MF i jep 30 ditë institucioneve t’i përgatisin listat për faljen e borxheve

  • 03 September 2015 - 16:55
MF i jep 30 ditë institucioneve t’i përgatisin listat për faljen e borxheve

Sot hynë në fuqi ligji për faljen e borxheve. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike janë të detyruara që brenda tridhjetë ditësh t’i identifikojnë dhe përgatisin listat e të gjithë personave, të cilët duke iu nënshtruar dispozitave të nenit 4 të këtij ligji, mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike për periudhën deri më 31 dhjetor 2008.

Këtë e ka bërë të ditur, Fatime Lumi, zyrtare për informim në Ministrinë e Financave. Ajo përmes përgjigjeve elektronike, ka treguar se nga falja e borxheve përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike. Por bizneset dhe qytetarët të cilët do të përfitojnë nga ky ligj duhet të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 01 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014.

Sipas saj, në rastin kur arrihet marrëveshja sipas nën-paragrafit 1.2 të këtij neni, atëherë personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe faljen e ndëshkimeve për periudhën 01 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Ajo shtoi se në bazë të këtij ligji parashihet që pagesat e borxheve të bëhet brenda afatit prej dy vitesh, për personat juridikë, nga data e lidhjes së marrëveshjes, brenda afatit prej tri vitesh, nga personat fizikë, nga data e lidhjes së marrëveshjes.

Sipas saj, për borxhet e pashlyera deri me 31 dhjetor 2008, ku shuma totale e borxhit bazë është në vlera të vogla prej 1 euro deri në 100 euro, nuk kanë nevojë t’ju nënshtrohen procedurave të parapara për faljen e borxhit, ato do të fshihen në mënyrë automatike nga institucioni ku figurojnë si borxhlinj.

Por Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, tha për KosovaPress se ky vendim për faljen e borxheve mund të dekurajoj paguesit e rregullt të tatimeve dhe shërbimeve publike.

Prandaj. Sipas tij, Oda Ekonomike Amerikane nuk e ka vlerësuar si vendim të drejtë.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, tha për KosovaPress se ligji për faljen e borxheve më tepër është bërë për fushatë se sa që do të ketë efekt tek qytetarët.

Ai po ashtu tha se janë bërë disa ngatërresa me personat privat dhe bizneset.