Lirohen për mungesë provash të akuzuarit për grabitje

  • 17 October 2018 - 23:19
Lirohen për mungesë provash të akuzuarit për grabitje

Ali Brestovci dhe Egzon Aliu në mungesë të provave u liruan sot nga Gjykata e Gjilanit për veprën penale grabitje në bashkëkryerje.

Sipas vendimit të Gjykatës, Ali Brestovci dhe Egzon Aliu, lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës sepse nuk është vërtetuar se më datë 19 mars 2010, rreth orës 02:07, me qëllim që vetes apo tjetrit t’i sjellin dobi të kundërligjshme pasurore, nën kërcënimin e armës, të pajisur me maska të zeza e dorëza, kanë hyrë me forcë te pompa e karburanteve “Kalabria Petrol” dhe kishin grabitur shumën prej 230 eurosh.

Ali Brestovci dhe Egzon Aliu nuk e kishin ndjerë veten fajtorë për faktin se deklaratat e dhëna në Polici sipas tyre u ishin marrë nën ndikimin e dhunës të ushtruar nga Policia.

I akuzuar në këtë rast ishte edhe Behar Nuredini, ndaj të cilit procedura ishte veçuar për faktin se i njëjti gjendet në Gjermani dhe nuk është arritur të sigurohet prania e tij në Gjykatë.

Në këtë gjykim kishte dëshmuar i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit E.K., i cili natën kritike ishte duke punuar në pikën e karburantit “Kalabria Petrol”, raporton kallxo.com.

Ai kishte deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe nuk kërkon kompensim, sepse nuk ka mundur t’i identifikojë se a kanë qenë këta dy persona të akuzuar grabitësit e asaj nate.

Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura mund të ushtrojnë ankesë në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.

 

(Kosova Sot)