngjashme në Prishtinë, nuk kemi pse të befasohemi që autorët do të jenë protagonistët e klanit "Pronto" në nivelin lokal e qendror, bashkë me ortakët e tyre në pushtet e biznesin kriminal.

 

(Kosova Sot)