Ministri i ri i Punëve të Brendshme, dëshirë ekskluzive e Labit

  • 17 October 2018 - 18:15
Ministri i ri i Punëve të Brendshme, dëshirë ekskluzive e Labit

Për herë të parë në vend, me një Qeveri të madhe dhe me dëshira të shumta të partnerëve, është bërë realitet një kërkesë që konsiderohej absurde. Deputeti i AKR’së, Labinot Tahiri, ka kërkuar që Qeveria Haradinaj të ketë një ministër nga qyteti i Ferizajt, e kjo edhe ka ndodhur.

Labinot Tahiri, ka vendosur ta peshojë më rëndë votën e tij se sa votat e deputetëve të tjerë. Që nga formimi, Qeveria që numëron me kujdes deputet për deputet, duket lehtë e cenueshme edhe me vetëm një votë.

Kësisoj kërkesat e deputetit Tahiri merren më me seriozitet, ndonëse nuk duken si të tilla.  Ai kishte një dëshirë, ta bënte qytetin e tij me një ministër, dhe këtë ia plotësoi shefi i partisë së tij, Behgjet Pacolli dhe shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Burime të Gazetës Express në Qeveri thonë se arsyet e largimit të ish-ministrit Gashi dhe emërimi i Mustafës është bërë ekskluzivisht sipas kërkesës së deputetit.

Zyrtarisht, në Qeverinë e Kosovës thonë se Bejtush Gashi u shkarkua për mungesë të përformancës në dikasterin që drejtonte.

“Nëse do të ishte për shkak të përformancës, do të duhej të shkarkohej e gjithë Qeveria, prandaj nuk besoj që është kjo arsyeja. Ministri i Brendshëm nuk ka dalluar për nga perfiormanca me pjesën tjetër të Qeverisë”

“Është katastrofale që dikush të mendoj se një ministër i Ferizajt duhet të jetë ministër i Brendshëm”, ka shtuar Selimi.

Selimi thotë se nuk e kupton çfarë roli ka kryeministri Ramush Haradinaj, përderisa Behgjet Pacolli shkarkon e emëron ministra ‘sa herë që i teket”.

Ndërkaq ka mbetur edhe një muaj deri në mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, ku Kosova shpreson në anëtarësim.

Reagime të shumta ka pasur rreth arsyeve pse ndodhi shkarkimi i ministrit të Brendshëm krejt papritmas. Themeluesi i KIPRED’it, Lulzim Peci, ka shkruar në Facebook për ndikimin që, sipas tij, ka ndërrimi i ministrave të Brendshëm në prag të Asamblesë së Përgjithshme.

“Po ku e gjetet me e be shkarkimin e Ministrit te Brendshem ne kohen kur krejte forcat duhet te mobilizohen per antaresimin e Kosoves ne INTERPOL? Apo ndoshta nuk po ju ece puna mire ne kete perpjekje dhe po ju duhet nje “kurban” per te arsyetuar deshtimin e mundshem?”, ka shkruar Peci në Facebook.

Anash plotësimit të dëshirave të deputetit Tahiri, pozita e ministrit të Brendshëm është dikasteri që gjatë kësaj periudhe ka më së shumti punë. Kosova do të tentoj të bind shtetet anëtare që t’ia japin votën për anëtarësim në INTERPOL, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të 20 nëntorit që do të mbahet në Dubai.

Përgatitjet për asamblenë e nëntorit i ka filluar ish-ministri Flamur Sefaj. Ai u shkarkua në mars, me vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi institucionet e sigurisë u përfshin në rrëmbimin e gjashtë shtetasve turq, dhe dorëzimin e tyre në Turqi.

Selimi thotë se ministrat më herët nuk kanë pasur ndonjë kontribut në procesin drejt anëtarësimit në Interpol, e nuk pret as ministri i ri të ketë ndonjë ndikim.

Megjithatë ai thotë se imazhin i përgjithshëm  dëmtohet nëse ministrat e Brendshëm ndërrohen kaq shpesh. 

Prej marsit u ndërruan tre ministra të Brendshëm. AKR e Behgjet Pacollit largonte një ministër, sillte tjetrin.

Para pak muajve drejtimin e Ministrisë së Brendshme e mori Bejtush Gashi. I njëjti u shkarkua dje për të ardhur në postin e tij Ekrem Mustafa, ministër ky nga Ferizaj.

Deputeti Labinot Tahiri tregoi të hënën në emisionin Frontal të T7 se ishte i lumtur që shefi i partisë e shefi i Qeverisë ia realizuan dëshirën. Ndonëse as ligjërisht e as tradicionalisht, kabineti qeveritar asnjëherë nuk është formuar në bazë të prejardhjes së ministrave, Labi krijoi precedent. 

(Kosova Sot)