Dy dekada në liri, ende sundon ligji i xhunglës

  • 18 October 2018 - 08:02
Dy dekada në liri, ende sundon ligji i xhunglës

Qytetarët duhet të reagojnë më fuqishëm kundër regjimit 

"Si pasojë e shkeljes së ligjit, po ndodh me të madhe rritja e korrupsionit, të cilin po e shkaktojnë pushtetarët e fuqishëm, që nuk i përgjigjen as ligjit e as popullit", thotë analisti Ymret Reshiti për gazetën "Kosova Sot"

Për fatin e keq të qytetarëve të saj, Kosova e pasluftës është katandisur në një xhungël ku ligjin e bëjnë të fortët, ndërsa qytetarët duhet të luten vetëm që të mbijetojnë. Ndërkaq, e tëra kjo po ndodh, ngase në shtetin e kapur të Kosovës po bashkëjetojnë krimi i organizuar dhe politika. Analistët politikë vlerësojnë se qytetarët tanë më në fund e kanë kuptuar se asnjë parti politike nuk po mërzitet për popullatën, për shqetësimet e njerëzve, varfërinë e papunësinë, për shëndetësinë e arsimin, drejtësinë dhe ekonominë, por ata janë të fokusuar e po punojnë kryesisht për interesa të veta familjare, biznesore e klienteliste. Analisti Ymret Reshiti, për gazetën "Kosova Sot", thotë se problemi kryesor në Kosovë është mungesa e funksionimit të ligjit. "Çka pritet mirë në një shtet ku nuk zbatohet ligji apo aty ku pushtetarët janë mbi ligjin. Ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj,si për ata që janë në pushtet, ashtu edhe për qytetarët", u shpreh ai.  

Pushtetarët mbi ligjin Sipas Reshitit, shkelja e ligjeve në Kosovë nga pushtetarët, politikanët e fuqishëm dhe nga oligarkët është bërë pengesë e pakapërcyeshme për stabilitetin e Kosovës si shtet dhe si shoqëri tash e sa vjet. "Si pasojë e shkeljes së ligjit, po ndodh me të madhe rritja e korrupsionit, të cilin po e shkaktojnë pushtetarët e fuqishëm, që nuk i përgjigjen as ligjit e as popullit. Krimi i organizuar në trafikimin me qenie njerëzore,droga, fshehje tatimesh etj., në çdo statistikë të re shënon rritje. Këta tregues po e ngufasin shpresën e qytetarëve të Kosovës se një ditë në këtë vend do të bëhet mirë", vlerësoi ai. Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Ali Hertica, për gazetën " Kosova Sot", tha se në një shtet, ku mbretërojnë krimi dhe korrupsioni, nuk ka as ligj e as drejtësi. "Shteti dhe ligji do të duhej të ishte vendimtarë për pastrimin e kësaj skene politike nga krimi dhe korrupsioni, që mbetet kushti kryesor për liberalizimin e vizave gjatë këtij viti të ri dhe hapjen e perspektivës evropiane për qytetarët e Kosovës", potencoi ai. "Kosova ka nevojë për një alternativë politike, që do të sjellë ndryshime në qeverisje dhe do të vendosë rendin dhe ligjin. Edhe në këtë vit sfida do të jetë se a do të arrihet liberalizimi me këta njerëz që quhen politikanë, të cilët mendjen e kanë te përfitimet, por jo te sundimi i demokracisë", vijoi më tej Hertica. "Qeveria aktuale ishte dhe gjithnjë mbetet shkaku thelbësor i inefikasitetit dhe insuficiencës së organeve të drejtësisë në luftimin serioz të formave të shumta e të ndryshme të korrupsionit e të kriminalitetit ekonomik dhe të dështimeve serioze në të gjitha sferat e jetës shoqërore", shpjegon ai.
 

POLITIKA E KRIMINALIZUAR "Sot, sundimi i ligjit në vendet e zhvilluara dhe demokratike është parim themelor mbi të cilin funksionon shteti dhe sistemi i drejtësisë. Fatkeqësisht, kjo i ka munguar Kosovës dhe po vazhdon t'i mungojë ende për fajin e klasës sonë politike të kriminalizuar që kontrollon pushtetin dhe ekonomin e vendit", u shpreh Ymret Reshiti për "Kosova Sot".

QYTETARËT PO E PËSOJNË "Në një shtet ku mbretërojnë krimi dhe korrupsioni nuk ka as ligj e as drejtësi, sepse janë të lidhur dhe të indoktrinuar të gjithë në sistem ligjor, ligjvënës e ekzekutiv. Sepse, të gjitha këto forma antiligjore po i paguan shtresa e qytetarit, ku një ditë qytetari duhet të ngritët doemos në protesta për t'u thënë mjaft më se tashmë ka përfunduar epoka e sherifëve në demokracinë moderne dhe shtet ligjor", tha Ali Hertica për "Kosova Sot".

Qytetarët, të dëshpëruar Qytetarët e anketuar ndihen se janë të zhgënjyer, ndaj më ata nuk po i besojnë asnjë partie politike të Kosovës. Ata thonë se Kosova, tashmë është katandisur në një xhungël ku ligjin e bëjnë të fortët, ndërsa qytetarët duhet që të luten vetëm sa të mbijetojnë. Kësisoj, qytetari nga Prishtina Ismajl Hamiti, për gazetën " Kosova Sot", thotë se Kosova ka ardhur në një situatë të brishtë me këta njerëz që i ka në pushtet, ngase ata që nga pas lufta e deri më sot në plan të parë i kanë pasur interesat e veta personale, familjare dhe klanore, ndërsa për popullatën as që kanë menduar fare, duke i lënë tërësisht në margjinë dhe në plan të fundit të interesave të tyre. "Kjo ka bërë që popullata për pushtetarët tanë të lihet krejt pas dore, sepse sundimtarët tanë në plan të parë i patën interesat e tyre të ngushta dhe meskine duke i rregulluar me akomodimin dhe pasurimin e tyre dhe të familjarëve. Kjo ka bërë që askush nga qytetarët tanë të thjeshtë mos të mund të punësohet pa pasur ndonjë lidhje me politikanët e nivelit më të lartë", theksoi ai. Ndërsa, qytetari tjetër po ashtu nga Prishtina, Murat Lepaja për gazetën "Kosova Sot" thotë se vërtet kjo është një temë aktuale dhe e qëlluar, që flet për gjendjen e rëndë e të mjerë që po mbizotëron në Kosovë. "Koha po na tregon se kjo klasë politike e pasluftës më shumë janë interesuar për interesat personale klanore e partiake, duke bërë punësime në baza partiake familjare dhe nepotiste. Kjo ka bërë që mos të funksionojnë asgjë dhe tashmë ky është momenti i fundit që populli të zgjohet nga gjumi dhe ta tregojnë pakënaqësinë e tyre përmes protestave paqësore masive", vijoi më tej ai. Sipas Lepajës, populli dhe shoqëria civile së bashku me opozitën duhet që të riorganizohen dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm që të largohen këto parti politike, që nga pas lufta kanë punuar vetëm për interesa personale, familjare, klanore dhe mafioze që e dërguan shtetin në këtë gjendje të mjerë.  

(Kosova Sot)